Prokuroria Publike e Sofjes nisi parahetim për ngjarjen në Ohër

Prokuroria Publike e Qarkut në Sofje ka nisur procedurë parahetimore për shkak të kërcënimeve me jetë të Hristijan Pendikovit, i cili u lëndua në një incident para një objekti hotelerie në Ohër më datën 19 të këtij muaji, raporton MIA.
Siç informoi zëdhënësja e Prokurorisë Publike, Sijka Mileva, Pendikovi ka dorëzuar kallëzim në Drejtorinë e Përgjithshme për Luftë Kundër Krimit të Organizuar (GDBOP) në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bullgarisë se në një publikim në rrjetin social “i është dërguar mesazh kërcënues në gjuhën maqedonase”, si dhe se në internet janë publikuar fotot e tij me thirrje për “dhunë ndaj tij”.
Sipas Milevës, prokurori publik kompetent ka urdhëruar GDBOP që të bëjë hetime pas kallëzimit.
“Prokuroria e Republikës së Bullgarisë e ka kthyer në kauzën e saj fillimin e procedurës kundër krimeve të urrejtjes, me të cilat përballet edhe i gjithë komuniteti evropian”, shtoi Mileva.
Pendikovi, i cili mori lëndime gjatë rrahjes në Ohër, javën e kaluar u transferua në Sofje për trajtim.