RMV, tetë pacientë do të marrin ilaçin “trikafta”, priten ndryshime ligjore që ta marrin edhe të tjerët – nesër protesta para Qeverisë

Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore njoftojnë se do të jenë në komunikim të vazhdueshëm të ndërsjellë me prodhuesin në lidhje me prokurimin e barit “trikafta” për pacientët me fibrozë cistike, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, kanë mbajtur sot një takim për të siguruar mjete financiare për blerjen e ilaçit. Terapia, siç informuan ata, fillimisht është për tetë pacientë në gjendje më të rëndë, ndërsa aspirata është që gjatë këtij viti të sigurohen ilaçe për 30 pacientë.

Pas takimit, Sali tha se shpreson që në një të ardhme të afërt me të gjitha ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Prokurim Publik dhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me prokurimin e barnave dhe me sigurimin e mjeteve financiare do të sigurohet terapi për këta pacientë.

Ai do të iniciojë ndryshime gjatë javës së ardhshme dhe shpreson që ato të mbështeten në Kuvend.

“Në pjesën e çmimeve, nuk ka ende çmim përfundimtar specifik. Kemi informacion fillestar për çmimin e një trajtimi për një pacient në vit, por çmimi përfundimtar mbetet të merret nga prodhuesi”, tha Sali.

Ministri Besimi tha se do të gjendet një zgjidhje që ky bar të blihet direkt nga prodhuesi sepse është i shtrenjtë.

Ndërkohë Asociacioni për fibrozë cistike nuk u beson premtimeve gojore të ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali se do të prokurohet medikamenti “trikafta” dhe mbetet në qëndrimin se nesër në orën 12 do të protestojnë para Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button