SHBA: Është koha që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave Serbe

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë qëndrimin që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk do t’ia shtojë Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv e legjislativ. Në një tekst autorial dërguar për publikim në dy medie një në gjuhën shqipe dhe një serbe, Koha.net dhe Kossev, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i bënë thirrje përsëri qeverisë së Kosovës që ta  themelojë  Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ata thonë se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, transmeton DW.

Mundësi historike

“Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dyja vendet që t’i normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet në tekstin e tyre. Dy emisarët amerikanë publikuan shkrimin autorial, ku shpjegojnë sesi do të duket Asociacioni, vetëm një ditë para një takimi të thirrur nga ambasada amerikane për të gjithë aktorët politik dhe shoqërinë civile, për të diskutuar për asociacionin. Në këtë takim, kryeministri Albin Kurti, siç ka thënë ai vetë, nuk është ftuar.

Këshilltari amerikan Chollet dhe emisari Escobar, thonë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por tani sipas tyre, dhe ka ardhur koha të tregohet qartë se çfarë është e çfaë nuk është ky Asociacion. “Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të koordinuar çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse. Kjo është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në tekstin e tyre autorial.

Jo etnitet të ngjashëm Republikën Spska

Chollet dhe Escobar e bëjnë të qartë, se e kundërshtojnë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan “Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”.Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje, por, “në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”. Sipas diplomatëve amerikanë, “komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët do të mund të punonin në mënyrë më efikase së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira”, duke përjashtuar këtu mundësinë dhe ritheksuar se “Asociacioni nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.”

“Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare. Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale, siç bëjnë shumë veta tani, dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjit kosovar”, thuhet në shkrim.

Dy diplomatët amerikanë, këshilltari Derek Chollet dhe emisari Gabriel Escobar, në fund të tekstit thonë se “SHBA, si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantik”. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, deri tash është deklaruar kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e cilësuar atë si një asociacion një-etnik dhe që rrezikon bosnjëzimin e Kosovës. Beogradi zyrtar kërkon me këmbëngulje që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button