Tensionet e përmasave serioze midis RMV-së dhe Bullgarisë në dëm të të dy vendeve dhe eurointegrimeve

Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes së fundmi janë tensionuar mjaftë, duke arritur edhe në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Maqedonia e Veriut. Njohësit e çështjeve politike për Portalb.mk këtë situatë e komentojn në mënyra dhe këndvështrime të ndryshme. Për njërën palë, propozimi i Pendarovskit ishte në kohë të gabuar, pasi grupe apo fjalime pro-ruse që nuk dëshirojnë raporte të mira ka në të dyja vendet. Ndërsa, për palë tjetër, edhe pse instrumenti “non-grata” mund të përdoret për të dhënë njëfarë paralajmërimi, mirëpo në këtë rast nuk i duhej dhënë vëmendje.

Analisti Selim Ibraimi, tha se veprimet e fundit do të shkojnë në dëm të tensionimit të marrëdhënieve në mes Shkupit dhe Sofjes, gjë që veç se ka ndodhur. Ai shton se nuk është gjetur koha e mirë për t’i marrë këto masa nga pala maqedonase,pasi shumë më herët kemi pasur retorika të tilla apo fjalime nga individë apo grupe pro ruse e kundër Maqedonisë së Veriut. E njëjta, sipas Ibraimit, vlen edhe për Maqedoninë e Veriut ku po këtu ka grupime dhe tendenca anti bullgare dhe pro ruse që nuk dëshirojnë raporte të mira.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Koha që zgjodhi presidenti për non -gratën nuk shkon në favor të zgjidhjes së shpejtë të pengesave tjera në mes dy palëve. Në të dyja shtetet në nivelet e larta qeveritare shihen veprime që nuk janë të interesuara për thellim të marrëdhënieve por vazhdim të një gjendje të ftohtë në mes dy shteteve. Ka kohë që kjo retorikë të ulet dhe të normalizohet në kushtet e një dialogu  ballkanik për t’i përballuar rusët si në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari. Non -grata nuk është zgjidhje pasi problemi është më i thellë si Maqedoni ashtu edhe në Bullgari”, thotë Ibraimi.

Nga ana tjetër analisti Nano Ruzhin konsideron se në momente të caktuara kur ndodheni nën presionin e ngjarjeve dhe personave, të cilat mbrojnë opinionit publik, është e kuptueshme që njerëzit e parë të shtetit, mbi të gjitha në rastin e presidentit Pendarovski, të reagojnë.

Nano Ruzhin
Nano Ruzhin

“Mendoj se presidenti, në fakt, kujtoi qartë se në raste të tilla mund të përdoret instrumenti persona non-grata, por duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet vendi ynë, mbi të gjitha ambiciet për anëtarësim në BE, që në masë të madhe varen nga marrëdhëniet me Bullgarinë, mendoj se kjo çështje nuk është e dëshirueshme të theksohet, sepse në këtë mënyrë krijon një lloj shqetësimi në kuptimin që edhe vetë vendit mund t’i përgjigjet me instrumentin e ngjashëm, i cili nuk është i dëshirueshme në kushtet e sotme, prandaj mendoj se si një lloj paralajmërimi është mirë, por si përdorim real i këtij institucioni, mendoj se është joproduktiv dhe nga ana tjetër i është kushtuar shumë rëndësi këtij njeriu që njihet edhe si politikan jopopullor edhe si politikan margjinal në Bullgari dhe prandaj mendoj se nuk ka nevojë të merremi më shumë”, tha Ruzhin.

Ndërkohë Gjorgji Spasov, ish-ambasadori në Sofje dhe profesor universitar, në intervistën për “Nezavisen” vlerëson gjithçka që po ndodh javën e fundit në marrëdhëniet maqedono-bullgare është pjesë e “ambicieve perandorake” të Sofjes ndaj Maqedonisë dhe popullit maqedonas. Sipas tij, kur pas disa vetove erdhi propozimi francez dhe i gjithë “pozicioni kornizë” i Sofjes u reduktua vetëm në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, filluan provokimet përmes formimit të një sërë klubesh bullgare në Maqedoni. Sipas tij, qëllimi i kësaj fushate të fuqishme përmes prishjes së strukturës maqedonase është, në fakt, të mos miratohen ndryshimet kushtetuese dhe Maqedonia të mbetet për një kohë të gjatë jashtë BE-së.

