Ministrat e ardhshëm, një foto private, por jo edhe kolektive e shqiptarëve

Kontinuiteti i parlamentarizmit dhe i bashkëqeverisjes mbi baza të preferencave etnike, ka krijuar tashmë një traditë, por edhe një përgjegjësi për sfida të reja që vijnë pikërisht nga kjo metodologji politiko-institucionale.

Duke kërkuar ndërprerjen e kontinuitetit të bashkëqeverisjes vazale me kryeministrat maqedonas, por edhe duke këmbëngulur në një ridizajnim të kualitetit dhe kapacitetit përfaqësues në institucionet e shtetit, publiku shqiptar me të drejtë tani është më kritik dhe më kërkues se kurdoherë më parë.

Dhënia e votave për partinë fituese nuk është kurrfarë amnistie për krerët e saj nga obligimi madhor që tash e tutje në Maqedoni të bëhet një përkufizim i qartë midis interesave ditore politike dhe objektivave afatgjata kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni. Sepse jo rrallë, tek ne interesat ditore politike janë paketuar me ambalazhe bajate të, gjoja, objektivave kombëtare.

Partia fituese te shqiptarët, BDI, do të duhej ta arsyetonte legjitimitetin e saj, jo vetëm në saje të votave të përkthyera në besim, por edhe më tepër se kaq. Kjo parti po obligohet gjithnjë e më shumë ndaj shqiptarëve. Ajo, në njërën anë u tregua mjaft e aftë të menaxhojë një vullnet kaq kolosal të votuesve shqiptarë, por në anën tjetër, askush nuk mund të garantoj tani për tani se si do të duket performanca e saj qeverisëse në mandatin në vijim.

Si parti që nuk ka shprehur ndonjë interes të madh për tema që shqetësojnë shqiptarët, BDI edhe vetë e ka deklaruar se misioni i saj në qeverinë e ardhshme të Nikolla Gruevskit është që të kujdeset për fatet e Maqedonisë në planin e integrimeve euroatlantike. Një ndërrim diskursi publik menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, i ndryshëm nga ai i fushatës zgjedhore, e ngushton distancën morale të BDI me synimet e idealistëve të saj për ta pa subjektin e tyre më afër objektivave për të cilat ata luftuan në vitin 2001. Kufiri moral dhe politik i kësaj partie po shkon duke u zbehur bashkë me mospasjen sens të drejtuesve të saj për të diefrencuar përgjegjësitë kombëtare e qytetare ndaj votuesve të tyre nga përgjgjegjësitë shtetërore për ta futur Maqedoninë në NATO e BE, që akush në fakt prej tyre spo e kërkon, e më së paku partneri Gruevski.

Një koalicion i ndërtuar në pabesi, kurtha, marrëveshje gjysmake e të limituara, siç ishte deri më tani, s’ka se si ta bëjë të lumtur atë që merr pjesë në të, nëse sërish kolacionimi bëhet pa ndonjë marrëveshje paraprake, apo pa ndonjë axhendë ku do të përkufizoheshin dhe harmonizoheshin interesat shtetërore, partiake e etnike.

Një prej arsyetimeve të dëgjuara nga krerët e BDI se pse ata insistojnë të drejtojnë disa ministri, ka qenë e ndërlidhur me ambicjet e kësaj partie për të kontribuar në përfshirjen sa më të shpejt të Maqedonisë në NATO dhe BE. Ende nuk e kemi të qartë se si ndodhi që ky shtet i vogl e i varfër i Ballkanit shkëmbor të mos pranohet në NATO edhepse në krye të minstrisë së Mbrojtjes ishte kapiteni i këmbësorisë, Talat Xhaferi. Habia që përcjell pyetjen tjetër ndërlidhet me një eskpert poliedrik e të kudondodhur të BDI, Fatmir Besimin, i cili assesi nuk po arrin ta ofrojë Maqedoninë së paku pranë paradhomave dhe “gjysentive” të Brukselit.

