Ministri Bekteshi i kërkoi falje gazetares së televizionit Kanal 5, pasi i tha se bën pyetje për gazetarë të tjerë

Ministri Kreshnik Bekteshi i ka kërkuar falje gazetares së televizionit Kanal 5, Katerina Kapkoska, pasi dje, të njëjtës i ka thënë se po parashtronte pyetje në emër të kolegëve të tjerë gazetarë në vend që të përgjigjet në pyetjen konkrete me interes publik, përkatësisht rritjes së çmimit të gazit natyror, të cilën e ka parashtruar gjatë konferencës për media në Qeverinë e RMV-së, transmeton Portalb.mk.

“Keni bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me kolegët, ndaj ju japin pyetjet e tyre të cilat duan ti parashtrojnë… por s’ka problem…”, ka thënë Bekteshi, pas pyetjes së Kapkoskës.

Ndërkohë sot për të njëjtin veprim, ministri i ka kërkuar falje përmes një kumtese për media

“Nuk ka asnjë dyshim se gazetarët kanë një rol kyç në shoqërinë tonë, kontributi dhe puna e tyre është shumë e rëndësishme edhe në funksionimin sa më efikas dhe transparent të institucioneve shtetërore. Por, gjatë transparencës tonë, gjatë përballjes së përditshme me gazetarë për çështjet për të cilat jemi edhe kompetent mund të ndodhin edhe keqkuptime në situata të ndryshme. I kësaj natyre ishte edhe rasti i djeshëm me gazetaren Katerina Kapkovska, të cilës i kërkoj falje personalisht në rast se e kam ofenduar pa ndonjë qëllim të caktuar”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë.

Në të shtohet më tej se bashkëpunimi me çdo gazetarë do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke patur respektin më të madh për ta.

“Sa i përket televizionit Telma, kam respekt të madh për gazetarët e tyre profesionistë, por nuk do të lejojmë të biem nën presionin e kompanisë Makpetrol, e cila po përpiqet të ruaj monopolin në treg në dëm të qytetarëve përmes konfliktit të interesit. Ndryshe, krenohemi që tregu i gazit natyror në vend u liberalizua, vendim ky që është në interes të ekonomisë dhe qytetarëve, gjë që fatkeqësisht nuk është bërë që nga pavarësia e vendit”, thuhet në letrën këkimfalëse të ministrit Bekteshi.

Ndaj veprimit të Bekteshit, dje reaguan Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM).

“Zyrtarët shtetërorë janë në shërbim të opinionit dhe nuk guxon të ketë mënyrë të tillë komunikimi, e cila është jashtëzakonisht e papërshtatshme, e pahijshme, e pasjellshme dhe fyese për gazetarët, me këtë edhe për gjithë publikun të cilit duhet t’i dërgohet informacioni. Sjellja e papërshtatshme me gazetarët, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut, mund të dëmtojë besimin e bartësit të postit publik si dhe të institucionit që ata e përfaqësojnë. Kjo mund të ndikojë negativisht si në reputacionin e individit ashtu edhe të organizatës e cila potencialisht sjell pasoja të tilla si, humbjen e besueshmërisë së publikut, uljen e mbështetjes publike por edhe sanksione formale. Prandaj është e rëndësishme që ata të sillen në mënyrë të respektueshme dhe profesionale ndaj gazetarëve edhe në situata sfiduese”, thuhej në reagimin e ShGM-së.

Ata kujtojnë se ky është shpërthimi i katërt negativ i një politikani ndaj gazetarëve gjatë periudhës së kaluar ndërsa tre të parat ishin të Dimitar Kovaçevskit, Ali Ahmetit dhe rasti i djeshëm në Ministrinë e Arsimit i këshilltarit të ministrit Jeton Shaqiri.

Nga atje shtuan se liria e shprehjes si një nga të drejtat më të rëndësishme të njeriut duhet të promovohet dhe të ushqehet, por në të njëjtën kohë është e duhet të dihet se shfrytëzimi dhe e drejta e lirisë përfshijnë detyrime dhe përgjegjësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button