MPJ e Maqedonisë: Aktivitetet e fundit nga Bullgaria nuk janë në përputhje me praktikën e përmirësimit të marrëdhënieve

Lidhur me veprimet e fundit të Bullgarisë, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë e cila thotë se i ndjek me vëmendje deklaratat dhe aktivitetet që vijnë nga Republika e Bullgarisë dhe me keqardhje konstaton se aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në përputhje me praktikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella; përkundrazi, ato paraqesin nënshtrim ndaj provokimeve të atyre që duan t’i prishin përpjekjet e dy Qeverive për zhvillim të qëndrueshëm dhe pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo ministrti shtojnë se ndonëse thirrja e Ambasadorit për konsultim në vendin amë është e drejtë e vendit dërgues dhe praktikë e rregulltë diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje për një hap të këtillë, të cilin e cilëson si të pabazuar, të pambështetur me argumente të vlefshme dhe joproporcional.

“Republika e Maqedonisë së Veriut tregoi një kapacitet të fuqishëm demokratik dhe institucional dhe përmes një procedure të shpejtë dhe efikase e kaloi incidentin e fundit në proceset gjyqësore, duke i zbuluar dhe arrestuar autorët e veprës penale, ndaj të cilëve në mënyrë aktive po kryhen veprime hetimore”, thonë nga MPJ.

Gjithashtu, shtojnë nga diplomacia e vendit, përmes deklaratave të tyre në nivelin më të lartë, Presidenti i shtetit, Kryetari i Qeverisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme e dënuan incidentin, ndërsa Ministri gjithashtu bëri një vizitë urgjente në Sofje, duke përfshirë edhe vizitë tek i lënduari, me qëllim që qartë të demonstrojë vendosmërinë e autoriteteve shtetërore në garantimin e sigurisë juridike, sigurisë dhe rendit të qëndrueshëm publik.

“Në periudhën në vijim, do të vazhojmë që t’i ndjekim me kujdes të gjitha deklaratat dhe veprimet e Sofjes zyrtare, duke pritur qetësimin e situatës dhe largimin e provokimeve, me synimin për t’iu kthyer aktiviteteve diplomatike, prioriteteve drejt projekteve të përbashkëta, grupeve të punës, etj, të cilat janë në drejtim të ruajtjes dhe promovimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Kujtojmë se Bullgaria ka paralajmëruar se do të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, dhe do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut.

Këto veprime nga Sofja vijnë pas rekomandimit të presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski për ndalimin e hyrjes në vend të një eurodeputeti bullgar dhe disa personave të tjerë, kanë ardhur edhe reagimet e partia të disa funksionarëve nga Bullgaria. Presidenti i Bullgarisë dje ka komentuar deklaratat e Pendarovskit duke shtuar se për këtë do të aktivizohen të gjithë mekanizmat evropianë për t’i dhënë fund, siç thotë urrejtjes dhe histerisë antibullgare.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski të hënën në një konferencë për media pas seancës së Këshillit të Sigurimit informoi se sipas të gjitha vlerësimeve dhe analizave të shërbimeve kompetente të sigurisë, përkujtimi i lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë, sepse strukturat e organizuara në Bullgari, të cilat po bëjnë fushata antishtetërore ndaj Maqedonia e Veriut po mobilizon më shumë njerëz për të ardhur në Shkup

Qeveria pas seancës së fundit njoftoi se ka arritur në konkluzione lidhur me shënimin  e ditëlindjes së Goce Dellçevit, 4 shkurt, dhe ka ngarkuar MPB-në që të marrë të gjitha masat për sigurimin e ngjarjes, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, në pjesën rreth propozimit të Pendarovskit që eurodeputeti dhe disa qytetarë të tjerë bullgarë të shpallen persona non grata, Qeveria nuk është deklaruar akoma.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button