Debati për Kosovën në Kuvendin serb vazhdon sot

Seanca e posaçme në Kuvendin e Serbisë, ku po diskutohet për Kosovën, do të vazhdojë sot (3 shkurt), në orën 11:00. E njëjta dje u përcoll me përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, raporton REL.

Vuçiq në këtë seancë ka folur për planin evropian – apo franko-gjerman – për normalizimin e raporteve me Kosovën, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë”.

Gjatë seancës, deputetët e opozitës kanë brohoritur slogane sikurse “Tradhti”, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”. Ata po ashtu mbanin pankarta me mbishkrimin “Jo kapitullimit”.

Në nisje të debatit, Vuçiq tha se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.

“Qëllimi është të dal para jush dhe qytetarëve dhe sinqerisht dhe haptazi të ndaj atë që na pret dhe çfarë po përballemi”, tha Vuçiq në Kuvend.

Më 2 shkurt, Kuvendi serb po debaton për raportin e Qeverisë në Beograd lidhur me negociatat me Kosovën.

Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Në mesin e tyre është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Seanca plenare po mbahet pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçiq tha se nuk guxon të tregojë të gjithë planin evropian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se ekipit diplomatëve evropianë dhe amerikanë, me të cilët ka biseduar më 20 janar në Beograd, i ka thënë se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.

“Ka edhe gjëra të mira në plan, nuk do të flas për to”, shtoi ai.

Propozimi i BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Plani nuk është bërë publik, por u është prezantuar palëve.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Vuçiq konfirmoi se 90 për qind e asaj që është bërë publike për përmbajtjen e planit është e saktë.

“Në pikën 4, në paragrafin e dytë, shkruhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiq tha se politika e Serbisë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit me çdo kusht.
“Le të përmbahemi dhe të mos përgjigjemi ndaj provokimeve nëse nuk kërcënohen jetët dhe pronat e njerëzve”, theksoi ai.

Ai përmendi edhe sigurinë për serbët në Kosovë dhe tha se Beogradi do të insistojë, siç tha ai, në formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë përsëriti atë që i thanë diplomatët evropianë dhe amerikanë gjatë takimit në Beograd më 20 janar, se do të ketë pasoja nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën.

“Më kanë thënë se do të përballeni me pezullimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si ata që nuk janë dakord me BE-në duhet të largohen”, tha Vuçiq.

Në fund të fjalës së tij në Kuvend, Vuçiq deklaroi se nëse Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, Kushtetuta e Serbisë do të jetë për të “libër i shenjtë”.

“Në mes të qëndrimit tim në pushtet, në mandatin e garantuar me Kushtetutë, e di se çfarë duhet të bëj, sepse nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit apo Serbisë. Unë do të zgjedh Serbinë”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button