U verifikuan mandatet e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal të Tetovës, ish kryetari i KRL-së: Jam kundër këtij monopoli (Video)

Këshilli i Komunës së Tetovës verifikoi mandatet e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal (KRL) të kësaj komune. Këshilltarët nga BDI në këshillin komunal kërkuan që numri i anëtarëve të KRL-së të jetë njëmbëdhjetë, por numri i anëtarëve do të jetë nëntë, ashtu siç e parasheh ligji. Ndërsa ish kryetari i këtij këshilli deklaroi se krijohet monopol brenda këtij këshilli rinor dhe se të rinjtë nuk janë mjaftueshëm të përfshirë, shkruan Portalb.mk.

Me gjashtëmbëdhjetë vota për dhe trembëdhjetë të përmbajtur, Këshilli i Komunës së Tetovës verifikoi mandatet e nëntë anëtarëve të KRL-së, të cilët janë:

  1. Nurjan Hamzai nga “Sonce”,
  2. Enisa Hasani nga “Psychlab”,
  3. Halisa Musli nga Shoqata e të rinjve Turk,
  4. Ermir Musai nga Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët,
  5. Endrit Hasani nga Forumi Rinor i Lëvizjes Besa,
  6. Ilija Marinkovski nga Forumi Rinor i VMRO-DPMNE-së,
  7. Anida Halili nga “Eco Action”,
  8. Elma Sherifi nga Shoqata e artistëve figurativ të Tetovës,
  9. Jehona Saiti nga “Multikultura”.

Megjithatë, me këtë zgjedhje nuk ishin dakord këshilltarët nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ku Liridon Disha kërkoi që numri i këtyre anëtarëve të jetë njëmbëdhjetë, pasi nuk ksihte përfaqësues nga dy universitetet në Tetovë, nga UT-ja dhe UEJL-ja, ku sipas tij është pa sens të themelohet këshilli rinor lokal pa përfaqësues nga universitetet.

Por, Muhamed Mustafa nga Komuna e Tetovës sqaroi se numri i anëtarëve të këshillit rinor nuk mund të jetë më shumë se nëntë edhe atë duke cituar nenin 16Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore i cili thotë:

“Numri i anëtarëve të këshillave lokalë të të rinjve është tek dhe nuk tejkalon më shumë se një të tretën e anëtarëve të Këshillit të komunave, komunave në qytetin e Shkupit dhe qyteti i Shkupit por nuk mund të jetë më pak se pesë persona.”

Këshilli Komunal i Tetovës ka 31 këshilltarë, një e treta e këtij numri është 10.3 ndërsa sipas nenit të lartpërmendur i bie se numri i anëtarëve duhet të jetë jo më shumë se nëntë dhe nuk mund të jetë njëmbëdhjetë.

Ndërkaq për sa u përket përfaqësuesve nga universitetetet nga Komuna sqaruan se ka pasur shpallje publike dhe nuk kanë aplikuar dhe tani më thirrja publike është mbyllur.

Mustafa sqaroi se përfaqësues nga universitetet mund të jenë si anëtarë, t’i ndjekin të gjithë aktivitetet por nuk do të kenë të drejtë vote, por të marrin pjesë në aktivitete.

Me këtë përbërje të KRL-së nuk u pajtua edhe ish kryetari i këtij këshilli rinor, Olti Esati. Ai thotë se si ish kryetar i Këshillit Rinor Lokal është totalisht kundër krijimit të monopolit brenda Këshillit Rinor lokal, pasi sipas tij nuk ka përfaqësues nga Universiteti i Tetovës, UEJL, dhe përfaqësues nga shkollat e mesme.

“Të paktën të ishte një për të gjithë shkollat e mesme. 80 përqind e rinisë që gjendet nl shkollat e mesme dhe universitete janë totalisht të anashkaluara nga kjo strukturë e re. As përfaqësues nga opozita e këshillit komunal nuk ka, as nga BDI, LSDM, nuk ka përfaqësues në këshillin rinor lokal të cilët do të bënin kontrollimin e këshillit të cilët do të bënin zërin antagonist brenda punës së këshillit. Me këtë dëshmon që Komuna e Tetovës nuk u jep hapësirë të gjitha grupeve të përfaqësohen denjësisht në këshillin rinor”, tha Esati.

Ai theksoi se pavarësisht se ka pasur thirrje publike e njëjta nuk është shpërndarë mjaftueshëm në rrjetet sociale. Ndërkaq perëndi se ka aplikuar konform thirrjes për bordin iniciues por që nuk është përfillur në këtë drejtim.

Për këtë, nga Komuna e Tetovës theksuan se Esati nuk ka aplikuar për anëtarë të këshillit rinor, por vetëm për bordin iniciues.

Këshilltari komunal nga PDSH-ja, Visar Palloshi pyeti se a funksionon Qendra rinore në Tetovë dhe ku i ka hapësirat.

Për këtë Mustafa nga Komuna e Tetovës sqaroi se pasi të themelohet këshilli rinor, pas seancës së djeshme këshilli rinor do ta merr iniciativën, do të jetë në dorën e saj që të zgjedh një vend edhe ta themelojë qendrën rinore, do të jetë detyra e këshillit rinor lokal.

Për sa i përket formimit të këtij këshilli, procedurat kanë filluar në muajin qershor 2022, ku komuna shpalli thirrje publike për anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e këshillit rinor lokal në komunë. Katër muaj më vonë, me 17 tetor këshilli nismëtar për themelimin e KRL-së në kuadër të Komunës shpalli thirrje publike për anëtarësim në Këshillin Rinor Lokal. Megjithatë, me 31 tetor, Komuna e vazhdoi afatin e thirrjes për anëtarësim në Kuvendin Konstituiv Lokal të të Rinjve në Komunën e Tetovës deri me 15 nëntor. Ndërkaq, me 5 dhjetor Komuna publikoi thirrje tjetër publike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal, e cila ishte e hapur deri me 16 dhjetor.

Kuvendi i RMV-së janarin e vitit 2020 miratoi Ligjin për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore. Ky ligj mes shumë obligimeve tjera, në nenin 16 komunat i detyron që të kenë të formuar Këshill Rinor Lokal i cili do funksiononte si organ i komunës i përbërë nga përfaqësues të rinj të formave të ndryshme të organizimit në Komunë, të cilët kanë rol këshillues dhe avokues për çështjet me interes të të rinjve në vetëqeverisjen lokale.

Në Komunën e Tetovës ka gjithsej 84,770 banorë prej të cilëve sipas regjistrimit të fundit të popullsisë 17,487 janë të rinj, gjegjësisht të moshës nga 15 deri në 29 vjeçe, apo rreth 20,6%.

Sipas një hulumtimi të publikuar në qershor të vitit të kaluar doli se disa nga komunat e rajonit të Pollogut nuk i kanë përmbushur shumicën e obligimeve që rrjedhin nga Ligji për të Rinjtë. Ndërsa po ashtu sipas një hulumtimi tjetër thuhet se të rinjtë në Tetovë nuk janë mjaftueshëm të informuar për Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, si dhe përfshirja i tyre në vendim-marrje mbetet e pakënaqshme. Ndërsa së fundmi, hulumtimi i publikuar nga Forumi Rinor Arsimor (FNA) theksoi se institucionet lokale dhe politikanët nuk i trajtojnë seriozisht nevojat e të rinjve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button