Nxënëset e medresesë protestuan t’iu njihen diplomat për t’u regjistruar në universitete, propozim-ligji fle në Parlament (Video)

Nxënëset e Medresesë së Tetovës sot përmes një tubimi në sheshin e qytetit kërkuan që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend, ata thonë se zgjidhja për problemin e tyre zvarritet për vite me radhë dhe institucionet nuk po punojnë në këtë drejtim. Pavarësisht se për zgjidhjen e këtij problemi ka projekt-ligj Parlament, ai po zvarritet dhe nuk po gjen implementim, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kishin paralajmëruar tubim në shesh, nxënëset nuk u paraqitën në kohën e lajmëruar por u vonuan. Kjo për shkak se thanë se kanë pasur kërcënime dhe presione që mos të dalin madje u është mbyllur edhe dera e shkollës, siç thonë që mos të bëjnë zhurmë për këtë problem, dhe e njëjta të zgjidhet në heshtje por që në heshte sipas tyre zgjatë shumë gjatë.

Nxënëset thonë se e drejta për shkollim si e drejtë njerëzore garantohet në të gjitha konventat ndërkombëtare, duke filluar që nga Deklarata Universale e Drejtave te Njeriut. Por sipas tyre kjo e drejte po shkelet vazhdimisht ne Maqedoninë e Veriut, kur u pamundësohet nxënëseve të medresesë “Isa Beu” që të vazhdojnë studimet e larta në universitetet publike dhe privato-publike në vendin tonë.

Nxënësja Asja Ljazimi thotë se ky nuk është një problem i ri për to pasi nxënësit e Medresesë “Isa Beu” me këtë problem ballafaqohen që nga themelimi i kësaj shkolle.

“Më duhet të theksoj se kjo nuk është protesta e parë e organizuar për këtë çështje. Por, kësaj radhe me zë më të lartë kërkojmë që kjo çështje të mos zvarritet akoma më shumë, sepse studentët po humbin durimin, ndërsa shoqëria dhe shteti po humbin një kapital të madh njerëzor dhe profesional”, tha nxënësja Asja.

Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, partitë politike parlamentare dhe qytetarët të përkrahin kërkesën e tyre për shkollim.

“Ne jemi të bindur se zgjidhja ekziston, e gjitha që duhet është vullneti për zgjidhje. Kërkojmë të drejtën për shkollim, kërkojmë barazi, asgjë me shume”, tha nxënësja.

Ata shtuan se profesorët i përkrahin moralisht por jo që të dalin në protesta. Shtojnë se kanë kërkuar nga Bashkësia Fetare Islame, sipas tyre u është thënë se do rregullohet por siç thonë “gjithnjë del diçka dhe prishet gjithçka”.

Në mbështetje të nxënësve në shesh kishte edhe prindër.

“Të zgjidhet ky problem më shpejtë sepse nxënësit vazhdojnë të ngelin pa shkollën e mesme të akredituar. Nuk është bërë që është dashur të realizohet. Kanë premtuar që do zgjidhet problemi, kinse ka shkuar prej në Qeveri në Parlament por nuk është duke u bërë asgjë. Nuk mund të shkojë në fakultet, dëshiron të shkojë në Universitetin e Tetovës por nuk mundet të shkojë”, tha prindi i një nxënëseje.

Protestë të ngjashme kishte para një viti e gjysmë. Nxënësit e medresesë kërkuan nga Myftinia e Tetovës që të ju zgjidhet ky problem pasi siç thanë aso kohe kjo gjë u ishte premtuar kur janë regjistruan në këtë shkollë. Por zgjidhje nuk pati.

E nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) sot edhe pse të pyetur nga Portalb.mk për këtë, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën.

Ky problem është edhe i shkollave të mesme teologjike ortodokse, jo vetëm atyre islame.

Çka është problemi?

Nxënësit të cilët mbarojnë shkollat e mesme fetare, si medreseja apo aj teologjike ortodokse, nuk mund të regjistrohen nëpër universitetet e vendit, pasi nuk u pranohen diplomat, thënë shkurt nuk njihen nga shteti, ndërsa të njëjtit mund të regjistrohen në universitete në rajon apo në Turqi.

Kur ky problem bëhet temë diskutimi për përfshirjen e mësimeve fetare në sistemin arsimor të vendit, paralelisht me të ngritet edhe çështja e sekularizmit të shtetit.

Qëndrimi i institucioneve qendrore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb thotë se nga ana e grupit të deputetëve është dorëzuar Propozim për Ligjin për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, i cili duhet të rregullojë ligjërisht punën e shkollave fetare.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dhënë mendim pozitiv për propozim-amandamentet e Ligjit dhe ato janë në procedurë parlamentare”, thanë nga Qeveria.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) edhe pse na thanë se do të përgjigjen në lidhe me këtë problem, deri tani nuk u përgjigjën. Madje, kjo nuk është hera e parë që ky institucion vepron kështu.

