Uji, për dikë është jetë, për të tjerët sëmundje!

Mijëra qytetarë të Maqedonisë pinë ujë të ndotur. Arseni, element ky me nivel të lartë toksiciteti, por edhe bakteret dhe fekalet janë vetëm një pjesë e substancave të dëmshme që mund të gjenden në ujin që rrjedh nga çezmat e një pjese të familjeve në Maqedoni, substanca këto që janë zbuluar nga ana e Institutit të shëndetit publik në të gjithë vendin. Problemi është duke u injoruar me vite dhe dekada të tëra, ndërsa masat konkrete munguan megjithëse janë bërë apele të shumta, sipas të cilave uji mund të bëhet armiku i shëndetit të njeriut.

BIRN kontrolloi vendet me ujë më të ndotur në Maqedoni. Nga çezmat e Ujësjellësit të qytetit në Gjevgjeli rrjedh ujë niveli i arsenit i të cilit është mbi nivelin e lejuar. Uji në fshatrat në afërsi të Tetovës është ndotur me baktere, ndërsa në ujin e fshatrave të Velesit mund të gjenden edhe fekale.

Një pjesë e banorëve tashmë kanë ndërmarrë iniciativa civile dhe janë ngritur kundër pushtetit, pasi kanë konstatuar se ujin që e konsumojnë reflektohet negativisht mbi shëndetin e tyre. Një pjesë e banorëve janë bërë imunë ndaj baktereve dhe nuk lejojnë që komuna të fillojë të kujdeset për ujësjellësit lokalë që i kanë ndërtuar vetë ato, megjithëse këto ujësjellës nuk pastrohen me klor dhe paraqesin një rrezik potencial.
Rrëfimet e këtyre banorëve dhe rrëfimet e zyrtarëve konfirmojnë problemin serioz që ka të bëj me vetëdijen e ulët për rëndësinë e ujit dhe për cilësinë e tij.

Çezmat e rajonit të Gjevgjelisë shërbejnë si një dekor

Jovanka Dojranlieva, banore e Gjevgjelisë, për herë të parë u interesua për praninë e arsenit në ujin që rrjedh nga çezmat në Gjevgjeli pas vdekjes së mikut të saj 30-vjeçar nga kanceri. Deri në atë moment ajo as që ka mundur të supozonte se uji që e konsumon përditë, që në shikim të parë duket i pastër dhe nuk ka një aromë ose shije të veçantë, në fakt mund të rrezikojë shëndetin e saj dhe të familjes së saj.

Megjithatë, shifrat flasin vetë. Të dhënat e siguruara nga ana e BIRN-it konfirmojnë se nëse në vitin 2005 në Gjevgjeli janë regjistruar 100 persona të sëmurë nga neoplazma (karcinoma), në vitin 2010 ky numër ka arritur rekordin me 692 persona të sëmurë. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë komunë është rritur edhe mortaliteti. Në vitin 2009 nga kanceri kanë ndërruar jetë 14,4% nga të sëmurët, ndërsa në vitin 2011 shkalla e mortalitetit është rritur në 19%.

„U befasova me faktin që në komunën pa kapacitetet e industrisë së rëndë, një komunë kjo që gjendet në një zonë ekologjike, që përqindja e të sëmurëve nga kanceri dhe përqindja e të vdekurve janë rritur në një masë të madhe“, thotë Dojranlieva.
Të ballafaquar me rritjen e madhe të shkallës së mortalitetit, në tetor të vitit 2012, në një nga seancat të Këshillit të Komunës u shtrua çështja e cilësisë së ujit. Të njëjtin muaj Agjencia e ushqimit dhe veterinës zhvilloi kontrollet e nevojshme, ndërsa analizat e mostrave të marra në terren rezultuan me ndalimin e përdorimit të dy nga katër puseve sepse u konstatuan 17,8 mikrogramë arsen, megjithëse Organizata botërore e shëndetësisë ka lejuar një nivel maksimal arseni prej 10 mikrogramë.

Ndalesa në fjalë rezultoi me heshtjen e Komunës për një vit me rradhë, sqaron Dojranlieva, e cil ndërkohë formoi Iniciativën civile “Arsena”.

