Kuvendi i Shqipërisë zhvillon seancë të posaçme në kujtim të viktimave të Holokaustit

Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar një seancë të posaçme parlamentare në kujtim të viktimave të Holokaustit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e sotme parlamentare, zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar kanë përcjellë mesazhet e tyre, në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, që shënohet më 27 janar.

Në mesazhin Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, thuhet se kujtesa i ndihmon qeniet njerëzore të ndajnë të mirën nga e keqja dhe të drejtën nga e gabuara.

“Kujtojmë sot viktimat e Holokaustit, krim kundër njerëzimit, kulmi i dështimit shoqëror falë presionit, frikës paragjykimeve dhe ekstremizmit që shoqëronin luftën. Shqipëria ka qenë në anën e duhur të historisë për shkak të zgjedhjeve që ka bërë. Zgjedhje jo vetëm zyrtare, në formën e vendimeve, por edhe vlerave njerëzore, përmes solidaritetit. Besa dhe mikpritja e shqiptarëve, është origjina e këtij solidariteti të pashoq e të pazakontë”, thuhet në mesazhin e Presidentit Begaj, publikuar nga Presidenca e Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj në seancë tha se këtë sesion përkujtimor e organizojë “në përkujtim të njërës prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë moderne, Holokaustit”.

“Shqipëria në kohë të rënda ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë, shtëpitë tona si shtëpi rezervë të tyre, besa dhe humanizmi i shqiptarëve si një institucion mbrojtës i tyre prej mizorive”, tha ajo.

“Këtë seancë e përshëndet edhe Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog. Në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, presidenti (Herzog) shpreh mirënjohjen shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij për vendimin kurajoz dhe domethënës të Kuvendit të Shqipërisë për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit”, tha Nikolla.

Në emër të Qeverisë së Shqipërisë mbajti një fjalë përshëndetëse ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila theksoi se “Holokausti ishte një prej periudhave më të errëta të historisë njerëzore”.

“Kujtesa e asaj që është bërë si krim kundër njerëzimit është kthimi dhe rikthimi në vëmendje i asaj tragjedie të përmasave të jashtëzakonshme, instrumenti më i rëndësishëm mbi të gjitha për të mos lejuar përsëritjen e saj në çfarëdo lloj forme”, u shpreh Spiropali.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button