Sot në mbrëmje, në një tubim partiak ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se ka ndjekur protestën e sotme të nxënësve dhe foli për propozim-ligjin i cili nga Qeveria ka marrë mendim pozitiv dhe është në procedurë parlamentare.

“Por, jo vetëm kjo, disa takime kam realizuar me Bashkësine Fetare Islame në të njëjtën kohë kanë qenë përfaqësuesit e Byrosë të Arsimit, kam thirrur edhe subjektet politike që në parlament u ka interesuar më shumë kjo çështje. Bashkërisht me Byronë e Zhvillimit të Arsimit, unë si minisër e kam inicuar, e kam ngritur këtë iniciativë për të parë mundësinë se si është e zgjidhur kjo problematikë në shtetet përreth”, tha Shaqiri.

Ndërsa përmenndi shembullin se si kjo është e rregulluar në Kroaci apo Shqipëri.

“Një nga mënyrat si është zgjidhur atje është me marrjen e lejes ose akreditimin e programeve të cilat i bën Byroja dhe mandej jep leje Ministria për të pasur programet e akredituara. Kemi rënë dakord me BFI-në që të sjellin elaboratin që duhet të fillojë procedura, por ende nuk e kanë arritur përpunimin e elaboratit. Nëse dorëzohet elaborati për nismën që e kanë ose projekt-ligji jemi në gadishmëri për ta realizuar”, tha Shaqiri.

Ai tha se nëse shkohet me versionin përmes elaboratit dhe të bëhet përmes Byrosë do të jetë më shpejtë se sa ajo përmes projekt-ligjit.

Ndërkaq nga Kuvendi heshtën ndaj pyetjeve gazetareske.

Nismë për zgjidhje të problemit

Për të zgjidhur këtë problem, grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim korrikun e kaluar në Kuvend dorëzoi propozim-ligj për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare. Ndërsa në muajin shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Arsim në Kuvend u fut ky projekt-ligj, i cili parashikon që shkollat e mesme islame dhe ata të mesme teologjike ortodokse të jenë pjesë e sistemit shtetëror, të financohen nga buxheti si dhe programi i tyre të jetë nën kontroll të institucioneve.

Ky projektligj parashikon që plani mësimor në këto shkolla të ketë 55 përqind të gjimnazin dhe 45 përqind të lëndëve për arsimin fetar.

Ky ligj, nëse miratohet, do t’u lejojë këtyre nxënësve që të regjistrohen si në fakultetet fetare, si dhe në ato ku studiohen shkencat shoqërore dhe humaniste.

Mirëpo, në muajin shtator seanca e Komisionit për Arsim në Kuvend nuk u mbajt, dhe sot e kësaj dite kjo nuk është bërë ende.

Në dokumentin e mëposhtëm mund të shihet komplet propozim-ligji dhe çfarë parasheh.

Partitë Politike Parlamentare mbështesin zgjidhjen e këtij problemi, por nuk përshpejtojnë aktivitetet

Të pyetur pikërisht për propozim-ligjin e lartpërmendur, deputetë dhe partitë politike thonë se përkrahin zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Deputetja nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Fisnike Bekteshi Shaqiri e cila është nga lista e cila ka propozuar këtë projekt-ligj për Portalb thotë se kanë vepruar kështu pasi në bazë Kushtetutës si akt më i lartë juridik i shtetit, të gjithë qytetarët janë të barabartë në liritë dhe të drejtat, secilit i garantohet liria e shprehjes së fesë, si dhe ajo se bashkësitë fetare dhe grupet religjioze janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit.

Fisnike Bekteshi Shaqiri (Foto nga arkivi personal, e përdorur me leje)

“Për shkak te mospërputhjes ligjore, e cila për vite me radhë u është mohuar nxënësve të këtyre shkollave të ushtrojnë të drejtën e arsimit në kushte të barabarta me nxënësit e tjerë të përfshirë në sistemin funksional të arsimit të mesëm, imponohet nevoja për rregullim ligjor të kësaj çështjeje, e cila do të garantojë barazi në të gjithë procesin arsimor. Bashkimi Demokratik për Integrim ka treguar gatishmëri dhe që ky Propozim-ligj të miratohet në Kuvend. Propozim-ligj është në lexim të parë në Komision për Arsim, Shkencë dhe Sport, andaj Bashkimi Demokratik për Integrim apelon deri te Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport që sa më shpejtë të konvokojë seancën ku në rend dite është ky propozim ligj dhe apelojmë tek të gjitha partitë tjera politike që ta përkrahin këtë propozim-ligj dhe sa më shpejtë të miratohet ky Propozim-ligj”, deklaroi deputetja Bekteshi Shaqiri.