„ Ne dyshojmë lidhur me mbylljen e dy puseve sepse nuk kemi asnjë problem me presionin e ujit. Për këtë arsye, më 23.12.2013 vendosëm të bëjmë vetë kontrollet e nevojshme. Siguruam paratë e nevojshme për kontrollimin e cilësisë së ujit dhe rezultatet përsëri konfirmuan praninë e madhe të arsenit në ujin e ujësjellësit të qytetit. U tmerruam“, thotë Dojranlieva.
Me ujësjellësin e qytetit në Gjevgjeli me ujë të pijshëm furnizohen 25 mijë familje. Banorët tregojnë se ditën e prezantimit të rezultateve u ngrit paniku. Një numër i madh banorësh u drejtuan në shitoret lokale për të blerë ujë.

„Megjithëse atëherë nuk i dinim rreziqet e arsenit, na zuri paniku. Vrapuam nëpër shitoret për të blerë ujë, por nuk gjetëm sepse i gjithë uji ishte shitur. Mbaj mend se blemë vetëm një lëng dhe një ujë mineral sepse nuk pati më shumë. Që atëherë ujin e përdorim vetëm për t’u larë dhe për larjen e enëve dhe për asgjë tjetër“, thotë Lidija V, banore e Gjevgjelisë.
Banorët e këtij qyteti tani pinë vetëm ujë të ambalazhuar, të cilin e përdorin edhe për gatim.

Për ujin nuk harxhojmë 1.000 denarë, por 5.000 denarë. Mund ta mendoni sa ujë të ambalazhuar harxhojmë vetëm për të gatuar dhe për të pirë. Në shtëpi kam dy të sëmurë, të cilat vetëm për të marrë barnat pinë nga një litër ujë në ditë “, thotë Dojranlieva.

Analizat e fundit lidhur me cilësinë e ujit në Gjevgjeli u realizuan nga ana e qytetarëve në maj të këtij viti. Dokumenti i lëshuar nga ana e Institutit të shëndetit publik (në këtë link mund të gjeni dokumentin me titullin „Rezultatet e ujit në Gjevgjeli”) konfirmon se uji i ujësjellësit të qytetit edhe më tej përmban një sasi të madhe arseni ose 15,32 mikrogramë arsen.

„Sipas parametrave të kontrolluar, mostrat nuk përputhen me Rregulloren mbi sigurinë e ujit“, thonë në Institutin e shëndetit publik, duke rekomanduar (në këtë link do të gjeni dokumentin me titullin “Rekomandimet e Institutit lidhur me ujin në Gjevgjeli”) se „mostrat e analizuara nuk janë të sigurta për t’u konsumuar nga ana e njeriut“.

Fakti që uji i pijshëm në Gjevgjeli nuk është i shëndetshëm për t’u konsumuar nuk mund të konstatohet me asgjë. Ky ujë është i pastër, nuk është i turbullt dhe nuk ka asnjë shije atipike. Sipas ekspertëve, e gjithë kjo është normale sepse arseni nuk lë asnjë shenjë me të cilën mund të kuptohet se brenda ujit fshihet një helm i rrezikshëm.

Në shkurt të këtij viti Komuna e Gjevgjelisë doli me një qëndrim zyrtar lidhur me praninë e arsenit në ujin e pijshëm. Zyrtarët e Komunës akuzuan pushtetin e kaluar dhe theksuan se uji i ujësjellësit rajonal të Gjevgjelisë përmban arsen që nga viti 1982, vit ky kur janë aktivizuar puset e rajonit të quajtur Moin.
„Pushteti komunal i asaj kohe nuk ndërmori asnjë masë konkrete për të zgjidhur problemin“, deklaruan zyrtarët e komunës.

BIRN më shumë herë u përpoq të kontaktojë me pushtetin aktual ose me Kryetarin e Gjevgjelisë, z. Ivan Frangov. Nga kabineti i tij deklaruan se Kryetari është në takim, duke kërkuar të paraqitemi më vonë. Gjatë telefonatave të mëvonshme zyrtarët e Komunës vazhdimisht u arsyetuan se Kryetari i Komunës sapo kishte dalë. Për këtë arsye nga Komuna nuk arritëm të sigurojmë përgjigje lidhur me masat e marra për zgjidhjen e problemit të ujit helmues në Gjevgjeli.