Mund të radhiten edhe shembuj të tjerë, por këta mjaftojnë për të zhveshur pakuptimësinë e një praktikë aspak normale që kohët e fundit te ne sikur po bëhet modë. Po përmenden disa emra minstrash sikur fati i eurointegrimeve apo i anëtarësimit në NATO po varka nga të qenit apo të mos qenit e tyre në ato poste. Nëse vullneti politik i një kryeministri nuk është që Maqedonia të bëhet pjesë e BE dhe NATO-s, këtë gjendje nuk mundet ta ndryshojë kurrfarë minstri, qoftë ai baraz edhe me aftësitë e një Qerçili apo të një Kisingeri. Nuk do të kishte kurrfarë efekti veprues të qenit e ndonjë ministri bartës i funksionit që lidhet drejtpërdrejt me, fjala bie, procesin eurointegrues të Maqedonisë, nëqoftëse ai ministër nuk ka në dorë një platformë dhe strategji të qartë qeveritare për të ardhmen e shtetit në këto procese. A do të mundet nesër ky minstër shqiptar i Eurointegrimeve të del mbi sensibilitetet politike e nacional(ist)e të kryeminstrit përkitazi me tejkalimin e kontestit me Greqinë rreth emrit, çështje kjo që mban pezull edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO?

Shqiptarët bëjnë jetë më pak kualitative nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas, jo pse Fatmir Besimi nuk arriti të na bëjë pjesë të Europës, por pse BDI nuk po arrin të na bëjë pjesë të politikave financiare e zhvillimore të qeverisë ku bën pjesë edhe ajo. Në Maqedoni nuk u zhvilluan zgjedhje për Parlamentin Europian, ashtu siç po dëgjojmë një diskurs postzgjedhor që largon vëmendjen e shqiptarëve nga problematikat për të cilat ata votuan në zgjedhjet e parakonshme parlamentare. Shqiptarët dhe gjithë qytetarët e Maqedonisë votuan për të ndryshuar gjendjen e tyre të mjerueshme ekonomike e sociale dhe të ketë ndarje proporcionale të buxhetit i cili do të financonte projektet zhvillimore të viseve ku ata jetojnë.

Pjesa që të rinjtë e quajnë “keji i Shkupit” nuk ndodhet në Shkupin e Skenderbeut, por ndodhet në “Shkupi 2014”. Atje të rinjtë takohen dhe freskohen me pije të shtrenjta, sepse në Shkupin e krenarisë falce partiake, funskionojnë rregullat klanore se kush ka të drejtë me hap dyqan, kush ka të drejt me uzurpu trotuarin dhe shumë pak mendohet për hapësira urbane për të rinjtë, për intelektualët, për amviset, për fëmijët. Në Shkupin e shqiptarëve ndodhë që një anonimus të bie në gjumë si aktivist i thejshtë partiak dhe të zgjohet si ministër, dhe atij i duhen katër vjetë me e shiku veten në pasqyrë për me e bind veten se ai është produkt i mrekullive kadrovike që dalin nga kavanozat e partive tona të lodhura nga menjeshkurtësia.

Lista e emrave që iu dorëzua Gruevskit për të kompletuar kabinetin qeveritar edhe me kuadro shqiptare, nuk besojmë se përfaqëson intelektualitetin dhe dinjitetin profesional të shqiptarëve të Maqedonis. Kjo listë, ishte më tepër një fontanë dëshirash partiake të aktivistëve që duan me çdo kusht të bëjnë fotografi “historike” për gratë dhe famijarët e tyre, se sa një tregues real i resurseve kuadrore që kanë aktualisht shqiptarët e shkolluar pa kontrabandë dhe të diplomuar në afate rekorde, me sukses solid nëpër universitet e këtushme dhe ato botërore. Vrapi i BDI pas kuadrove që nuk dijnë të bëjnë dallimin e të qenit aktivist partiak nga eksperti i dalluar i një fushe të caktuar, e bën tepër të rëndomtë marrjen me politikë të përgjegjegjshme dhe kjo ulje kriteresh më tepër se Gruevskit, askujt tjetër nuk i konvenon. Të shpresojmë se kjo do të jetë lista e fundit që shqiptarët ia dorëzojnë Gruevskit, me të cilën atij edhe njëherë sikur i konfirmohet teza se ‘faji për moszhvillimin e viseve ku banojnë shqiptarët, i kanë vetë ministrat shqiptarë’.

Nuk është e vërtetë se politikën e kemi ashtu siç është populli. Më e vërtetë se kjo është fakti se ky popull vazhdon të jetë peng i ‘kazinoneve’ politike, ku ende votohet për më të mirin në mesin e të këqijve, e jo për më të mirin në mesin e më të mirëve. (Koha, Shkup)

 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button