Franz Dofleini për Sharrin

Gushti i vitit 1917. Vapa në Shkup ishte e papërballueshme, frymëzënëse, mbytëse. Prej aty zoologu gjerman Franz Theodor Doflein-i (1873 – 1924) duhej të udhëtonte drejt Tetovës dhe të ngjitej në Kobilicë, një maje që premtonte “romancë të egër”, por e shkelur rrallë nga europianët veriorë.

Franz Doflein-i ishte zoolog, mjek dhe pedagog gjerman. Përveç punës shkencore merrej me letërsi dhe pikturë. Ai ishte pjesë e disa ekspeditave studimore në Indi, JaponFai, Meksikë e Kaliforni. Në vitin 1917 ishte në Maqedoni, kurse pjesë e ekspeditës ishin edhe studiuesit e njohur: Bornmüller-i, Fleischer-i, Müller-i, Wulkneri, Rangnow-i dhe Michael Schucha.

Doflein-i më 1921 e botoi librin Maqedonia (Mazedonien)Aty, përveç përshkrimeve të bukura, ka shumë fotografi. Ai shkruan herë me diskurs shkencëtari dhe herë me diskurs eseisti e letrari për qëndrimin në Shkup, Bardhovcë, Radushë, Tetovë, Sharr, Kobilicë, Brodec, Veshallë, Vicë, Sellcë, Veles, Dojran, Strumicë, Gjevgjeli, Prilep, Krushevë, Prespë, Ohër etj.

Doflein-i u mahnit nga fusha e bukur e Tetovës. Ai pa një qytet të pastër, simpatik e miqësor. Si një kontrast me Shkupin e pluhurosur e të rrënuar nga lufta. Pasi lufta s’kishte lënë gjurmë të tmerrshme si në Shkup, tetovarët mendonin edhe për pronat, shtëpitë dhe fermat e tyre.  Tetovarët, veshur me shije, ishin dashamirës ndaj të huajve. Në Tetovë dëgjoi gra që këndonin dhe pa fëmijë të lumtur si vraponin rrugëve. U mrekullua nga bukuria e vashave tetovare, që me ibrikë bakri mbushnin ujë në puse e çezme.

Gjermanët u pritën miqësisht në shtëpinë dykatëshe“tipike për qytetet turke”, të “një familjeje të fisme”. Në katin e poshtëm ishin dhomat e mysafirëve, të ajrosura e të ndriçuara nga tri dritare. Në oborr, rreth një shatërvani të bukur, luanin fëmijët e lumtur. Divanet e rehatshëm dhe jorganët e jastëkët e pastër u mundësuan gjumë të qetë. Mëngjesin e filluan me kafe të këndshme turke, servuar në filxhanë porcelani, pasi i kishin larë duart e sytë sipas zakonit oriental.

Shkencëtarët gjermanë vazhduan udhëtimin drejt Kobilicës. Ata udhëtuan me kuaj buzë “një përroi të vrullshëm”, prej ku shfaqej më e plotë bukuria e Tetovës. Prej aty dukeshin xhamitë, minaret dhe shtëpitë me oborre.

Në fshatin malor, Brodec, me shtëpi ngjyrë kafe e çati gri, Doflein-it iu shfaq një peizazh mahnitës, që ia kujtoi fshatrat japoneze. Pastaj Veshalla, ku shumë shtëpi ishin të braktisura e të shkatërruara nga luftërat ballkanike. Një shtëpi e madhe do të ishte bujtina e gjermanëve. Dhomat e shtruara me qilima të pastër ishin të freskëta edhe gjatë gushtit. Edhe pse Doflein-i kishte dëgjuar se fshatrat shqiptare ishin të infektuar nga morrat, ai nuk u nda me këtë përshtypje. Në Veshallë takoi banorë miqësorë, që i rrëfyen se në malet fqinje kishte shumë dhi të egra. Madje e ftuan për gjueti.

Të nesërmen ekipi i shkencëtarëve u nis drejt “viseve të thepisura e shkëmbore shqiptare”, që shtriheshin në “lartësi të ëmbël”. Herë shfaqeshin hapësira të mbuluara nga bora, herë livadhe të gjera dhe pyje madhështore. Pranë një stani u ngritën gjashtë tenda. Në mbrëmje barinjtë miqësorë u sollën kos, qumësht dhe djathë të shkëlqyer. Në këtë ambient romantik, udhëtarët e ndjenë freskinë dhe ajrin e pastër pas një dite të lodhshme.

“Nata ra dhe rreth nesh u shfaq një qiell i pastër me yje. Sa i pastër ajri në këtë lartësi”.

Të nesërmen, derisa udhëtonin drejt Kobilicës, syrit të Doflein-it s’i shpëtonin bimët dhe gjallesat e shumta që i evidentonte në fletoren e tij. Në Kobilicë i lotuan sytë nga kënaqësia. Në këtë vetmi të largët çdo çast i zgjoi ndjenja lumturie.

“Isha shumë larg luftës dhe urrejtjes së njerëzve për njëri – tjetrin”.

I mahnitur nga bukuria e Sharrit, studiuesi me talent shkrimtari, bën përshkrime poetike. I këndshëm dhe i veçantë për të ishte shoqërimi rreth zjarreve me banorët e zonës.

Pas ekspeditës së lodhshme studimore filloi rikthimi. Stacioni i radhës ishte Vica, një “fshat malor shqiptar i shtrirë në gjelbërim”, me shtëpi katërkëndëshe, zbukuruar me punime të bukura druri. Përveç arkitekturës së shtëpive, Doflein-it i bënë përshtypje rregulli, pastërtia, oborret, kopshtet, hambarët e plevicat, por edhe gjallëria në fshat. Pamjet sërish ia kujtuan fshatrat e Japonisë.

“Njerëz të bukur e thatanikë na takojnë në periferi të fshatit. Popullsia, me sa duket, është myslimane, pasi gratë janë kryesisht të mbuluara”.

Doflein-i e përshkruan edhe qëndrimin në Sellcë, me ftesë të kryeplakut, i cili i priti shkencëtarët në mënyrë ceremoniale, duke iu ofruar kafe të mirë turke dhe freskuese pas udhëtimit të lodhshëm. I bëri përshtypje se në afërsi kishte shumë njerëz. S’kishin ardhur për gjermanët, por t’ia paguanin taksat një zyrtari bullgar.

Të nesërmen ekipi i dha lamtumirën “Tetovës miqësore me vajza e gra të bukura”. U rikthye në Shkup, ku shqiptarët, me pamjen e tyre, ia kujtuan tipat bavarezë.

Në këtë libër përshkruhet edhe jeta në një çiflig të Bardhovcës së Shkupit, por edhe në fshatin e minierave, në Radushë.

Franz Doflein-i, përveç të dhënave shkencore, shkroi edhe për jetën e njerëzve të këtyre viseve.

Në fillim të shekullit XX, përveç Doflein-it, zonën e Sharrit e hulumtuan edhe disa studiues europianë. Në shekujt paraprakë kjo zonë ishte pothuajse e panjohur për europianët. E pasi njihej pak, paragjykohej shumë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button