Përgjigje nuk ka fituar as kërkesa e banorëve të Gjevgjelisë, të cilët kërkuan që llogaritë e ujit t’u faturohen për konsumimin e ujit teknik dhe të fitojnë subvencione për ujin e ambalazhuar që e përdorin, deri në zgjidhjen definitive të problemit të tyre.

Pambuk i bardhë me ujë të zi

Angel dhe Dragana Andonovski janë banorë të fshatit të Velesit, Nogaevci, fshat ky që i takon Komunës së Gradskos. Pas një pritjeje shumëvjeçare që dikush nga personat përgjegjës të marr masa lidhur me ujin e ndotur që rrjedh nga çezmat e tyre, ato vendosën vetë të bëjnë një eksperiment lidhur me cilësinë e ujit. Kjo familje ka vendosur pambuk në një hinkë, të cilën e ka vendosur në njërën nga çezmat e shtëpisë së saj. Pamja që mund të shihej pas dhjetë ditësh ishte e tmerrshme. Pambuku kishte ndryshuar plotësisht dhe ishte bërë si një top me ngjyrë të zezë.

„Kjo është copa e pambukut që e vendosa në hinkën për të filtruar ujin që rrjedh në ujësjellësin e fshatit Nogaevci. Edhe vetë mund të shikoni ngjyrën e zezë dhe papastërtinë që është grumbulluar në këtë copë pambuku. Me ndihmën e këtij eksperimenti të vogël mund të konstatojmë cilësinë e ujit që e konsumojnë banorët e këtij fshati dhe papastërtinë me të cilën helmohemi çdo ditë“, thotë Dragana, duke shtuar se ajo vetë është dashur të bëj eksperimentin sepse pushteti lokal nuk është i interesuar për problemin, ndërsa familja e saj nuk ka pasur të holla të mjaftueshme për të analizuar cilësinë e ujit.

Dragana thotë se pas larjes së duarve me ujin që rrjedh nga çezmat banorët e fshatit janë të detyruar të blejnë ujë të pastër dhe të kontrolluar dhe të lajnë duart përsëri me sapun sepse në to mbetet papastërtia e ujit të çezmave. Megjithëse banorët e fshatrave të Velesit pothuajse janë mësuar të konsumojnë ujin që nuk është pastruar me klor, duke thënë se uji është i mirë, gjatë vizitës në fshatin Bogovinjë ne provuam ujin dhe ndjemë shijen e çuditshme. Papastërtinë e ujit mundëm ta vërejmë në shikim të parë.

„Mysafirët reagojnë shpesh se uji nuk është siç duhet dhe se kanë probleme për shkak të ujit, por ne siç duket jemi mësuar dhe prandaj nuk ndjejmë asgjë. Për ne uji është i mirë “, tha Vasili, gjyshin që e takuam në fshat.

Snezhana Petrova, mjeke specialiste e higjienës në Qendrën e shëndetit publik në Veles thotë se analizat e tyre tregojnë se pothuajse nga të gjitha çezmat e fshatrave rrjedh ujë jocilësor.
„Ne vazhdimisht bëjmë analiza dhe është fakt se problemi me ujin nuk është zgjidhur asnjëherë, ndërsa vetë njerëzit tashmë janë mësuar ta konsumojnë këtë ujë. Ne për këtë qëllim i dërgojmë Komunës raporte mujore, ndërsa vetë pushteti lokal është ai i cili duhet të marr masa të mëtejshme për zgjidhjen e problemit“, thotë Petrova.

Sipas raporteve të Qendrës së shëndetit publik në Veles, rreth pesëdhjetë fshatra të Velesit, me mbi 10.000 banorë, konsumojnë ujin e ujësjellësve lokalë, që nuk pastrohen me klor. Gjendja më kritike mund të vërehet në fshatrat Bogomilla, Jabollçishta e Epërme dhe e Poshtme, Mellnica, Ivankovci, Vojniva, Teova dhe Viniçani.

