Varri i Goce Dellçevit si fushë për konflikt midis popujve dhe destabilizim të Maqedonisë

Goce Delçevi e ka kuptuar botën si një fushë për garë kulturore midis popujve. Një shekull e gjysmë nga lindja e tij dhe 120 vite nga vdekja e tij, ato që me gjasë e festojnë ekzistimin e tij, e përdorin vendin e prehjes së tij të përjetshme si fushë për konflikt midis popujve dhe një destabilizim të mundshëm të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Disa ditë para se të shënohen 151 vite nga lindja e Dellçevit, rrjetet sociale janë plot me mesazhe nacionaliste, thirrje për aksion, mbrojtje të ndjenjave kombëtare dhe patrullime nate.

Grupi i tifozëve “Komitët” e klubit futbollistik “Vardar”, nëpërmjet një transparenti bëri thirrje tek anëtarësia e tyre për “aksion”, siç thonë, për “dhaskalin që e bashkoi të gjithë kombin”. Paraprakisht, “Instituti patriot” i VMRO-DPMNE-së opozitare, lajmëroi “patrullim heroik” në varrin e viganit në Shkup duke i thirrur anëtarët që në numër sa më të madh të vijnë para kishës “Sveti Spas”.

Nga ana tjetër, nga Bullgaria, politikanë ekstremë pro rusë njoftuan prezencën e tyre në ditën e shënimit të vdekjes së viganit. Organizata të caktuara bullgare, gjithashtu njoftuan prezencë të dhjetëra qytetarëve të Bullgarisë në Shkup.

Gjatë kremtimit të shtunën është njoftuar prezenca e presidentit Stevo Pendarovski, kryeministrit Dimitar Kovaçeski, zëvendës kryeministrit Artan Grubi, ministres së mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministres së kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska. Prezencën e tij e njoftoi edhe lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski.

Ministri i punëve të brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, mbrëmë në Televizionin e Maqedonisë tha se nderimi i Goce Dellçevit të shtunën nuk guxon të jetë kurrfarë nderimi politik.

Sipas tij, më e rëndësishme është të bëhet një organizim i mirë dhe të ketë nderim ashtu siç i ka hije Dellçevit. Spasovski apelon për një grumbullim të qetë në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Sveti Spas”.

“Ai është vigan i popullit maqedonas. Prandaj duhet çdokush nga ne të japë kontributin e tij që ky nderim të jetë kombëtar, dinjitoz dhe pa asnjë problem, pa krijuar edhe më tej tensione politike dhe konflikte për shkak të interesave politike, retorikës politike etj”, theksoi Spasovski.

Ai vlerësoi se ajo që është duke u zhvilluar është një luftë hibride për tu shkaktuar tensione, e kjo nuk i konvenon askujt.

“Duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm si njerëz para së gjithash, si politikanë të nderojmë në mënyrë dinjitoze, ndërsa MPB-ja i ndërmerr dhe do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që kjo ngjarje të kalojë më së miri dhe të ruhet siguria, rendi dhe qetësia publike që janë prioritet i lartë për ne si institucione”, tha Ministri.

Zëvendës sekretari kryesor i MPB-së bullgare, Stanimir Stanev në televizionin bullgar BTV, dje tha se Ministria e punëve të brendshme e Bullgarisë është e gatshme të dërgojë policët e tyre në Shkup për të siguruar nderimin e Goce Dellçevit të shtunën, nëse i dërgohet kërkesë për këtë nga MPB-ja e Maqedonisë.

Gjatë ceremonisë para kishës “Sveti Spas” kishte huliganë anëtarë të grupit të tifozëve “Komitët” nga Shkupi, kryesisht adoleshentë që bërtisnin “tradhtarë”.

Nuk është hera e parë që politikanë të dy vendeve ta nderojnë Goce Dellçevin. Edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2019 kryeministrat e mëparshëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov dërguan lule në varrin e Dellçevit në kishën “Sveti Spas”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button