Trajtimi joefikas i lëndëve gjyqësore, problem që përcjell Maqedoninë e Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të befasuar nga rezultati që ka shënuar shteti i tyre në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Trasparency International, raporton REL. Këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.

Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, para Maqedonisë së Veriut është Mali i Zi dhe Kosova, përderisa me rezultate më të këqija mbeten Shqipëria dhe Serbia.

Qytetarët thonë se përderisa sistemi gjyqësor drejtohet nga persona të afërt me partitë politike në pushtet, është shumë e vështirë që personat e korruptuar të përballen me drejtësinë.

“Aplikova për banesë sociale, komisioni erdhi dhe e pa se në çfarë gjendje të vështirë jetoj, gjithashtu konfirmuan se jam i papunë me kurrfarë të ardhurash. Anëtarët e komisionit i ngritën krahët, kur i pyeta se pse emri im nuk është në listën e përfituesve të banesave sociale. Gjithçka shkon me miq dhe bakshishe. Nuk ke ku të ankohesh”, thotë Berkand Jashari, duke shpjeguar se nuk ka bërë ankesë pasi nuk u beson institucioneve për të gjetur drejtësinë.

Edhe Millan Josifovski, pensionist, pretendon se pothuajse asnjë punë nuk mund ta kryesh nëse nuk ke të njohur në institucione.

“Nuk e di se çka është puna. Vitet kalojnë dhe ne mbetemi në vendnumërim. Kishim shumë shpresa te socialdemokratët e (ish-kryeministrit, Zoran) Zaevit se, pas grilave do shkojnë të gjithë ata që kanë keqpërdorur pozitat udhëheqëse. Por për fat të keq kjo nuk ndodhi” thotë ai.

Integriteti i diskutueshëm i gjykatësve rrit mosbesimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor

Në raportin e Transparecy International për këtë vit përmendet se mungesa e integritetit gjatë zgjedhjes së figurave kyçe në gjyqësor, trajtimi joefikas i rasteve kundër korrupsionit në nivele të larta, por dhe mungesa e integritetit gjatë zgjedhjes së gjykatëse dhe prokurorëve, janë apostrofuar si pika të errëta që pengojnë arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut.

“Që të sigurohet përgjegjësia dhe të tregohet vullnet i vërtetë në luftën anti-korrupsion, Qeveria duhet që në mënyrë adekuate të sigurojë resurse dhe të mundësojë pavarësinë e Komisionit kundër Korrupsion dhe të institucioneve përgjegjëse për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Sllagjana Taseva, nga dega e Transparency International në Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi janë intensifikuar thirrjet e faktorit ndërkombëtar, kryesisht nga ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler për inicimin e lëndëve të ngritura kundër rasteve që kanë të bëjnë me korrupsion të lartë.

Bashkim Selmani, ish-gjykatës, aktualisht ligjërues i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo do të mund të arrihet vetëm nëse gjyqësori kontrollohet nga një ekip i ekspertëve të huaj.

“Zgjidhja e vetme për të zhbllokuar gjyqësorin nga ndikimi i politikës do të ishte që Bashkimi Evropian, paralelisht me procesin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane, të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në bazë të resurseve të ekspertëve. Në këtë rast një prokuror ndërkombëtar do të duhej të merrte në kompetencë të vet lëndët e korrupsionit në nivel të lartë dhe krahas kësaj do të duhej të formonte dhe një trup të gjykatësve që do t’i çonte deri në fund këto lëndë. E vetmja zgjidhje pra do të ishte një prokuror ndërkombëtar, siç ishte rasti me Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe një trup i gjykatësve që do të monitorohej nga ekspertët ndërkombëtarë”, thotë Bashkim Selmani.

Ndërkohë nga Prokuroria Themelore nuk kanë dashur të komentojnë raportin e Trasparency International, megjithëse nënvizojnë se mbeten të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button