Haradinaj si Ilir Meta apo si Ivica Daçiq?!

Gjithnjë e më shumë po shtohen zërat lidhur me koalicionin e ardhshëm qeverisës. Analisti Halil Matoshi mendon se kreu i PDK-së, njëherësh fitues i zgjedhjeve parlamentare, Hashim Thaçi ka disa opsione për të krijuar Qeverinë e ardhshme.

Ai në emisionin “Click” në RTV21, ka thënë se nëse Thaçi zgjedh që të bëjë koalicion qeverisës me AAK-në, mund t’i kushtojë me postin e kryeministrit.

“Thaçi ka opsione për të ndërtuar qeverinë. Janë tri opsione. E para, Thaçi Qeverinë mund ta bëjë me Nismën dhe AAK-në, pra krahun e luftës. Mirëpo kjo mund t’i kushtojë Thaçit, pasi që Haradinaj ka kërkuar postin e kryeministrit”. “E dyta, PDK-LDK, e cila mund të ishte qeverisje stabile por nuk e di sa cilësore”. “Dhe, opsioni i tretë, bllokada nga blloku opozitar dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Por kjo nuk do të ishte në të mirë tonën pasi që kosto është e madhe”, ka thënë Matoshi.

Duket se pozicioni i Ramush Haradinajt në këtë rast i ngjan atij të para dy viteve ku Ivica Daçiq u bë kryeministër i Serbisë me 14.5 për qind të votave. Me këtë numër të votave, Daçiq ia zuri karrigen aso kohe kryeministrit aktual, Aleksandar Vuçiq edhe pse fituese e zgjedhjeve doli SNS-ja e Vuçiqit me mbi 40 për qind të votave.

Opsioni tjetër që është përfolur shumë ai që Ramush Haradinajt ta merr postin e kryetarit të Kuvendit, kurse Hashim Thaçi të vazhdojë të jetë kryeministër.

Një model i tillë i AAK-së dhe Haradinajt është i ngjashëm me atë të LSI-së së Ilir Metës. Meta me partinë e tij është bërë “kingmaker” në Shqipëri. (Termi kingmaker i referohet personit ose grupit që ka ndikim të madh në politikë, duke iu dhënë zgjidhje ngërçeve që dalin përpara).

Meta ka qenë vendimtar që Sali Berisha të jetë kryeministër i Shqipërisë në mandatin e fundit, e këtë e bëri edhe Edi Rama duke e futur Metën brenda për të arritur fitore kundrejt Berishës dhe PD-së.

Nëse nuk shkohet në koalicionin e gjerë PDK-LDK, atëherë Thaçi opsionin e vetëm e ka koalicionin me Haradinajn dhe pakicat, eventualisht edhe Nismën e Fatmir Limajt. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button