SHBA dhe Koreja e Jugut shfaqën forcën ushtarake ndaj Veriut

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë kryer stërvitje të përbashkëta ajrore, ku është përfshirë edhe një bombardues strategjik amerikan dhe avionët luftarakë, me qëllim të përgjigjes ndaj kërcënimeve që paraqet Koreja e Veriut, transmeton REL.

Avionët kryen stërvitje më 1 shkurt në Detin e Verdhë – që gjendet midis Kinës dhe Gadishullit Korean – dhe kjo është stërvitja e parë e këtij lloji që është kryer gjatë këtij viti, tha ushtria jugkoreane.

Kjo shfaqje e forcës ushtarake vjen një ditë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe homologu i tij nga Koreja e Jugut, paralajmëruan për rritjen e stërvitjeve të tilla dhe për thellim të bashkëpunimit të sigurisë midis dy aleatëve, për shkak të rritjes së kërcënimeve raketore dhe bërthamore që po vijnë nga Phenjiani.

Në stërvitjet e fundit u përfshi bombarduesi B-1B dhe avionët luftarakë të llojeve F-22 dhe F-35B nga forcat ajrore amerikane dhe avionë luftarakë F-35A nga ushtria jugkoreane, raportoi agjencia Yonhap.

“Stërvitjet ajrore të kombinuara këtë radhë treguan vullnetin dhe aftësitë e SHBA-së për të ofruar një qëndresë të fuqishme ndaj kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut”, citohet të ketë thënë Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Veriut.

Tensionet ushtarake në Gadishullin Korean u rritën shumë në vitin e kaluar, me Korenë e Veriut që kreu një numër rekord të testimeve të armëve, përfshirë edhe të raketës më të avancuar balistike ndërkontinentale.

Çdo stërvitje të përbashkët ushtarake midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut, Veriu e sheh si përgatitje për pushtim dhe shpesh përgjigjet me kërcënime dhe stërvitje ushtarake.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button