Transportuesit privat: Do të bllokojmë sërish rrugë nëse Arsovska dhe drejtori i NTP-së nuk e paguajnë borxhin

Transportuesit privatë sërish paralajmërojnë protesta dhe bllokada të qytetit nëse Qyteti i Shkupit dhe NTP “Shkup” nuk ua paguajnë borxhin prej 1.5 milionë euro. Ata sot kanë protestuar para selisë së NTP-së duke kërkuar takim me drejtorin Aleksandar Stojkovski. Pasi nuk janë pritur nga ai, janë nisur drejt Qytetit të Shkupit për të dorëzuar kërkesë për takim me kryetaren Danela Arsovska, njofton Portalb.mk.

“Kemi gjashtë muaj pa para, borxhi mbi 1.5 milionë euro nuk është paguar. Për ta bërë situatën edhe më absurde, javën e kaluar në llogarinë tonë janë paguar 5000 denarë. Nuk e kuptojmë se çfarë është kjo pagesë dhe pse kemi mbetur në rrugë, kur prej 30 vitesh mbajmë transportin publik në qytet. Nëse deri të premten nuk kemi takim me përfaqësuesit e NTP-së dhe Qytetit të Shkupit, nga e hëna do të protestojmë sërish duke bllokuar rrugët”, tha Jovica Zafirovski, njëri nga transportuesit privatë në protestën e sotme para zyrave të NTP-së.

Transportuesit privatë thonë se nuk kanë konkuruar në shpalljen Qytetit sepse ka qenë për 5 linja, e jo 16 siç ka qenë deri tani. Thonë se kjo do të thotë se disa prej tyre do të mbeten sërish pa punë dhe për më tepër, nuk kanë besim tek autoritetet e qytetit se do t’i paguajnë rregullisht duke pasur parasysh se nuk e pranojnë se kanë borxh.

Kryetarja Arsovska nuk pranon asnjë borxh ndaj kompanive private. Ajo thotë se Qyteti dhe NTP-ja nuk u kanë borxh dhe u bën thirrje që të padisin nëse kanë prova.

Shkupi për të tretin muaj është pa transport të rregullt publik, pasi Arsovska i ndërpreu kontratat me transportuesit “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres”.

Transporti publik në Shkup tashmë tre muaj është në kolaps, autobusët janë reduktuar dhe kur arrijnë në stacion janë të mbingarkuar. Pasi transportuesit privatë kanë ndërprerë lëvizjen për shkak se nuk u është paguar borxhi prej 1.5 milionë eurosh, në rrugë nuk ka mjaft autobusë, ndaj pasagjerët qëndrojnë me orë të tëra në stacionet e autobusëve. Në mëngjes dhe pasdite autobusët janë të mbingarkuar, qytetarët nuk mund të hipin dhe të presin autobus tjetër që po ashtu është plot. Vonë në punë, shkollë, për kontroll mjekësor dhe pasdite qytetarët nuk mund të kthehen në shtëpi.

Kryetarja Arsovska si kandidate e VMRO-DPMNE-së fitoi zgjedhjet me premtimin për transport publik të shpejtë, efikas dhe falas, si dhe me blerjen e 250 autobusëve ekologjikë. Në vitin e parë të mandatit, jo vetëm që nuk e realizoi këtë premtim, por kolapsoi transporti publik në qytet, dhe për herë të parë në histori, Shkupi mbeti një ditë pa të pasi shoferët e NTP “Shkupi” nuk qarkulluan sepse nuk ishin paguar.

Kryetarja e qytetit nuk shfaq asnjë shqetësim për mungesën e autobusëve, madje këmbëngul që transporti funksionon normalisht, ndërsa këtë situatë e vuajnë qytetarët, të cilët përballen me pritje të gjata në stacione dhe vonesa të vazhdueshme, për çka nuk mban askush përgjegjësi.

Arsovska muajin e kaluar i ndërpreu kontratat me dy kompanitë private të transportit “Sloboda prevoz” dhe “Makespres”, pas së cilës ata protestuan dhe bllokuan qytetin. Me ndërprerjen e kontratave, në rrugë nuk ka mjaftueshëm autobusë dhe NTP “Shkup” funksionon me orar të reduktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button