RMV, fëmijët romë mbeten rrugëve, MPPS arsyetohet se punon për përfshirjen e tyre në institucione

“Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore dhe të vazhdojë përmirësimi dhe mbështetja për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve”, ishte kërkesa e KE-së në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, pavarësisht kësaj kërkese, Minisitria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS) arsyetohet se për përfshirjen e fëmijëve romë në institucionet publike, po punojnë 15 vite me radhë. Megjithatë, edhe pas një dekadë e gjysmë, rezultatet janë të dobëta. Fëmijët romë edhe më tej janë pre e trafikimit dhe keqpërdorimit për përfitime materiale, transmeton Portalb.mk.

“Sa i përket arsimit parashkollor, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Fondin edukativ rom (REF) për 15 vite me radhë e zbaton projektin Përfshirja e fëmijëve romë në institucionet publike komunale – kopshte. Viti shkollor 2021/2022 është viti i katërt radhazi ku me konkluzion të Qeverisë fëmijët romë të rrezikut social përfshihen në arsimin parashkollor me përjashtim nga participimi (përmes një zgjidhjeje sistematike, përmes bllok-dotacioneve të dhëna nga MPPS komunave) në kuadër të projektit Përfshirja e fëmijëve romë në JOUDG. Numri i fëmijëve romë të regjistruar në nivel kombëtar është 462 fëmijë nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të përfshirë në kopshte, 36711 fëmijë, që është 1.25%”, thuhet në përgjigjen e MPPS-së për Portalb.mk.

Në kuadër të projektit, nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të regjistruar në nivel kombëtar, fëmijët romë të mbuluar përmes lirimit nga participimi është 247 në 20 komuna me rrezik social (Berovë, Manastir, Vinicë, Prilep, Çair, Dellçevë, Koçan, Kumanovë, Veles, Gazi Babë, Pehçevë, Dibër, Qendër, Kavadar, Negotinë, Kriva Pallankë, Radovish, Karposh, Tetovë dhe Gostivar).

Për sa i përket qasjes në arsimin cilësor për fëmijët parashkollor, MPPS thotë se në këtë drejtim është punuar përmes projektit IPA “Ngritja e cilësisë së edukimit dhe kujdesit parashkollor”.

“Ekipi i projektit, me mbështetjen e grupit të punës dhe praktikantëve të kopshteve, përcaktoi standardet e kualifikimeve dhe kompetencave për drejtorët, kujdestarët, punëtorët profesionistë dhe bashkëpunëtorët profesional të punësuar në kopshte dhe zhvilloi një metodologji, procedura dhe instrumente për menaxhimin e zhvillimit profesional, si dhe mekanizma për ofrimin e mbështetjes së qëndrueshme financiare për zhvillimin profesional të punonjësve në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve parashkollorë. Është zhvilluar edhe një koncept i procedurave dhe hapave për akreditimin e programeve të trajnimit dhe ofruesve të shërbimeve për zhvillimin profesional të të gjitha profileve profesionale të punësuar në kopshte. U hartuan udhëzime për mënyrën dhe format e ofrimit të mentorimit të kursantëve në kopshte dhe u zhvilluan punëtori online me 880 praktikues nga profile të ndryshme profesionale për organizimin e skemës së mentorimit dhe zhvillimin e një programi të individualizuar të mentorimit. Një model për zhvillimin e karrierës, bazuar në standarde të përcaktuara, u hartua për çdo profil profesional dhe u organizuan 6 sesione informative online me 180 praktikues për të prezantuar sistemin e ri të promovimit”, thonë nga MPPS.

Lypës, Kumanovë
Lypës në rrugë, RMV

Nga kjo ministri theksojnë se ka filluar me ofrimin e mbështetjes teknike për të gjitha palët e interesuara në mënyrë që të realizohet me sukses procesi për zhvillim profesional dhe karrierë në sektorin e kujdesit dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë.

“Është krijuar platforma Eduino, e cila fillimisht ishte menduar vetëm për parashkollorët, por si rezultat i kovid-19, kjo platformë u zgjerua për të përfshirë arsimin fillor dhe të mesëm. Për momentin, Eduino ka mbi 400 lojëra për fëmijë të moshës 3-10 vjeç, mbi 330 video leksione për edukimin parashkollor, webinarë dhe materiale të tjera edukative. Së shpejti në Eduino do të hapet një seksion i posaçëm për zhvillim profesional, ku do të ofrohen trajnime online për pedagogë dhe personel tjetër mësimdhënës. Kompetencat për edukatorët janë zhvilluar për të mbështetur procesin e zhvillimit profesional dhe në karrierë. U krijua një rrjet prej 190 edukatorësh mbështetës të bashkëmoshatarëve, të cilët trajnuan edukatorë të tjerë gjatë një periudhe 4-mujore për t’i ndihmuar ata të rrisin aftësitë e tyre të zhvillimit social dhe emocional dhe t’ua transferojnë të njëjtat fëmijëve të kopshtit. Aktualisht janë duke u zhvilluar trajnime për krijimin e komuniteteve profesionale të të mësuarit, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të edukatorëve”, theksojnë nga Ministri.

