Osmani – Borel: Me mbështetjen e BE-së dhe aksion diplomatik, OSBE-ja do të kontribuojë për sigurinë evropiane

Maqedonia e Veriut, si vend kryesues, do të respektojë me përpikëri parimet dhe vlerat themelore të OSBE-së. Në fokus të Organizatës do të jetë Ukraina, gjegjësisht siguria e njerëzve në një kohë të pasigurisë dhe jostabilitetit rajonal dhe global, potencoi sot kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani në takimin me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe zëvendëskryetar i Komisionit Evropian Zhosep Borel në Bruksel, njofton Portalb.

Gjatë vizitës, siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Osmani e ka potencuar marrëdhënien e natyrshme dhe të fuqishme midis BE-së dhe OSBE-së, si dhe të gjithë vendet pjesëmarrëse të Organizatës, që është hapësirë ​​e favorshme për punë të përbashkët dhe përmbushje të obligimeve të përbashkëta.

“Presidenca jonë këtë vit do të udhëhiqet nga detyrimet e dakorduara tashmë  nga të gjithë 57 vendet pjesëmarrëse të Organizatës. Nuk do të bëjmë kompromise që do të rrezikojnë dokumentet bazë dhe vendimet e miratuara me konsensus të OSBE-së. Sfida më e madhe mbetet agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Është një luftë e pajustifikuar kundër një shteti të pavarur, anëtare e OSBE-së. Federata Ruse me agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës ka shkelur në mënyrë flagrante Dokumentin Përfundimtar të Helsinkit dhe të gjitha zotimet dhe parimet e Organizatës”, deklaroi Osmani.

Sipas Osmanit, OSBE-ja i ka të gjitha mekanizmat dhe mjetet që ofrojnë mbështetje konkrete për njerëzit e të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Organizatë.
“Maqedonia e Veriut, përmes marrëdhënieve ndër-etnike, kulturës së dialogut që imponoi, kulturës së kompromisit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, krijoi imazh për shtetin, si dhe për njohje në bashkësinë ndërkombëtare. Jemi model në rajon për demokraci funksionale multietnike, me të drejta të garantuara për të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Osmani.

Në takimin midis Osmanit dhe Borelit është biseduar edhe për përkushtimin e BE-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me delegacionet e saj në Shkup dhe Vjenë, të cilat ishin me rëndësi kyçe në të gjitha fazat e përgatitjes së Maqedonisë së Veriut për të marrë kryesimin e OSBE-së. Kryesuesi i OSBE-së e ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe BE-së, i cili do të kontribuonte në funksionalitetin e Organizatës.

“Vendet anëtare të BE-së janë edhe pjesëmarrëse të OSBE-së. Sinergjia ndërmjet këtyre dy organizatave mund të ndihmojë në avancimin e proceseve që ndonjëherë duken të bllokuara në Hofburg”, theksoi Osmani.

Në fund të takimit, ai potencoi se Maqedonia e Veriut mbetet një partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe BE-së, duke i respektuar vlerat dhe parimet e saj. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut, tani si vend negociues për anëtarësim në BE, ka për qëllim që një të të ardhme të afërt të kryesojë me Këshillin e BE-së.

Ndryshe, më 1 janar 2023 zyrtarisht Maqedonia e Veriut e filloi Kryesimi i OSBE-së, organizatës multilaterale ku gjenden 57 shtete pjesëmarrëse nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia kontribuojnë për paqen rajonale dhe globale.

Ministria e Punëve të Jashtme ka vlerësuar që fokusi i OSBE-së gjatë udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut do të jetë siguria e njerëzve, përkundër pasigurisë rajonale dhe globale. Më 12 janar do të shpalosen prioritet e Kryesimit të Maqedonisë së Veriut para Këshillit të Përhershëm në Vjenë.

“Nën sloganin “për njerëzit bëhet fjalë”, fokusi i presidencës së Maqedonisë së Veriut do të vendoset në sigurinë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale”, deklaruan ditë më parë nga Ministria.

Ministri Bujar Osmani paralajmëroi që si vend kryesues do të kontribuojnë që OSBE-ja të jetë një mision në terren, duke ndërmarrë dhe mbështetur aktivitete konkrete për lehtësimin e jetës së njerëzve. Ai vlerësoi që vendi me pjekurinë dhe njohuritë do të jetë lojtar kyç për udhëheqjen e politikave dhe proceseve ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button