Tregu rajonal i energjisë në Ballkan

Korridoret transnacionale automobilistike dhe të rrjetit energjetik janë një ndër sistemet ndërlidhëse më të fuqishme të Ballkanit me Evropën e zhvilluar. Korridori X-XVIII janë parë të një rëndësie të lartë strategjike nga BE-ja dhe vetë shtetet e rajonit. Korridori X ka ecur shumë, kurse ai i XVIII-ti për arsye politike dhe financiare ka ngecur.

Një fushë tjetër që tash është aktualizuar pas krizës energjetike globale, është korridori rajonal i energjisë, ku disa shtete bëjnë përpjekje për transformim të energjisë nga qymyri në atë të energjisë së rinovueshme, dhe me pak shpenzime për korporatat. Një ndër ato korridore është korridori i quajtur si “Korridori Trans-Ballkanik”, që është një rrjet rajonal i energjisë që lidh sistemet e energjisë elektrike të Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë, duke vazhduar me Kroacinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Italinë përmes linjave ajrore 400 KV.

Projekti një njihet si “kalimi nga qymyri” në “energji të pastër”, është paralajmëruar qysh më herët në makro planet ekonomike. Nga ana tjetër, për më shumë se dy shekuj, energjia dhe burimet tjera fitohen në rrugë që shkojnë në dëm të mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Transformimi industrial nga qymyri në burime të gjelbra të prodhimit të energjisë është çelësi për rajonin e Ballkanit dhe vendeve në zhvillim, thonë analistët e burimeve natyrore. Në të njëjtën kohë, ky kalim ekonomik shërben për të përmbushur detyrimet e shteteve të rajonit dhe të Maqedonisë së Veriut që burojnë nga Marrëveshja e Parisit. Kur jemi tek rrjeti energjetik, dihet se linjat e transmetimit të energjisë datojnë që nga koha e Mbretërisë Serbe, dhe RSFJ-së.

Shumë pak investime janë bërë për një rrjet të fuqishëm dhe modern të përçimit të energjisë ekzistuese. Në të ardhmen, në këtë fushë, rol kryesorë do të kenë linjat e energjisë dhe ato të kohës së fundit të quajtura si inteligjente. Rrjeti inteligjent do të ketë ndikim në rritjen e fuqishme të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe mirëmbajtjen e saj nga sulmet kibernetike. Këtu prej shteteve më aktive duket se është Serbia ku operatori i sistemit të transmetimit të energjisë serbe (SES), ka marrë një ndihmë financiare prej 8.5 milionë euro për ndërtimin e seksionit të IV të korridorit rajonal.

Mediat kanë njoftuar se ky veprim i Beogradit do të përshpejtojë përfundimin e projektit që synon lidhjen e sistemeve energjetike të Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë, Serbisë, Bosnjës dhe Malit të Zi, e njëkohësisht rritjen e kalimit të energjisë elektrike nga një shtet në shtetin tjetër fqinj, në rast të katastrofave të ndryshme. Shtetet e Ballkanit Perëndimor raportohet se kanë një sistem të ndërlidhjes solide energjetike, po kjo nuk është e mjaftueshme për të siguruar energji për të gjithë, për arsye të vjetërsisë së rrjetit dhe abuzimeve me energjinë nga palë të treta. Sipas raporteve që kanë publikuar shtetet për këtë projekt, rrjeti më i gjatë i transmetimit gjendet në Serbi me një gjatësi me 9504 km, Bosnja me 6321 km, Shqipëria me 3298 km, Maqedonia e Veriut me 2458 km, Kosova me 1358 km dhe Mali i Zi me 1300 km.

Deri në përfundim të këtij projekti ndërlidhës do të duhen më së paku edhe pesë vite tjera për të zgjeruar dhe transformuar këtë pjesë të sistemit energjetik të vjetër në një gjendje të re e cila duhet të prodhojë edhe energji të rinovueshme për të gjithë. Siguria energjetike mbetet mjaft vendimtare për të ardhmen e shteteve jo vetëm të Ballkanit Perëndimor. Në disa fusha tjera për fat të keq, këtu Shqipëria ende vazhdon me praktikat e vjetra, dhe nuk po arrin të bëhet pjesë e nismave të energjisë së rinovueshme bashkë me Kosovën.

Shumë premtime nga qeveritë dhe asgjë konkrete në hapësirën shqiptare energjetike Konkurrenca gjeopolitike në fushën e sigurisë është sfida e shekullit për mbijetesën e shteteve në sistemin ndërkombëtar. Shtetet që do të afrohen më afër sistemit të BE-së, të atyre shteteve të zhvilluara, dhe natyrisht sistemeve të veta të prodhimit të energjisë, rreziqet për ta do të jenë më të vogla dhe pengesat do të mund t’i kalojnë më lehtë bashkë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button