Në vitin 2020, Qeveria, me ndihmën e Bankës Botërore, filloi procesin e zbatimit dhe përshtatjes së një instrumenti për matjen e zhvillimit të hershëm të fëmijërisë përmes analizës së cilësisë dhe rezultateve të mësimit të hershëm, të quajtur MELQO (Measuring Early Learning Quality and Outcomes). Nga i gjithë procesi do të dalin rezultate dhe konkluzione në lidhje me atë që duhet ndryshuar në sistemin e kujdesit, edukimit dhe arsim parashkollor, si dhe të dhëna që do të jenë bazë dhe pikënisje për krahasim me të dhënat që do të përftohen në matjet e mëtejshme me këtë instrument të parashikuar në 2022 dhe 2023.

“Gjithashtu, në kuadër të projektit do të financohet edhe ndryshimi i formulës për financim të sistemit për edukim dhe përkujdesje, me çka do të ndryshohet edhe shuma e paguar nga prindërit. Qëllimi është që familjet më të varfra dhe prindërit vetëushqyes të paguajnë më pak, përkatësisht të përjashtohen nga pagesa. Në këtë mënyrë, me rritjen e rrjetit të çerdheve në mbarë Maqedoninë, planifikojmë të rrisim gjithëpërfshirjen e fëmijëve në çerdhe. Poashtu, përmes projektit të Bankës Botërore, u zhvillua një Propozim program për ndryshimin e arsimit fillestar të edukatorëve”, nënvizojnë nga MPPS.

Rezultate shumë të dobëta

Mirëpo, pavarësisht argumenteve të lartcekura dhe periudhës një dekadë e gjysmë, siç thonë, për projektin e përfshirjes veçanërisht të fëmijëve rom në procesin parashkollor, sërish të njëjtit mbeten më të margjinalizuar dhe më të keqpërdorur nga trafikantët e qenieve njerëzore. Në pothuajse të gjitha qytetet e Maqedonisë, ka fëmijë të cilët enden rrugëve, e që më së shumti i përkasin komunitetit rom. Në vende të zhvilluara, në të tilla raste, prindërve iu merret e drejta e kujdestarisë së fëmijëve, por në Maqedoni ata janë lypës, të keqpërdorur dhe të detyruar nga rrethana të ndryshme të sigurojnë vetë jetesën.

Lypës në rrugë, RMV

Komisioni Evropian si edhe viteve të kaluara kërkoi:

  • Përmirësim qasjeje në arsimin cilësor për të gjithë, në veçanti për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore dhe të vazhdojë përmirësimi dhe mbështetja për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.

Kujtojmë se Kapitulli 25 është një nga kapitujt e rrallë, që vendi i ka zbatuar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar dhe këtë vit ka rekomandime të reja.

Për dallim nga ky kapitull, gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut nuk bëri asnjë progres në Kapitullin 8 – Politika e konkurrencës. Vendit iu rekomandua që të forcojë kapacitetet administrative dhe financiare, të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore dhe të harmonizojë legjislacionin zbatues në ndihmën shtetërore. Ndërkohë, kapitulli –  Shërbimet financiare ka shënuar progres në lidhje me përafrimin e pjesshëm me acquisin e BE-së për përfundimin e shlyerjes dhe për letrat me vlerë dhe fondet e investimeve, sidoqoftë, përsëri rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe një pjesë e rekomandimeve vlejnë edhe për këtë vit. Përparim të kufizuar, vendi shënoi edhe me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit e buxhetit si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dhe miratimin e ligjit të ri organik të buxhetit në shtator 2022.

KE-ja vlerësoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të mbuluara nga Klasteri 2 në tregun e brendshëm, përkatësisht lëvizja e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pronësisë intelektuale, politikës së konkurrencës, shërbimeve financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit. Në Kapitullin 1, BE-ja thekson qartë  se vendi nuk ka pasur progres në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. E njëjta gjë nënvizohet edhe për Kapitullin 2, ndërsa Kapitulli 3 ka pasur progres të kufizuar.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button