Paradokset e komunikimit kulturor mes shqiptarëve

Debatet lidhur me komunikimin kulturor brendashqiptar zunë fill pas rrënimit të sistemit monist në vendet ku jetojnë shqiptarët. Po sjell këtu një të dhënë që nuk toleron komente. Nga fundi i viteve të nëntëdhjeta kur disa medie të shkruara botoheshin paralelisht në Shkup, Prishtinë e Tiranë, më ra në sy një paradoks. Nuk e di ku dhe kush kishte vendosur që këto botime të njëkohshme të kishin përmbajtje gati të njëjtë, përveç faqeve të kulturës. Gazetat në fjalë sillnin të dhëna mbi bëmat e kryepleqve të mëhallëve, fjalimet bajate të përjermshme të kryetarëve të bashkësive lokale, kronikat e zeza dhe ato të katrantat, gjithçka që lidhej me bërllokun e kasabave të tri pjesëve të shkëputura ashtu siç e thotë historia, po jo dhe shkrimet publicistike, kolumnat dhe esetë e krijuesve shqiptarë. Ato jepeshin vetëm për publikun e sinorëve përkatës ku botoheshin gazetat. Kjo përbënte njërin prej akteve të tragjikomedisë sonë, sepse, më zi se dje, nisëm ta persekutojmë mendimin e lirë kulturor, ta varfërojnë shpirtin tonë, të krijojmë hapësira të vetmjaftueshme kulturore, arena xhuxhe të denja për gara liliputësh estetikë, të bëhemi hisedarë në thellimin e disbalanceve në zhvillim, të krijojmë kushtet për tëhuajtjen tonë në këste të padiktueshme, të favorizojmë copëzimin e mëtejmë që mund t’na shndërrojë më shpejt seç e pandehim në konglomerat etnishë shqiptare me identitete inekzistente.

Ata që përsiatin esëll e kanë të qartë se edhe aktualisht komunikimi kulturor ndërmjet shqiptarëve ka mbetur i vakur dhe nuk është për ta marrë mësysh. Jo rastësisht në kiosqet e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Strugës… nuk shiten gazetat ditore që botohen gjithandej Shqiptarisë. As në kiosqet e Tiranës, Prishtinës, Ulqinit, Preshevës… nuk shiten gazetat shqipe që botohen në Maqedoninë e Veriut. Janë të rralla shfaqjet e trupave teatrore shqiptare që mund të shihen jashtë qyteteve ku janë përgatitur. Pothuajse gjithë qytetet tona nuk kanë kinema për të parë, para se t’i shohë bota, realizimet e reja të filmit artistik shqiptar. Janë rralluar dhe koncertet e këngëtarëve që nuk e përmbytin repertorin me kakofoni tallavashë. Nuk kemi lexime të rregullta poetike, prezantime të veçanta krijuesish të rinj e të talentuar nga viset e ndryshme shqiptare dhe jo vetëm. Nuk kemi rrahje të gjalla mendimesh në nivel kombëtar mbi çështjet jetike si  kultura dhe arsimi… Dhe për këto vaki faji është joni.

Këto janë arsyet përse ne, as pas tri dekadash, nuk e kemi përfunduar fazën e vetënjohjes dhe nuk i kemi bërë përpjekjet e domosdoshme institucionale për të vendosur linjat e komunikimit normal kulturor brendashqiptar. Nuk e kemi akoma një qendër të vetme që do t’i planifikonte dhe do t’i mbështeste materialisht idetë zhvillimore që mund ta mbajnë gjallë shpirtin tonë edhe në shekujt që pasojnë; që do të ngrinte një akademi kombëtare shkencash e artesh; që do të përpilonte tekste të përbashkëta shkollore; që do të hartonte një histori të përbashkët letërsie; që do të vendoste standardet e qëndrueshme në të gjitha sferat e jetës; që do të kategorizonte arritjet kulminante në shkallët e kierarkisë së vlerave të denja për gara kulturore me të tjerët përreth nesh; që do t’ua krijonte të gjitha favoret e mundshme talentëve të rinj, për t’ua bërë të mundur t’ia ofrojnë botës imazhin e mirëfilltë të shpirtit fisnik e kreativ shqiptar.

Me avazin e komunikimit të pamjaftueshëm, të rastësishëm, e stihik, komunikimit të varur nga vullneti dhe mundësitë e vogla të individëve, komunikimit të grupeve mediokre që vetëm së jashtmi arrijnë të përhapin imazhin e pispillosur të ngjarjeve të mëdha kulturore, komunikimit që është në shërbim të interesave meskine personale që nuk i sjell asnjë dobi qenies sonë kolektive… kemi dëshmuar paaftësinë për t’ia dhënë formën e duhur hapësirës sonë të patrajtë kulturore. Me vetëdije dhe pa të, i kemi kontribuuar procesit të copëzimit të esencës shqiptare të cilës, në dallim nga e kaluara e hidhur, sot i prinë kabilja e alkimistëve të mirëpaguar, që, në emër të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, përpiqen të sendërtojnë madje dhe ëndrrat e kobshme të fqinjëve nëpërka për t’na zhbërë nga faqja e dheut. Rishfaqja e kohëpaskohshme e këtyre fenomeneve duhet t’na brengosë dhe t’na i hapë sytë. Kambanat i shohim të gjithë dhe rënien e tyre e dëgjojmë notë për note. Tjetër punë pse nuk arrijmë t’i shmangemi kollaj atij makthit të Gjergj Fishtës, që më parë e bëri t’i besojë mundësisë së mbushjes së thesit me pleshta se sa bashkëpunimit mes dy shqiptarëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button