Besimi: Tatimi i solidaritetit do të thotë përballim i përgjegjshëm i krizës sot, që të mos bartet barra mbi gjeneratat e ardhshme

Tatimi i solidaritetit, i cili konsiderohet si tatim i njëhershëm dhe vlen vetëm për kompanitë më të mëdha, në radhë të parë ka efekt solidariteti dhe duhet të tregojë përgjegjësi shoqërore për të gjithë ne, si atyre që janë në politikë poashtu edhe komunitetit të biznesit. Përgjegjësia jonë është që ne të përballemi me krizën tani, e jo ta paguajnë brezat e ardhshëm. Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Fatmir Besimi, në deklaratën për BloombergAdria, ku foli për reformën tatimore dhe pritshmëritë për rritje ekonomike, transmeton Portalb.mk.

“Tatimi i solidaritetit, siç quhet në propozimin e fundit dhe në vetë direktivën e BE-së, nuk është pjesë e reformës tatimore. Ai nuk synon rritjen e shpenzimeve të Buxhetit, por në Buxhetin tashmë të miratuar me këto mjete financiare shtesë do t’i zvogëlojmë deficitin buxhetor dhe borxhin publik, ndërsa ato do të shfrytëzohen vetëm për ballafaqimin me krizën. Ne, si gjeneratë, do të përballemi edhe me sfidat që i kemi sot. Ky është synimi i ligjit në fjalë, si zgjidhje e njëhershme, që rekomandohet nga BE-ja në rrethana të jashtëzakonshme, siç është tani në kohë krize” theksoi ministri Besimi. 

Ministri duke theksuar se e gjithë kjo është në përputhje me Kushtetutën, ku përgjegjësia shoqërore është një nga dispozitat kushtetuese, tha se bëhet fjalë për tatim specifik, nga i cili mjetet do të destinohen në program të veçantë në Buxhetin për masat antikrizë.

“Kjo nënkupton se do të përcaktohet saktësisht se për çfarë destinimi do të shfrytëzohen këto mjete. Po ashtu, nëse BE-ja ishte e gatshme të japë grant prej 80 milionë eurove, i cili nuk është kredit por grant, ku këto para janë nga tatimet e qytetarëve të BE-së për ne, për ballafaqimin me krizën, atëherë edhe ne duhet të tregojmë më shumë vullnet të mbledhim mjete shtesë që ta financojmë atë”, porositi ministri Besimi.

Nëse nuk financohet në këtë mënyrë, shtoi ai, kjo do të thotë se ne do të duhet të marrim hua në këtë kohë kur norma e interesit në tregjet financiare është e lartë, çmimin për këtë do ta paguajmë jo vetëm ne, por edhe gjeneratat e ardhshme.

“Kjo është përgjegjësi e kësaj gjenerate, ndaj gjeneratave të ardhshme, jo vetëm e Qeverisë, por edhe e të gjithë politikanëve dhe komunitetit të biznesit, që t’i përgjigjemi sot asaj që po ndodh me ne, e jo t’ua bartim barrën gjeneratave të ardhshme”, tha Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button