Mitrovski: Dorëshkrimet e vjetra në letër në gjuhën maqedonase i shndërruam në material digjital

Instituti i Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov” pak kohë më parë i pranoi në formë digjitale rreth 4,5 milionë kopje origjinale në letër me dorëshkrime në gjuhën maqedonase të cilat datojnë nga shekulli XIV dhe XV. Me këtë proces të ndërlikuar, afatgjatë dhe të vëllimshëm u mundësua ruajtja e tyre përhershme dhe mbrojtja nga dëmtimi dhe shkatërrimi. Projekti i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik u realizua nga Qendra e të Dhënave të Arkivit “Inbox”. Meta e vizitoi këtë kompani që arkivon dhe menaxhon dokumentet fizike dhe elektronike, drejtori ekzekutiv i financave i të cilës, Jordanço Mitrovski, në këtë intervistë flet për procesin e digjitalizimit të dosjeve me dorëshkrime të vjetra me shekuj, transmeton Portalb.mk.

Për herë të parë dosjet me dorëshkrime të Institutit të Gjuhës Maqedonase vendi jonë i ka në formë digjitale. Çfarë përfshin ky proces më saktësisht?

Jordanço Mitrovski, Foto: Meta.mk
Jordanço Mitrovski, Foto: Meta.mk

Në thirrjen e Ministrisë së Kulturës dhe Fondit për Inovacione, ne si kompani dorëzuam projekt për digjitalizimin e dosjeve të Institutit të Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov”. Ai përfshinte konvertimin e materialeve origjinale në letër, pra fletëve unike, nga forma konvencionale në dy forma të tjera – njëra është forma konvencionale në mikrofilm dhe tjetra në një format jokonvencional, digjital. Procesi përfshinte digjitalizimin e rreth 4,5 milionë fletëve unike, të cilat ruheshin në letër. Materialet janë konvertuar në dy aspekte, njëri për ruajtjen e vetë materialeve dhe i dyti është qasja për vetë përdoruesit e materialeve. Konvertimi në mikrofilm mundëson ruajtjen e vetë materialeve, pra mund të ruhen në një vend të veçantë dhe me një përpunim të duhur kanë një qëndrueshmëri edhe deri në 500 vjet.

Kartoteka Maqedonase, foto: Meta.mk
Kartoteka Maqedonase, foto: Meta.mk

Na sqaroni procesin e digjitalizimit të materialeve. Çfarë pajisjesh përdorët në procesin e përpunimit?

Ne përdorëm teknologji më bashkëkohore, edhe për hardverin edhe për softuerin, kryesisht nga prodhues si “Kodak Alaris” dhe “Abi” softuerë. Ekziston legjislacion për procesin e digjitalizimit dhe konvertimin e materialeve në letër në formë digjitale. Ky përfshin përpunimin e duhur, kujdesin gjatë punës me mostrat origjinale për të mos i shkatërruar ato, më pas shndërrimin e tyre në imazhe digjitale dhe përpunimin e tyre shtesë në mikrofilm për ta mbrojtur vetë materialin. Në këtë mënyrë krijohen mostra digjitale që mundësojnë qasje më të mirë në vetë literaturën.

Pse është e rëndësishme që këto materiale të ekzistojnë në formë digjitale?

Kjo mundëson mbrojtje të vetë materialit. Ai ekziston në një format tjetër dhe kështu autorët ardhshëm të punimeve, akademikët, do mund të kenë qasje tek të gjitha materialet në format digjital. Në këtë mënyrë do evitohet manipulimi me materialet në letër, të cilat gjatë përdorimit mund të dëmtohen dhe shkatërrohen.

Kartoteka Maqedonase, foto: Meta.mk
Kartoteka Maqedonase, foto: Meta.mk

A janë plotësisht të sigurta dhe të mbrojtura nga keqpërdorimi dhe shkatërrimi materialet e digjitalizuara?

Mostrat digjitale të krijuara në “Inbox” janë me vulë dhe stampë kohore të impregnuar, mund të kopjohen pafund herë sipas nevojave të përdoruesit final, por nuk mund të ndryshohen. Sipas nevojës në të ardhmen mund të bëhen kopje të tyre nga vetë mikrofilmat me një teknikë të posaçme në plastikë, ndërsa materialet digjitale janë krijuar që të mos ketë nevojë që në të ardhmen të përdoren mostrat në letër, sepse kjo gjë mund t’i dëmtojë ato. Nga ana tjetër, do identifikohej menjëherë çdo tentative për manipulim me kopjet digjitale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button