Një shfletim i raporteve mujore të analizave të ujit, analiza këto të cilat Qendra e shëndetit publik në Veles i ka dërguar në Komunën e Velesit, mund të shihen të dhënat shqetësuese lidhur me praninë e baktereve në ujin e pijshëm. Vitin e kaluar në qershor janë kontrolluar pesë puse private, tre nga të cilat kanë qenë 100% nuk kanë përmbushur kriteret kimike. Mostra janë marrë edhe nga 14 ujësjellës fshatrash, me të cilat në 11 prej tyre janë gjetur baktere, ndërsa dy nuk i kanë përmbushur kriteret kimike.
Bakteri i llojit Esherihija Koli u gjet në ujësjellësit e fshatrave Kumarino, Ivankovci, Sujakllari, puset private, motelin e Liqenit të Velesit etj. Në shumë vende janë gjetur edhe baktere koliforme. Në ujin e ndotur zakonisht janë gjetur nitrate dhe kloride.

„ Prania e nitrateve dhe baktereve koliforme do të thotë që uji është ndotur me baktere fekale. Prania e këtyre baktereve lejohet deri në një masë të caktuar në puset, por në asnjë mënyrë nuk lejohet në ujin e ujësjellësve publikë. Ky ujë mund të konsumohet vetëm me një zierje të mirë“, thotë Nikolla Panovski, mikrobiolog i angazhuar në Klinikën e Shkupit.

Kryetari i Velesit, z. Sllavço Çadiev, thotë se Komuna drejtuar prej tij nuk ka probleme me ndotjen e ujit të pijshëm dhe se situata është përmirësuar vitin e fundit. Kryetari i Çashkës, z. Goran Panovski, Komunë kjo me shumë fshatra me ujësjellës lokalë me ujë të ndotur, nuk iu përgjigj telefonatave tona.

Bakteret si kafshë shtëpiake

Rezistenca e banorëve për të hequr dorë nga ujësjellësit lokalë, në të cilët kalon ujë i ndotur, është një problem specifik për të cilin institucionet nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje.

Vitin e kaluar Qendra e shëndetit publik në Tetovë deklaroi se uji në shatrat Tearcë, Leshkë, Slatinë, Gllogjë dhe Bellovishtë është i ndotur me baktere. Banorët të cilët në fillim të korrikut të vitit 2013 kërkuan ndihmën mjekësore patën probleme me diarrenë dhe vjelljen. Sivjet situata është përmirësuar, por problemi i përgjithshëm nuk është zgjidhur – banorët e fshatrave refuzojnë të lidhen në ujësjellësin qendror. Ujësjellësit lokalë banorët i kanë ndërtuar me mjetet e tyre dhe refuzojnë të paguajnë faturat e ujit dhe të lidhen në rrjetin qendror.

„Rreth 20% e ujit të pijshëm në rajonet rurale të Tetovës është jocilësor. Banorët e këtyre rajoneve nuk bëjnë dezinfektimin e ujit dhe pikërisht këtu qëndron problemi”, sqaron Ratko Davidovski, drejtuesi i Sektorit sanitaro-higjienik në Qendrën e shëndetit publik në Tetovë.

Ai merr shembullin e Komunës së Bogovinjës, Komunë kjo në të cilën bashkësia vendore ndërtoi një ujësjellës të cilin refuzon t’ia dorëzojë pushtetit lokal. Banorëve nuk u intereson nëse uji është i pastër nga aspekti bakteriologjik sepse ato tashmë janë bërë imunë ndaj bakterit Esherihija koli.

„Unë shpesh them se bakteri Esherihija Koli për ne është bërë si një lloj kafshe shtëpiake. Maqedonia ka ujë të pijshëm cilësor, por uji ndotet si rezultat të problemeve me zonat e mbrojtura dhe mungesës së dezinfektimit. Ne ndotim ujin vetë, me pakujdesinë. Në rastet e një infeksioni që mund të shkaktohet me ujin, i gjithë sistemi shëndetësor do të bllokohet, njësoj si ekonomia e vendit“, thekson Davidovski.

Shtatëdhjetëvjeçari Faik Rahiti ka kaluar të gjithë jetën e tij në fshatin Bogovinjë. Ai duket dhe ndihet mirë. Thotë se ai nuk ka provuar asnjëherë ujë më të mirë se uji që rrjedh në komunën e tij.

