Escobar: Maqedonia e Veriut në mënyrë të parezervë është përfshirë në mbështetjen e Ukrainës

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit të SHBA-së dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin në Uashington me zëvendëskryeministren përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Gërkovska, siç njofton qeveria e Maqedonisë, ka deklaruar se përveç hapave të ndërmarrë nga qeveria për arritjen e qëllimeve strategjike të shtetit, si anëtare e NATO-s, është e përfshirë pa rezerva në mbështetjen e Ukrainës nga çdo aspekt, si me donacione ashtu edhe duke u kujdesur për refugjatët viktima të agresionit rus, transmeton Portalb.mk.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-në për Maqedoninë e Veriut është i një rëndësie thelbësore dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që SHBA-të na japin, veçanërisht në fushën e përballjes me korrupsionin, si një nga prioritetet më të rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe ekonomikisht të fortë. Zëvendëskryeministrja Gërkovska e informoi zëvendësndihmës sekretarin shtetëror Escobar për aktivitetet që ka iniciuar Kabineti për qeverisje të mirë dhe çfarë do të vijë në drejtim të luftës kundër korrupsionit, qeverisjes së mirë dhe digjitalizimit.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, me indeks 40, u rendit e 85-ta në Raportin e publikuar disa ditë më parë të Transparency International (TI) për Perceptimin e Korrupsionit. Përveç kësaj, thuhet se mungesa e integritetit në përzgjedhjen e figurave kyçe në gjyqësor dhe menaxhimi joefektiv i rasteve të vazhdueshme kundër korrupsionit po minojnë përpjekjet e autoriteteve në drejtimin e duhur. Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut kishte një indeks prej 39 dhe ishte në vendin e 87-të.

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

“Miqësia” mes gjyqësorit dhe korrupsionit

Ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, edhe gjatë vitit paraprak, gjegjësisht 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.

Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.

Por, sipas Komisionit për Antikorrupsion ardhja e këtij ekipi nënkupton dështim për politikën e Maqedonisë së Veriut, pasi ne nuk i kemi kryer detyrat. “Të të vijë në atë nivel ekip nga Amerika, është ta prekësh fundin”, thanë nga Antikorrupsioni.

Edhe StevoPendarovski, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend u ndal te ardhja e ekipit amerikan, i cili tha se, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjos korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë. Ai theksoi se nuk do të ketë drejtësi derisa kriminelët nuk i vendosim në burgje të mbyllura dhe derisa gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar janë në liri.

Procese të papërfunduara

Pavarësisht se kanë kaluar 3 vite, gjyqësori ende nuk e ka mbaruar gjykimin për rastin tragjik të Llaskarcës ku humbën jetën 16 persona.

Procesi gjyqësor për djegien e Spitalit Modular të Tetovës në vitin 2021 ku humbën jetën 14 persona, ka filluar, por vazhdimisht anulohet.

Njëkohësisht, ka nisur procesi gjyqësor për “Besa Transin”, autobusi i të cilit u aksidentua dhe u dogj në një autostradë të Bullgarisë dhe ku humbën jetën 45 persona. Pronari akuzohet se ka falsifikuar licencën e autobusit, ndërkaq gjykimi sapo ka filluar, 1 vjet pas aksidentit. Në ndërkohë Prokuroria bullgare e përfundoi hetimin për aksidentin tragjik dhe sipas tyre shoferi ka humbur kontrollin e autobusit.

Gjatë vitit 2022, Prokuroria ngriti aktakuzë kundër ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Lidija Dimova dhe dy personave tjerë, pasi që dyshohet se kanë shpërdoruar 320.000 euro para evropiane.

Pas Dragi Rashkovskit i cili vazhdon të ndodhet në bankën e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare të sekretarit të Qeverisë, edhe sekretari pasardhës i Qeverisë, Muhamed Zekiri dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të Qeverisë pasi Prokuroria ngriti procedurë hetimore dhe më pas akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gazetarët hulumtues të IRL-së e publikuan dokumentarin “Gjaku i pistë” në të cilin thuhej se Klinika “Zhan Mitrev” ka bërë eksperiment të paligjshëm me pacientët dhe i ka “rrjepur” financiarisht qytetarët. Për këtë Prokuroria ngriti procedurë hetimore.

Policia Financiare ka dorëzuar padi penale kundër shtatë personave për shitjen e parcelave EVN-së në Dellçevë për ndërtimin e centraleve fotovoltaike. Shtatë personat, dy prej të cilëve drejtues në EVN, janë mes vete familjarë dhe miq. Ata, një tokë që kushtonte 35.000 euro ia kanë shitur EVN-së 1.6 milion euro.

Ndryshe, nëse ndiqen kritikat e Raportit të Komisionit Evropian në raportin vjetor 2022 ku ka theksuar se buxheti për gjyqësor është i pamjaftueshëm dhe kjo cenon pavarësinë dhe pavarësinë e tij, atëherë mund të pritet dhe rrijte të buxhetit. Ata gjithashtu kanë obliguar autoritetet e vendit që të ndërmarrin veprime për përmirësimin e gjendjes me burimet njerëzore në gjyqësor.
Gjatë vitit të ardhshëm, gjithashtu autoritetet duhet të ndërmarrin masa edhe për efikasitetin e gjyqësorit që lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të RMV-së. “Vetingu” apo verifikimi i gjyqësorit është një prej “zgjidhjeve” për pastrimin e tij, i cili ndër vite përmendet nga aktorët në vend, por ende nuk ka ndonjë angazhim konkret në praktikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button