Kurti: Asociacioni njëetnik – i pamundur në Kosovën shumetnike

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se “Asociacioni një etnik në Kosovën me kushtetutë shumë etnike, nuk është i mundshëm”. Ky qëndrim që u shpreh gjatë një vizite në një fabrikë në komunën e Ferizajt, është përgjigja më e fortë ndaj trysnisë diplomatike perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Zëri i Amerikës.

Komentet e kryeministrit Kurti pasuan takimin e një ditë më parë të organizuar nga ambasada amerikanë në Prishtinë me një grup zyrtarësh qeveritarë, përfaqësuesish të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar rreth Asociacionit.

Duke theksuar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, Kurti tha se është i gatshëm të përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice tjetër.

“Mirëpo nuk mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë neve për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz edhe në të mira materiale”, tha ai.

Nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të këtë zgjidhje njëetnike, “le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”, tha kryeministri Kurti.

“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia i kanë arritur 33 marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe asnjëra nuk mund të trajtohet me përparësi.

Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit.

“Ju dini shumë mirë që në Bosnje e Hercegovinë ka një Republikë Serbe. Bosnjën e Hercegovinën de jure Serbia e njeh, por de fakto e saboton për ditë, pra edhe një shteti që ia ka pranuar pavarësinë vetëm shikojeni çfarë po i bën”, tha kryeministri Kurti.

Shtetet e Bashkuara kanë siguruar Kosovën se nuk do të mbështesin krijimin e një mekanizmi si në Bosnjë, ndërsa kanë theksuar se koha për themelimin e asociacionit është tani.

“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës…ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Serbe në Bosnje Hercegovinë”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button