„I ndotur? Nuk është e mundur të jetë i ndotur. Unë nuk kam provuar ujë më të mirë, megjithëse kam udhëtuar në të gjithë botën. Përse t’ia dorëzojmë ujësjellësin komunës, duke ditur që të njëjtin e ndërtuam me paratë tona? Shikoni, uji është i pastër si loti, i ftohtë…“, tha Rahiti duke pirë ujin e ujësjellësit lokal.

Megjithatë, ekspertët nuk mendojnë njësoj. Sipas të dhënave zyrtare, 90% të ujit të ujësjellësve lokalë në fshatrat e Tetovës nuk pastrohen me klor.

Agjencia e ushqimit dhe veterinës është kompetente për të shqiptuar ndalesa për konsumimin e ujit të pijshëm, ndërsa pushteti lokal ka për detyrë të gjej zgjidhje të problemit në rast se inspektorët do të vërtetojnë se uji nuk është i sigurt për t’u konsumuar. Pushteti lokal gjithashtu ka për detyrë të shënojë çezmat uji i të cilave nuk rekomandohet të pihet, por sipas rrëfimeve të banorëve të fshatrave të rajonit të Tetovës, shumë nga tabelat me paralajmërimin e institucioneve janë thyer para shumë kohësh.

Gjysmë milion banorë pinë ujin e ujësjellësve lokalë

Rreth gjysmë milion banorë të Maqedonisë furnizohen me ujë të pijshëm me ndihmën e ujësjellësve të lagjeve që përdorin burimet personale dhe ekonomizojnë vetë objektet përkatëse.

Të dhënat e Institutit të shëndetit publik, të publikuara në mars të këtij viti, me rastin e Ditës ndërkombëtare të ujit, tregojnë se 26.96% të ujësjellësve të fshatrave, me ndihmën e të cilëve banorët furnizohen me ujë të pijshëm, nuk i kanë përmbushur kriteret fiziko-kimike. Analizat përkatëse kanë vërtetuar se ujësjellësit nuk pastrohen me klor, ndërsa uji ka qenë i ndotur dhe me përcjellshmëri elektrike. Bakteret janë zbuluar në 24.6% të numrit të përgjithshëm të mostrave të analizuara. Sipas të dhënave zyrtare, kjo gjendje është më e theksuar në Prilep, Tetovë, Gostivar, Veles dhe Manastir.

Rreth 56.000 banorë të Maqedonisë furnizohen me ujë të pijshëm me ndihmën e puseve, çezmave të fshatit dhe burimeve të ndryshme. Nga këto fshatra janë marrë 976 mostra të ujit të pijshëm. Instituti i shëndetit publik vërtetoi se 39,7% të këtyre mostrave nuk i përmbushin kriteret përkatëse.

„Kjo mënyrë e furnizimit me ujë të pijshëm është e pasigurt nga aspekti epidemiologjik si rezultat të përqindjes së lartë të ndotjes bakteriologjike të ujit“, konstaton Instituti i shëndetit publik.

Vitin e kaluar shërbimet e inspektimit të Agjencisë së ushqimit dhe veterinës realizuan 211 kontrolle në vendet në të cilat nuk funksionojnë ndërmarrje publike komunale që ekonomizojnë me objektet e furnizimit me ujë të pijshëm. Gjatë këtyre kontrolleve u konstatua se vetëm në 40 raste uji i pijshëm ka qenë i shëndetshëm. Agjencia me këtë rast ka shqiptuar 171 herë masën e ndalimit dhe urdhrin e mënjanimit të parregullsive të konstatuara.

Maqedonia është një vend i pasur me ujë cilësor. Megjithatë, një numër i madh faktorësh të jashtëm ndikojnë në ndotjen e saj. Para së gjithash ndikon faktori i njeriut, më saktësisht individët që nuk pastrojnë me klor ujësjellësit, gypat e azbestit, përdorimi i të cilave në vitin 2005 është ndaluar nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa Maqedonia do t’i zëvendësojë deri në vitin 2020 dhe minierat që ndotin ujin e disa qyteteve të vendit.

Nëse janë të sakta parashikimet e shkencëtarëve, sipas të cilëve luftërat e ardhshme do të zhvillohen për ujin e pijshëm, Maqedonia nuk kujdeset për këtë resurs të rëndësishëm të së ardhmes..

Burimi: Rrjeti hulumtues Birn

Lajme të ngjashme

Back to top button