BE-ja miratoi ndihmë tjetër ushtarake prej 545 milionë eurosh për Ukrainën, paketë e re sanksionesh për Rusinë

Bashkimi Evropian miratoi sot një tjetër ndihmë ushtarake prej 545 milionë eurosh për Ukrainën, duke e çuar mbështetjen totale për ushtrinë ukrainase në 3,6 miliardë euro, transmeton Anadolu.

Vendet anëtare të BE-së dhanë dritën jeshile për paketën e shtatë prej 500 milionë eurosh në kuadër të Lehtësimit Evropian të Paqes, njoftoi Këshilli i Bashkimit Evropian në një deklaratë për shtyp.

“BE-ja po rrit mbështetjen e saj për Ukrainën për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe për të mbrojtur popullsinë civile kundër luftës së vazhdueshme ruse të agresionit”, thuhet në dokument.

Vendimi erdhi përpara samitit të 24-të BE-Ukrainë, i cili do të zhvillohet të premten në kryeqytetin ukrainas Kiev.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe 15 komisionerë të BE-së, përfshirë shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kanë mbërritur tashmë në Kiev për të zhvilluar bisedime me homologët e tyre nga qeveria ukrainase.

Përveç mbështetjes prej 500 milionë eurosh, shtetet anëtare të BE-së miratuan gjithashtu një “masë të re ndihme prej 45 milionë eurosh që mbështet përpjekjet stërvitore të Misionit të Ndihmës Ushtarake të Bashkimit Evropian në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.

Fondi i ri do të mbulojë pajisjet jovdekjeprurëse, furnizimet dhe shërbimet për ushtarët ukrainas të trajnuar nga BE-ja.

Sipas informacioneve të marra nga Anadolu, Borrell pritet të shpallë një objektiv të ri për misionin e trajnimit ushtarak të BE-së, ku do të përfshihen 15.000 ushtarë, krahas 15.000 trupave aktuale.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë ofruar 50 miliardë euro në mbështetje të drejtpërdrejtë për Ukrainën.

Ajo përfshin afërsisht 12 miliardë euro ndihmë ushtarake, e cila përbëhet nga 3,6 miliardë euro në fonde të BE-së në kuadër të Lehtësimit Evropian të Paqes dhe mbështetje dypalëshe nga shtetet e saj anëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE do të shpalosë paketën e 10-të të sanksioneve kundrejt Rusisë deri më 24 shkurt, që është përvjetori i fillimit të luftës në Ukrainë transmeton Anadolu.

Von der Leyen, përpara samitit BE-Ukrainë që do të mbahet në Kiev, bëri një deklaratë të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Pasi njoftoi se shumica e drejtuesve të nivelit të lartë të BE-së ndodhen në Kiev për samitin e nesërm, von der Leyen u shpreh: “Prania jonë sot në Kiev jep një sinjal shumë të qartë. E gjithë BE-ja ka qëndruar përkrah Ukrainës për një kohë të gjatë dhe do të qëndrojnë pranë Ukrainës për sa kojë që mbrojmë të drejtat themelore dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”.

Ajo tha se mesazhi i parë që duam të japim është garantimi i sigurisë ekonomike të Ukrainës.

“Në përgjithësi mbështetja ekonomike, humanitare dhe ushtarake që Bashkimi Evropian ka dhënë që nga fillimi i luftës për Ukrainën ka arritur në 50 miliard euro”, tha von der Leyen.

BE-ja mbështet edhe sigurinë energjetike të vendit, theksoi von der Leyen, duke shtuar se që nga kjo javë janë dërguar 2.400 gjeneratorë shtesë, si dhe 35 milionë ampula LED.

“Ne do të sigurojmë mbi 150 milionë euro mjete për blerjen e pajisjeve të energjisë që kanë rëndësi jetike për Ukrainën”, shtoi më tej von der Leyen.

Von der Leyen theksoi se një prej çështjeve të rëndësishme në rendin e ditës është rindërtimi i Ukrainës dhe se si vende të grupit G7, është formuar platforma e koordinimit.

“Platforma do të ndihmojë për koordinimin e ndihmës ndërkombëtare dhe do të mbështesë agjendën tuaj të reformave”, tha Von der Leyen, duke nënvizuar se sekretariati i platformës do të jetë edhe në Kiev, edhe në Bruksel.

“Rusia do të mbesë e detyruar që të paguajë çmimin e shkatërrimit në Ukrainë dhe të kontribuojë për rindërtimin e Ukrainës”, tha Von der Leyen, duke shtuar se me partnerët e BE-së po hulumtojnë se si asetet publike të Rusisë të mund të përdoren në dobi të Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian po ashtu në fjalën e saj tha se “me partnerët tanë G7 do të vendosim një kufi shtesë të çmimit për produktet e naftës ruse dhe synojmë që deri më 24 shkurt (përvjetori i luftës) të vendosim në zbatim pekon e 10-të të sanksioneve”.

Von der Leyen informoi se prokurorët e BE-së dhe Ukrainës po punojnë së bashku dhe po mbledhin prova.

“Si hap i parë, kam kënaqësinë të njoftoj se në Hagë do të krijohet një qendër ndërkombëtare për ndjekjen penale të kriminelëve të agresionit në Ukrainë. Kjo qendër do të koordinojë mbledhjen e provave që do të paraqiten ndaj ekipit të përbashkët të hetimit të mbështetur nga Eurojust. Në këtë mënyrë do të jemi të gatshëm të fillojmë të punojmë vetëm me Ukrainën, Eurojust, ekipin tonë të përbashkët të hetimit dhe Holanda”, tha ajo.

BE dhe administrata e Ukrainës nesër do të takohen në Kiev në samitin i cili do të mbahet për herë të parë që nga fillimi i luftës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button