Asociacioni me simbole të veta, kuvend, kryetar, paralajmëroi FES-i

Në një draft-statut të publikuar të hënën nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashihet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, raporton REL.

I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.

Për krijimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që zhvillohet në Bruksel.

Me gjithë trysninë e faktorit ndërkombëtar, Kosova, deri më tash, nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti, në disa raste, ka përsëritur se në Kosovë nuk mund të formohen asociacione njëetnike.

Duke prezantuar draft-statutin, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të tij, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit.

“Ky është një projekt i pragmatizmit politik, sepse ne kemi menduar se do të vijë koha kur do të ishte i nevojshëm statuti i Asociacionit”, tha ai.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 18 janar, Schlee ka thënë se beson se ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.

Çfarë parasheh draft-statuti?

Sipas këtij dokumenti, Asociacioni parashihet t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.

Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Sipas dokumentit, anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.

Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.

“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet po ashtu në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button