Sipas saj me këtë Propozim-ligj do t’ju mundësohet nxënësve që kanë mbaruar ose mbarojnë arsimin në këto shkolla fetare të mund arsimin e vet ta vazhdojnë në pjesë të institucioneve të larta arsimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në vende tjera të Evropës dhe në tërë botën.

Nga ana tjetër, deputeti nga Aleanca për Shqiptarët, Halil Snopçe për Portalb thotë se për këtë rast ka reaguar fillimisht te avokati i popullit pasi siç tha patjetër avokati i popullit duhet t’i mbrojë interesat e fëmijëve, pasi atyre u lejohet të vazhdojnë shkollimin e mesëm dhe pastaj nuk u lejohet të shkojnë nëpër universitete të regjistrohen në vend. Ai sqaron se për këtë ka reaguar edhe në Kuvend.

Halil Snopçe

“Faktikisht ne nuk shfrytëzojmë kapacitetin dhe potencialin e të rinjve, janë rreth 500 nxënës në shkollat e medresesë, me këtë ne e stimulojmë edhe migrimin, pasi një i ri nëse nuk regjistrohet këtu, do shkojë atje ku do mundet”, vlerëson Snopçe.

Lidhur me propozim-ligjin për këtë problem, ai thekson se seanca e Komisionit të Arsimit nuk është mbajtur pasi nuk kanë shkuar deputetët e BDI-së dhe LSDM-së, dhe se kjo seancë nuk është mbajtur ende.

Snopçe tregoi se ka biseduar edhe me ministrin e Arsimit dhe kryeministrin dhe se është propozuar që ai të jetë kryetar i këtij komisioni. Ai shprehet optimist se kjo do të zgjidhet së shpejti dhe se po punohet në këtë drejtim.

“Besoj se nuk është mashtrim. Kam informacion se është në rrjedhë e sipër”, përfundoi Snopçe.

Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalbit për këtë problem.

Ndërsa nga VMRODPMNE-ja për Portalb theksojnë se shumica qeverisëse e LSDM-së dhe BDI-së ka përgjegjësi që të hapë debat për këtë temë.

VMRO-DPMNE, selia
VMRO-DPMNE, selia

“Por ajo që po shohim në Kuvend është kaos dhe shumicë jofunksionale që nuk ka dëshirë të zgjidhë asnjë problem të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, presim që në të ardhmen ekspertët e arsimit të japin kontributin e duhur për këtë temë. Ajo që VMRO-DPMNE ka si qëndrim të vazhdueshëm është që të gjithë nxënësit të kenë mundësi të vazhdojnë shkollimin në drejtim të vendimit të tyre që e kanë marrë me regjistrimin në të njëjtin”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Lëvizja Besa nga ana tjetër për Portalb thotë se përkrahin protestën e sotme të nxënëseve të medresesë në Tetovë. Ata kujtojnë se kur ishin pjesë e Qeverisë, për këtë problem ishte angazhuar ish zëvendës-ministri i Arsimit, Arafat Shabani ku kanë ofruar zgjidhje.

Lëvizja Besa, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Lëvizja Besa, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Aso kohe nga ana e BFI-së besuan në trillimet e partisë në pushtet BDI, gjoja kjo punë do rregullohet me ligj, dhe në momentin kur duheshe të mbroheshe nga ana e propozuesit, propozim ligji në komision arsimor, propozuesi nuk u paraqitë në mbledhjen e komisionit dhe kështu dështoi tentativa për të sjellë ligj me anë të së cilës duheshe të akreditohet Medreseja dhe të zgjidheshe problemi i atyre nxënësve. Ndërkaq, propozimi yni ishte më i thjeshtë dhe më lehtë i realizueshëm, por ata besuan te BDI dhe ja ku jemi tani pa status të zgjedhur”, thonë nga Lëvizja Besa.

Nga atje shtuan se janë të gatshëm dhe kanë vullnet politik për ta zgjidhur këtë problem dhe se përkrahin nxënësit dhe përpjekjet e tyre për realizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Marrë parasysh se deputeti i ASH-së përmendi se ka kërkuar zgjidhje për këtë problem edhe nga avokati i popullit, kontaktuam zyrën e tij për këtë problem, por nga atje deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk kemi.

Përndryshe futja e shkollave të mesme fetare në sistemin shtetëror trajtohet me vite të tëra. Nismë pati në vitin 2009 kur fakulteti për islamin dhe ai ortodoksinë u futën në sistemin shtetëror, por pa asgjë konkrete. Në vitin 2015 gjithashtu pati tentativë për zgjidhjen e kësaj, por përsëri pa rezultat konkret.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button