Osmani: NATO dhe OSBE duhet ta luajnë rolin e tyre për mbështetje të Ukrainës

Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, sot në Bruksel pati fjalim para Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, ku prezantoi Programin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e OSBE-së në vitin 2023.

Para Këshillit të kryesuar nga Zv/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mirçea Xhoana, Osmani theksoi rëndësinë e rolit të NATO-s dhe OSBE-së në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe prezantoi vizionin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e OSBE-së. Ai theksoi se fokusi i presidencës do të jetë te njerëzit, ashtu si dhe te vlerat dhe parimet e OSBE-së që u shkelën nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

“Agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës ka tronditur shtyllat e sigurisë sonë”, theksoi Osmani, duke shtuar se Ukraina do të mbetet prioritet kryesor dhe çështje kyçe e sigurisë.

“Prioriteti ynë në të tre aspektet do të jetë të ofrojmë mbështetje thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj,” tha ai.

Kryesuesi i OSBE-së, Osmani para të pranishmëve theksoi se agresioni ndaj Ukrainës duhet të ndalet, si dhe se vdekja e civilëve dhe shkatërrimet janë të papranueshme ashtu siç është e papranueshme edhe kostoja e kësaj lufte për mbarë Evropën dhe gjithë rajonin e OSBE-së.

“Vuajtja e civilëve është arsyeja e përqendrimit tonë të fortë tek njerëzit që janë të parët që goditen nga ky agresion. Ata që janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj luftës dhe konfliktit kanë frikë për jetën e tyre, ndërsa ata që janë më larg ndjejnë pasiguri dhe ankth. Mënyra e tyre e jetesës është vënë në pikëpyetje dhe përditshmëria u është prishur. Angazhimi ynë është para së gjithash për njerëzit. Kjo është motoja jonë dhe forca lëvizëse për vitin në vazhdim”, tha Osmani.

Në fjalën e tij, Osmani përmendi rolin e dy organizatave në promovimin e kontrollit të armëve dhe ndërtimit të besimit dhe masave të sigurisë.

“Të dyja organizatat duhet të luajnë rolin e tyre kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës, por edhe vendeve të tjera pjesëmarrëse ose partnerëve. Ata i kanë mjetet dhe mekanizmat e nevojshëm për të kontribuar për siguri dhe stabilitet më të madh”, theksoi Osmani.

Në krye të listës së prioriteteve të Maqedonisë së Veriut si kryesues me OSBE-në, Osmani ka vënë në dukje luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë, duke thënë se paraqet një “sëmundje” të përbashkët, që kërcënon zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button