Spasovski: Pjesë e një lufte dhe skenari hibrid është rasti në Ohër, rrahësit dhe i rrahuri janë nga i njëjti grupacion

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se rrahja e javës së kaluar në Ohër, në të cilën u lëndua sekretari i klubit bullgar “Car Borisi III”, është pjesë e një lufte hibride kundër Maqedonisë. Sipas tij, qëllimi i luftës hibride është bllokimi i integrimit evropian të vendit, transmeton Portalb.mk.

“Njerëz nga i njëjti grupacion janë ata që rrahin dhe ata që rrihen. Kjo dëshmon atë luftë hibride. Çdo veprim inkriminues i ndërmarrë nga shteti reagon në këtë seksion dhe themi se në asnjë moment asnjë qytetar, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, politike apo çfarëdo lloji tjetër, nuk mund të sulmohet dhe keqtrajtohet fizikisht. Shteti do ta kundërshtojë qartë këtë dhe do të marrë të njëjtat masa që po merr në këtë rast. Edhe pse po mundohen të na thonë se shteti nuk merr masa për ndonjë kategori të qytetarëve, se nuk bën hetime efikase, gjë që nuk është e vërtetë”, tha Spasovski në emisionin “Utrinski Peçat”.

Edhe transferimi i të lënduarit në spitalin e Sofjes me avion të qeverisë bullgare është pjesë e skenarit, konsideron ministri.

“Sigurisht që ky po krijon një skenar për të treguar shqetësimin e supozuar. Të njëjtin kujdes, madje edhe më mirë, mund ta ketë në objektet shëndetësore në Maqedoni”, tha Spasovski.

Spasovski thotë se në vend, por edhe jashtë, ka elementë që nuk kanë dashur që ne të jemi anëtarë të NATO-s dhe tani nuk duan që ne të jemi në BE dhe se aktivitetet e tyre janë shtuar që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Njëzet e një vjeçari bullgar nga Ohri, Hristijan Pendikov, sekretar i klubit bullgar “Car Boris III” në Ohër, më 20 janar është rrahur nga tre persona para një restoranti në qendër të qytetit. Lajmin e ka publikuar në Facebook eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, i cili gjithashtu ka raportuar se Pendikov është pranuar në spital.

Kujtojmë se, ky nuk është incidenti i parë me klubin bullgar në Ohër. Pikërisht dy muaj më parë klubit i është thyer xhami. Më 7 tetor, në vend të hapjes zyrtare të këtij klubi, pati protestë, ku dhjetëra qytetarë shprehën pakënaqësinë e tyre për hapjen e Shoqatës qytetare “Car Boris III” në Ohër. Protesta u organizua nga Partia E Majta dhe u përkrah nga VMRO-DPMNE.

Klubet kulturore bullgare në RMV

Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir (“Vanço Mihajllov”) dhe tjetri në Ohër (“Car Borisi i Tretë”). Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë pjesë e historisë së errët të Bullgarisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

Më 16 prill 2022, kryeministri bullgar Kirill Petkov, bashkë me funksionarë të lartë bullgar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, morën pjesë në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajllov”. Për opinionin maqedonas ishte emri i klubit ishte diskutabil.

Më 4 qershor 2022, këngëtari maqedonas Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Më 7 tetor të këtij viti, u hap klubi tjetër bullgar me emrin “Car Borisi i Tretë”. Një grup maqedonas protestuan në Ohër kundër hapjes së klubit me pankarta antifashiste, duke aluduar në veprimtarinë e Car Borisit të Tretë të Bullgarisë si aleat të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protesta ishte në atmosferë të tensionuar, ndërkaq disa prej qytetarëve kanë gjuajtur në drejtim të objektit.

Më 12 tetor, Policia njoftoi se ka marrë paraqitje se është dëmtuar tabela e klubit kulturor “Car Borisit i Tretë” i Bullgarisë në Ohër

Në ndërkohë, ka pasur paralajmërime për për formimin edhe të një shoqate tjetër bullgare në Maqedoninë e Veriut me emrin e Car Ferdinandit, i cili ka sunduar me Bullgarinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Veprimtaria e Car Ferdinandit konsiderohet e dëmshme për Maqedoninë e Veriut, andaj edhe kundërshtohet regjistrimi i shoqatës me emrin e tij. Por, edhe emri i klubit maqedonas kontestohet nga pala bullgare, duke e konsideruar pjesë të historisë bullgare.

Kryeministri Kovaçevski, ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zgjidhjen e këtij problemi, të cilin ai e ka quajtur si “provokim të rëndë”.

“Ne kemi formuar komision që duhet të vlerësojë nëse kjo shoqatë duhet të lejohet. Institucionet duhet të përcaktojnë nëse formimi i tyre është në përputhje me legjislacionin tonë. Gjithashtu, kemi angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave që do të ketë për bazë ligjin gjerman. Veç kësaj, në hartimin e ligjit kam kërkuar që të përfshihen të gjitha palët, e edhe pjesëtarët e komunitetit hebre”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button