BE-ja do të kthejë më shumë migrantë në vendet e origjinës

Ministrat e migracionit të Bashkimit Evropian po takohen të enjten në Stokholm për të diskutuar kufizimet e vizave dhe një koordinim më të mirë brenda bllokut për kthimin në vendet e origjinës të migrantëve pa të drejtë azili në Evropë. Ndërkohë në vendet e Bashkimit Evropian janë shtuar prurjet e migrantëve duke shkaktuar ringjalljen e ideve të debatueshme për pengesa kufitare dhe qendrat e azilit, raporton VOA.

Kur kanë kaluar tre vjet që kur blloku 27 anëtarësh ra dakord të kufizojë vizat për vendet që nuk bashkëpunojnë për të rikthyer migrantët që shkojnë në Evropë nga vendet e tyre, vetëm Gambia është ndëshkuar.

Komisioni Evropian propozoi hapa të ngjashëm për Irakun, Senegalin dhe Bangladeshin, ndërsa dy zyrtarë të bllokut thanë se është përmirësuar bashkëpunimi me Bangladeshin për kthimin e migrantëve. Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, shkalla e përgjithshme e kthimeve të bllokut gjatë vitit 2021 ishte 21% .

Ministrja suedeze migracionit, Maria Malmer Stenergard foli për median para fillimit të takimit. Aktualisht Suedia mban presidencën e radhës të BE-së.

“Kemi një situatë serioze për sa i përket migrimit në Evropë. Po vërejmë shtimin e prurjeve të parregullta. Gjatë diskutimeve për çështjet e brendshme do të përqendrohemi tek kthimi i atyre që u është mohuar azili në Evropë. Kjo është e rëndësishme dhe Evropa mund të veprojë më mirë”.

Migracioni është një temë shumë e nxehtë politike, ku vendet anëtare të bllokut janë të prirura të diskutojmë shtimin e kthimit të migrantëve dhe uljen e imigracionit, sesa të ringjallin grindjet e ashpra mes tyre lidhur me ndarjen e përgjegjësive për kujdesin ndaj migrantëve që arrijnë në Evropë dhe fitojnë të drejtën për të qëndruar.

“I jam shumë mirënjohës presidencës suedeze që azili dhe migrimi i paligjshëm janë sot në qendër të diskutimeve, sepse është e nevojshme, kur shikohen shifrat e viteve të fundit dhe ato aktuale, që vazhdojnë të rriten në Evropë dhe Austri në veçanti. Është e rëndësishme që të shtohet lufta kundër keqpërdorimit të azilit”, tha Gerhard Karner, Ministër i Brendshëm i Austrisë.

Rreth 160,000 migrantë kaluan Mesdheun gjatë vitit 2022, sipas të dhënave të OKB-së, rruga kryesore për në Evropë për ata që largohen nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Juglindore. Gjithashtu, rreth 8 milionë refugjatë ukrainas u vëndosen në Evropë.

“Dua të theksoj se për Gjermaninë është shumë e rëndësishme pritja humanitare e atyre që ikin. Duhet të ketë rrugë ligjore për të migrimin dhe duhet të mënjanohen rrugët e rrezikshme përmes Mesdheut. Duhet të veprojmë siç duhet ndaj migrantëve të parregullt”, tha Nancy Faeser, Ministre e Brendshme e Gjermanisë.

Ndërsa vendet e BE-së, përfshirë Austrinë dhe Hungarinë, protestojnë ashpër kundër migracionit të parregullt, kryesisht mysliman nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, Gjermania është ndër ato vende që kërkojnë të hapin tregun e tyre të punës për punonjësit e huaj për të plotësuar nevojat e vendit.

Udhëheqësit e bllokur 27 anëtarësht do të takohen pas dy javësh në Bruksel për të diskutuar mbi migrimin ndërsa pritet të bëjnë thirrje për kthimin në vendet e origjinës të më shumë migrantëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button