Ministri i Jashtëm hungarez i quan “të parëndësishme” pikëpamjet e ambasadorit amerikan

Ministri i Jashtëm hungarez akuzoi të enjten ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Budapest se po përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Hungarisë, raporton REL.

Në një konferencë për media në Budapest, ministri i Jashtëm Peter Szijjarto kritikoi komentet e ambasadorit David Pressman, i cili iu referua qasjes së Hungarisë ndaj luftës në Ukrainë si mbështetje të “politikave të miratuara nga Putini”.

Szijjarto tha se është “plotësisht e parëndësishme ajo që Pressman apo ndonjë ambasador tjetër mendon për procesin e brendshëm politik në Hungari, sepse nuk ka të bëjë fare me të”.

“Nuk është vendi i tij të ndërhyjë në punët e brendshme të Hungarisë”, tha Szijjarto.

Pressman, i emëruar ambassador nga administrata e Bidenit, i cili më parë shërbeu si ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara për Çështjet e Posaçme Politike, është përballur përplasje të tilla që nga marrja e detyrës si përfaqësues i SHBA-ve në Hungari në gusht të vitit të kaluar.

Mediat locale, të afërta me qeverinë e krahut të djathtë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, kanë akuzuar diplomatin për “ndërhyrje në gjyqësorin e Hungarisë dhe për nxitje të kolonializmit amerikan”.

Që nga marrja e detyrës, Pressman ka qenë i zëshëm sa i përket ndjenjave anti-amerikane në Hungari dhe për hezitimin e qeverisë së Orban për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Në një postim në Twitter në janar, Pressman pyeti: “Çfarë dobie i sjell Hungarisë dhe hungarezëve mbrojtja e oligarkëve rusë nga sanksionet?”

Megjithatë, qeveria e Hungarisë, e cila kishte një marrëdhënie miqësore me administratën amerikane nën ish-presidentin Donald Trump, ka këmbëngulur se sanksionet po dëmtojnë vendet evropiane më shumë se Rusinë dhe deklaroi se vetëm negociatat midis Moskës dhe Uashingtonit – dhe jo tërheqja e trupave ruse nga Ukraina – mund t’i japë fund luftës.

“Ajo epokë ka mbaruar. Hungaria është një vend sovran”, tha Szijjarto. “Askush nga jashtë nuk mund të na thotë se si të jetojmë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button