Gjorgji Spasov
Gjorgji Spasov

“Kur u nënshkrua Marrëveshja e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë në vitin 2017, qeveria e Zoran Zaev dhe shumë prej nesh besuan se ajo do t’i jepte fund ose të paktën do të kufizonte ambiciet perandorake të Bullgarisë ndaj Maqedonisë. Ato ambicie perandorake të Bullgarisë ndaj Republikës së sotme të Maqedonisë së Veriut ekzistojnë dhe nuk janë shuar nga luftërat ballkanike deri më sot. Ato përmbahen në besimin e përgjithshëm në Bullgari, të përhapur dhe të ruajtur përmes propagandës politike dhe përmes sistemit arsimor, se maqedonasit si komb i veçantë nuk ekzistojnë, se gjuha e tyre është vetëm dialekt i bullgarishtes. Në propagandën dhe tekstet bullgare shkruhet se shteti i sotëm bullgar kufizohet me “veten” nga të gjitha anët, pra me bullgarët që mbetën në anën tjetër të kufirit në Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Rumani”, thotë Spasov.

Ka një periudhë mbi dy vjeçare që marrëdhëniet midis Shkupit dhe Sofjes trazohen shpesh me provokime herë nga njëra palë e herë nga tjetra.

Ministri teknik i i Punëve të Jashtme i Bullgarisë Nikolaj Milkov njoftoi se Bullgaria do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë së Veriut për shkak të rrahjes së Hristijan Pendikov. Ai theksoi se ndërprerja e projekteve të përbashkëta do të jetë pjesë e reagimit bullgar për rastin Pendikov.

Ndryshe, pas rekomandimit të presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski për ndalimin e hyrjes në vend të një eurodeputeti bullgar dhe disa personave të tjerë, kanë ardhur edhe reagimet e partia të disa funksionarëve nga Bullgaria. Presidenti i Bullgarisë dje ka komentuar deklaratat e Pendarovskit duke shtuar se për këtë do të aktivizohen të gjithë mekanizmat evropianë për t’i dhënë fund, siç thotë urrejtjes dhe histerisë antibullgare.

Përveç reagimeve deklarative nga pala bullgare, kanë ardhur edhe veprime reale. Ambasadori bullgar, Angel Angelov do të qëndrojë jashtë Maqedonisë së Veriut derisa sa, siç tha, Sofja nuk sheh sinjale të ndryshimit.

Në deklaratë për mediat, ministri bullgar i Punëve të jashtme Milkov tha se “nëse Maqedonia e Veriut vazhdon të sillet ashtu është e mundur që Bullgaria të vendos veto”.

“Maqedonia që të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, duhet t’i respektojë obligimet e ndërmarra në kuadër të propozimit francez. Nuk ka nevojë që Bullgaria të bëj asgjë, por të sigurojë respektim të obligimeve që ka ndërmarrë Maqedonia. Në vet propozimin nuk ka afate, ata mund të mos i përmbushin me dekada, që do të thotë se nuk do të fillojnë negociatat”, deklaroi Milkov.

Lidhur me këto të Bullgarisë, reagoi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë e cila tha se aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në përputhje me praktikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella; përkundrazi, ato paraqesin nënshtrim ndaj provokimeve të atyre që duan t’i prishin përpjekjet e dy Qeverive për zhvillim të qëndrueshëm dhe pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Këshilli i ambasadorëve nga ana tjetër ka bërë thirrje që urgjentisht të qetësohen emocionet, të ketë qëndrim shtetëror dhe të veprohet me maturi, sepse tek zgjidhja mund të vihet vetëm përmes negociatave mes dy shërbimeve diplomatike.

Duke cekur se vëmendje dhe shqetësim i madh i ndjekë këto ngjarje, Këshilli i ambasadorëve potencon se “alternativa nuk ka, përveç konfliktit të paramenduar, dimensionet e të cilit akoma më rëndë do të kontrollohen, i cili në fund të fundit edhe atëherë duhet të përfundojë me negociata, siç kanë përfunduar të gjitha konfliktet e mëdha në histori, vetëm se me çmim shumë më të lartë”.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski të hënën në një konferencë për media pas seancës së Këshillit të Sigurimit informoi se sipas të gjitha vlerësimeve dhe analizave të shërbimeve kompetente të sigurisë, përkujtimi i lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë, sepse strukturat e organizuara në Bullgari, të cilat po bëjnë fushata antishtetërore ndaj Maqedonia e Veriut po mobilizon më shumë njerëz për të ardhur në Shkup

Qeveria pas seancës së fundit njoftoi se ka arritur në konkluzione lidhur me shënimin  e ditëlindjes së Goce Dellçevit, 4 shkurt, dhe ka ngarkuar MPB-në që të marrë të gjitha masat për sigurimin e ngjarjes, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, në pjesën rreth propozimit të Pendarovskit që eurodeputeti dhe disa qytetarë të tjerë bullgarë të shpallen persona non grata, Qeveria nuk është deklaruar ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button