Tabloja e plotë e formacionit të ri qeveritar me ndryshime simbolike, pret votimin

Tabloja e formacionit të ri qeveritarë, tani më duket e plotë dhe deri në formalizimin e saj nuk pritet të ketë ndryshime.

Ndryshimet e përfaqësimit të shqiptarëve nga radhët e partisë fituese ndonëse konsiderohen simbolike, mëgjithatë ekzistojnë.

Musa Xhaferi dhe ai për eurointegrime, Fatmir Besimi, do ti ruajnë resorët e deritanishëm, ndërsa ministri i tretë i cili është rizgjedhur edhe në këtë përbërje, Abdilaqim Ademi, do të lëviz nga Ekologjia në Ministrinë e Arsimit, dikaster të cilën BDI e mori në vend të Ministrisë së Mbrojtjes me të cilën tanimë do të udhëheqë VMRO-DPMNE. Vendim e Ademit në Ministrinë e Ekologjisë do ta zë Nurhan Izairi, nga fshati Pallçisht, i cili aktualisht jeton në Tetovë. Me profesion është arkitekt dhe ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Me Ministrinë e Ekonomisë do të udhëheqë përsëri kuadër i BDI-së nga Dega e Çairit, por kësaj radhe në krye të këtij dikasteri është emëruar Bekim Neziri, i cili deri më tani ka qenë drejtor i Fondit Pensional Invalidor. Shkollën e mesme të mjekësisë e ka përfunduar në Shkup, ndërsa ka diplomuar në Drejtimin e Biologjisë pranë Fakultetit matematiko-natyror dhe ka marrë titullin shkencor inxhinier i diplomuar i Biologjisë. Arsimimin e tij e ka vazhduar në studime pasuniversitare pranë Fakultetit Ekonomik, ku dhe së shpejti do të mbroj temën e tij të magjistraturës me titull “Menaxhimi në sektorin publik”. Para se të udhëheqë me FPI, Neziri ka qenë zëvendësdrejtor në Drejtorinë e të Hyrave Publike të Maqedonisë, si dhe në Navigacionin e Maqedonisë, ku ka qenë drejtor i financave, punëve juridike, planifikimit, zhvillimit dhe investimeve. Ministri i ri i pushtetit lokal do të jetë Lirim Shabani i cili vjen nga Likova, farmaceut i diplomuar.

Ndryshime ka edhe në dikasterin e Drejtësisë, ku në vend të Blerim Bexhetit, me këtë resorë do të udhëheqë ish deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Adnan Jashari, i lindur në fshatin Debresh të Gostivarit ku jeton dhe vepron. Jashari është doktor i shkencave juridike dhe ligjërues në Fakultetin Juridik të UEJL-së. Ministër i ri parësor, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim do të jetë Visar Fida, i cili deri më tani ka qenë drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja. Ndërkaq, nga VMRO nuk ka ndryshime drastike në ministritë me të cilat udhëheqë kjo parti. Befasia më e madhe ka qenë emërimi i ambasadorit të deritanishëm të Maqedonisë në SHBA, Zoran Jolevskit, si ministër i Mbrojtjes në vend të Talat Xhaferit. Jolevski ka qenë edhe negociator i Maqedonisë në negociatat me Greqinë dhe ndërmjetësuesin Metju Nimic për kontestin e emrit.

Një ndryshim tjetër është emërimi i Mihaill Cvetkov si ministër u Bujqësisë, ndërsa në të gjitha dikasteret e tjera përfshirë edhe zëvendëskryeministrat, VMRO ka ruajtur funksionarët të cilët kanë qenë edhe në përbërjen e kaluar të Qeverisë. Përveç Visar Fidës, ministra pa portofol do të jenë edhe Vele Samak, Bill Pavlevski, Xheri Naumov, Nexhdet Mistafa dhe Furhan Çako. Listën e funksionarëve të rinj bashkë me Programën qeverisëse për mandatin 2014-2018, mandatari Nikolla Gruevski e ka dorëzuar të dielën në Parlament, ndërsa e njëjta do të jetë në rend dite më 19 qershor. Pas ceremonisë së pranim-dorëzimit, kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka ftuar opozitën maqedonase që, siç është shprehur ai, në interes të Maqedonisë të kthehet në Parlament.


 

Lajme të ngjashme

Back to top button