Diku thellë…

Teksa dëgjoja ca vargje: “Shtat’ ditë ymër, n’ket dynja, gjasht idhnime, nja sefda”, eh, thashë me vete; po, të i’a ketë qëlluar?!

Të gjorët ne njerëzit; …. në përpjekje të një jete më të mirë, e për të qenë më komod! Për të ndërtuar një shtëpi, e për të blerë një makinë më të re dhe kështu me rradhë…, e që shumica e njerëzve, konform mundit, edhe kanë rezultatet!

Por, brenda periudhës së shkurtër të kësaj jete dhe këtyre viteve që kemi në dispozicion, n’a shoqërojnë: sëmundje, humbje të familjarëve dhe të të afërmve të cilat n’a pikëllojnë skajshmërisht, tentativa permanente për të siguruar mirëqenie ekonomike dhe sociale për veten dhe familjen, përpjekja për t’i edukuar dhe shkolluar pasardhësit dhe shumë e shumë frikëra, brenga e pikëllime të ndryshme!!!

Jeta, qenka e shkurtër, shumë! Kalon shpejt… Vitet ikin. Pleqëria n’a pret. Vjen pa e thërritur fare! Dobësohet shëndeti……

E kishte shumë gabim Sterjo Spase kur tha: “Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin, rrotullohet rreth qëllimit të hiçit.”

Ndoshta, po të futemi më thellë, jeta ka shumë kuptim. Ndoshta, jeta është shumë e bukur?! Ndoshta, ka shpresë…

Madje, nga ne kërkohet që t’a çmojmë, kështu porositi Leonardo Da Vinçi: “Ai që nuk e çmon jetën, në të vërtetë edhe nuk e meriton.”

Besa po! Jeta është e bukur. Jeta bëhet e bukur, kur ne i buzëqeshim asaj. Jeta është e bukur, atëherë kur jemi shkas i buzëqeshjes së prindërve tanë. Jeta bëhet e bukur kur dëgjojmë lutjen e nënës, të cilën e bën me ashk e të mbushur me përplot urata për ne. Jeta është e bukur, kur absorbojmë energji nga kujdesi për prindërit tanë pleq të cilët edhe nuk mund të ecin. Jeta bëhet e bukur e merr kuptim atëherë kur familja dhe fëmijët tanë, mezi presin takimin me ne, e ne takimin me ta! 

Jeta merr kuptim, kur familja bëhet oazë e qetësisë shpirtërore. Kur ne do të gjejmë prehje tek ta, dhe ata tek ne! Kush s’e gjenë kënaqësinë dhe përmbushjen brenda familjes, të mos e kërkojë atë diku tjetër!

Jeta bëhet e bukur dhe e këndshme përgjatë momenteve kur i kalojmë me miqtë që i duam e na duan, pastër, sinqerisht. 

Jeta zbukurohet, kur i’a zgjasim dorën e ndihmës, mikut e nevojtarit. Madje, në ato momente do t’a kaplojë e vërshojë shpirtin tonë lumturia e papërshkrueshme!

Jeta merr kuptim, bëhet e bukur dhe të furnizon me energji pozitive dhe pajis me parzmore kundrejt peripecive atëherë kur që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, shpirti ynë frymon me dashurinë tonë për Krijuesin!

Po mirë, ky përshkrim dhe kjo bukuri e jetës, qenka ngushtë e lidhur me përjetimet shpirtërore?! Po si të jetë ndryshe?! 

Njeriu i lumtur, njeriu i mbushur me optimizëm e pozitivitet, para se gjithash, është njeri i përmbushur shpirtërisht, gjithçka tjetër, do të jetë iluzion dhe imagjinatë!

Largoje lakminë dhe xhelozinë. Kënaqu me atë që ke, do të jesh njeriu më i pasur në botë. Le të jetë kjo një parullë mbi bazën e së cilës do t’a fillojmë ditën!

Nëse je i trishtuar e do të doje të vdisje, mendo për atë që po vdes e do të donte të jetonte, tha Jim Morrison

Shkroi: Belkis Latifi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button