Borel: Dënoj fuqishëm çdo thirrje për dhunë

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borel sot e dënoi incidentin me sulmin në Ohër duke theksuar se janë të papranueshme deklaratat të cilat i jaçpin disa politikanë nacionalistë, njofton Portalb.

Ai gjatë takimit të sotëm me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani shfaqi bindje se përgjegjësit për incidentin do të nxirren para drejtësisë.

“Unë jam i bindur nga paralajmërimi i pushtetit tuaj se përgjegjësit do të nxirren para drejtësisë. Por, njëkohësisht dëgjojmë edhe deklarata të papranueshme të cilat i japin politikanë nacionalistë, të cilët nxisin urrejtje dhe implikojnë dhunë. Kjo në mënyrë plotësuese mund t’i rrisë tensionet dhe nuk kontribuon për atmosferë e cila kontribuon për marrëdhëniet e mira fqinjësore. Dënoj fuqishëm çdo thirrje për dhunë”, tha Borel.

Sipas Borelit, me rëndësi esenciale është puna e përbashkët dhe krijimi i atmosferës së dialogut dhe respektimit të ndërsjellë.

Shënimi i ditës së lindjes së Goce Dellçevit – 4 shkurti është vlerësuar si ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë pas mbajtjes së seancës së Këshillit të Sigurimit më 23 janar. Strukturat e organizuara në Bullgari, tha atëherë presidenti Pendarovski, planifikojnë të vijnë në Shkup dhe ato janë veçanërisht aktive pas miratimit të kornizës evropiane të negociatave për vendin në korrik të vitit të kaluar.

“Të njëjtat struktura janë mobilizuar si logjistikisht ashtu edhe financiarisht për të mbështetur ardhjen e organizuar të disa personave në Shkup më 4 shkurt, kur përkujtojmë lindjen e Goce Dellçevit. Sipas të gjitha vlerësimeve do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë dhe organet kompetente nuk guxojnë dhe nuk do të jenë vetëm vëzhgues të heshtur të asaj që do të ndodhë”, tha Pendarovski.

Mirëpo, në rrjetet sociale qytetarët tanë filluan të organizohen për të vendosur bllokadë, për çka ministri Spasovski theksoi se nuk ka nevojë për një gjë të tillë sepse institucionet janë aty për të reaguar.

Kujtojmë që ditëve të fundit janë rritur tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si shkak i sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Ministri teknik i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Millkov, deklaroi se Bullgaria do të marrë të gjitha masat për rastin “Pendikov” dhe tashmë punohet për këtë. Ai tha gjithashtu se për shënimin e lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm.

Përndryshe, kujtojmë që Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së.

Ndërkaq, Kuvendi i RMV-së aktualisht nuk i ka numrat për të bërë një ndryshim të tillë, pasi ndryshimet duhet të miratohen me 80 nga 120 votat e deputetëve apo dy e treta e deputetëve, shumicë kjo e cila deri tani nuk është arritur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button