Spasovski-Demarxhiev: Nuk do të lejohet incident në shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovksi sot është takuar me homologun e tij bullgar Ivan Demarxhiev. Ata kanë biseduar për sulmin ndaj sekretarit të përgjithshëm të klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov dhe për shënimin e ditëlindjes së 151 të Goce Dellçevit që do të mbahet më 4 shkurt, njofton Portalb.mk.

Një person është në paraburgim për sulmin e Pendikovit, siç theksoi Spasovski, dhe po veprohet në zgjerimin e hetimit. Ai porositi se MPB për të gjitha rastet vepron në mënyrë të njëjtë me qëllim që fajtorët të dorëzohen para drejtësisë dhe të sanksionohen.

“Qëllimi ynë kryesor është që të ketë siguri për të gjithë qytetarët dhe personat që do të qëndrojnë në territorin tonë. Duam të dërgojmë porosi të qartë se nuk do të lejohet kurrfarë incidenti. Policia maqedonase do t’i ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme dhe aktivitetet dhe absolutisht nuk guxon të lejohet incident”, tha Spasovski në lidhje me shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit.

Ministri Demerxhiev shtoi se ai i ka marrë të gjitha informatat nga kolegu i tij Spasovski se do të jetë i sigurt shënimi.

“Unë do të marrë masa për personat që do të vijnë. Në asnjë rast nuk do të lejoj që të shkaktohen provokime dhe të vijë deri në ngjarje të padëshirueshme. Kemi arritur pajtueshmëri se gjithçka do të jetë në mënyrën më të mirë të qetë dhe nuk do të lejojmë që disa persona dhe kërcënime ta ndezin zjarrin mes dy personave”, tha Demorxhiev.

Në lidhje me sulmin e Pendikov ai shtoi se me Spasovskin kanë arritur mirëkuptim se në një vend si Maqedonia e Veriut nuk duhet që të lëshohen këso incidente dhe ka marrë garanci se rasti do të hetohet plotësisht dhe në mënyrë objektive.

Shënimi i ditës së lindjes së Goce Dellçevit – 4 shkurti është vlerësuar si ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë pas mbajtjes së seancës së Këshillit të Sigurimit më 23 janar. Strukturat e organizuara në Bullgari, tha atëherë presidenti Pendarovski, planifikojnë të vijnë në Shkup dhe ato janë veçanërisht aktive pas miratimit të kornizës evropiane të negociatave për vendin në korrik të vitit të kaluar.

“Të njëjtat struktura janë mobilizuar si logjistikisht ashtu edhe financiarisht për të mbështetur ardhjen e organizuar të disa personave në Shkup më 4 shkurt, kur përkujtojmë lindjen e Goce Dellçevit. Sipas të gjitha vlerësimeve do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë dhe organet kompetente nuk guxojnë dhe nuk do të jenë vetëm vëzhgues të heshtur të asaj që do të ndodhë”, tha Pendarovski.

Mirëpo, në rrjetet sociale qytetarët tanë filluan të organizohen për të vendosur bllokadë, për çka ministri Spasovski theksoi se nuk ka nevojë për një gjë të tillë sepse institucionet janë aty për të reaguar.

Kujtojmë që ditëve të fundit janë rritur tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si shkak i sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Ministri teknik i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Millkov, deklaroi se Bullgaria do të marrë të gjitha masat për rastin “Pendikov” dhe tashmë punohet për këtë. Ai tha gjithashtu se për shënimin e lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button