Ndryshimet e kohërave tona

Dimri i sivjetshëm u vonua gjer tani, në fund të Janarit. Koha në muajin që duhet të jetë më i ftohti i vitit, ngjasonte me pranverën e vonë. Në oborrin e shtëpisë kishim lule që lulëzonin në mes të dimrit. Ndërsa në Kodrën e Diellit shkohej për t’u rrezitur dhe jo për skijim, sepse borë nuk kishte. Ky dimër jo i zakontë nuk po ndodhte vetëm tek ne, por edhe në vende tjera të Evropës, ku as bora artificiale nuk qëndronte sa duhet për të hapur sezonin e skijimit. Pushimet dimërore erdhën e shkuan, ndërsa fëmijët nuk e panë borën, sikur po jetonin në ndonjë vend tropikal.

Herën e fundit që patëm një dimër të tillë pa borë, ishte viti 2020. Atëherë ndoshta temperaturat nuk ishin kaq të larta, por borë nuk kishte fare. E mbaj mend mirë që atë vit bora ra me 1 Prill, në mes të epidemisë Covid-19. Brenda tri vitesh, dy vite fare pa dëborë. Nëse këtë e krahasojmë me kohën e fëmijërisë sonë, do të na kujtohet që në atë kohë dimrat ishin më të ftohtë dhe bora nuk mungonte asnjëherë, as edhe në rrugët e qytetit, e ku më në majat e maleve.

Nuk e di nëse na duhen edhe prova të tjera që gjërat kanë ndryshuar. Ndryshimet klimatike që dikush i quan teori konspiracioni, po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Dhe të tilla do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen, nëse nuk bëjmë ndryshime drastike në mënyrën tonë të jetesës.

Tani më është vërtetuar që ndryshimet klimatike janë ngushtë të lidhura me ndotjen e shkaktuar nga njeriu. Ne, ngadalë por sigurt, jemi duke e ngulfatur planetin tonë, e së bashku me të edhe gjeneratat që vinë pas nesh. Ashtu siç për fëmijët tanë mungojnë gëzimet tona të fëmijërisë, për fëmijët e fëmijëve tanë kam frikë se do të mungojnë gjëra më esenciale, si uji i pijshëm, sepse ajri i pastër ka kohë që nuk gjendet më mes nesh.

Nuk e kuptoj neglizhencën me të cilën sillen njerëzit dhe mungesën e plotë të gatishmërisë për të bërë “sakrifica” të vogla, për të përmirësuar sado pak këtë gjendje të mjerueshme në të cilën ndodhemi në aspektin klimatik. Sepse të merremi vesh, është luks që në një qytet me diametër tre kilometra gjithkund të shkohet me veturë. Është luks që një person i vetëm të udhëtojë me veturë deri në një qytet tjetër të afërt. Shumë gjëra që na duken normale janë në të vërtetë lukse të panevojshme që ia dhurojmë vetes, duke harruar se kështu po marrim peng ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Ç’është më e keqja, jetesa në luks na është bërë aq normale sa nëse dikush shkon kundër rrjedhës menjëherë etiketohet me epitete jo të pranueshme për shoqërinë. Sepse standardet shoqërore janë vendosur në atë mënyrë që lukset e përmendura më lartë të shihen si domosdoshmëri.

Dhe kështu, duke lëvizur gjithandej me veturat tona të shndritshme, duke ndenjur ulur për orë të gjata para kompjuterit, duke krijuar strese të panevojshme në ditët tona të numëruara në këtë botë, përfundojmë të sëmurë nga moslëvizja, për çka pastaj paguajmë shuma të majme për të shkuar sërish me veturë nëpër qendra fitnesi ku, vini re, duhet të bëjmë ushtrime kardio mbi lenta rrëshqitëse e mbi biçikleta dhome. E gjithë kjo për shkak se nuk duam të ecim ose na vjen turp të ecim sepse do të na konsiderojnë aq të pasuksesshëm sa nuk blejmë dot as veturë, ose edhe më keq, do të na konsiderojnë koprracë që nuk duan të harxhojnë para.

Ndryshimet e kohërave tona janë ndryshime paradoksale. Teknologjinë e kemi përdorur me shumë sukses që ta lehtësojmë jetën, por në raste të caktuara ajo na e ka stërkomplikuar jetën. Sot ka më shumë njerëz që vdesin nga mbipesha se sa nga uria. Sot ecja ka filluar të bëhet luks dhe jo vozitja me veturë. Sot gjithçka është kthyer së prapthi, prandaj edhe bora bie në Prill dhe jo në Dhjetor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button