Java e privatësisë: Mungesë kapaciteti për zbatimin e suksesshëm të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale në RMV

Në ditën e tretë të konferencës rajonale “Java e privatësisë” 2023 e cila mbahet në Beograd, paneli i dedikuar mbrojtjes së privatësisë dhe të dhënave personale gjatë përdorimit të pajisjeve elektronike me titull “Shqyrtimi i privatësisë në kontekstin e zbatimit të agjendës digJitale në Ballkani Perëndimor”, i cili u organizua në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, Open Data – Kosovë dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), pikëpamjet e tyre i ndanë disa ekspertë dhe njohës të temës, transmeton Portalb.mk.

Në panel diskutuan dr. Katrin Najman-Metalf, eksperte e lartë juridike e Akademisë Estoneze të e-menaxhimit – me pjesëmarrje online, Vesna Radinovska, menaxhere e projektit në Fondacionin Metamorphosis nga Maqedonia e Veriut, Ariana Juli, koordinatore e projektit në Open Data – Kosovë, Anjeza Derishaj, drejtore komanduese e Hetimit sektorial dhe sigurisë së të dhënave nga Shqipëria, Zheljko Rutović nga Agjencia Malazeze për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasje të lirë në Informacion dhe Uros Misljenoviç, zyrtar programi në Partneri – Serbi.

Në lidhje me atë që po bën Qeveria e Maqedonisë së Veriut me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, Vesna Radinovska tha se Fondacioni Metamorfozis ka kryer një hulumtim që ka identifikuar 50 shërbime elektronike të ofruara nga 25 institucione.

“Kemi zhvilluar një metodologji për vlerësimin e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, kemi zhvilluar një set prej 19 treguesish të ndarë në tre grupe. Grupi i parë është qasja e shërbimeve shtetërore, i dyti është transparenca në përpunimin e informacionit personal dhe i treti është vlerësimi i masave teknike dhe organizative që janë zbatuar për mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas këtyre metodologjive kishim dy vlerësime. Njëra ishte në mars 2022 dhe e dyta në gusht, për të ndjekur trendet në rajon. Shërbimet elektronike u vlerësuan nga 0 në 19 për të matur kriterin që përmbushin. Në mars, nota mesatare që morën shërbimet elektronike ishte 7.7 nga 19, që është një rezultat mjaft i ulët duke pasur parasysh se Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale është miratuar dy vjet para anketës sonë”, tha Radinovska.

Ajo theksoi se gjatë të njëjtës matje të bërë në muajin gusht, nuk është vërejtur ndonjë progres domethënës.

“Disa institucione janë përmirësuar, por shumica jo dhe rezultatet ende nuk janë të kënaqshme”, tha Radinovska.

Sipas saj, në Maqedoninë e Veriut ka shumë organizata që punojnë në këtë fushë, por edhe vetë institucionet kanë problemet e tyre që i pengojnë të vendosin mbrojtjen e të dhënave personale si prioritet.

“Institucioneve u mungojnë kapacitetet teknike, fizike dhe financiare. Edhe oficerët e mbrojtjes së të dhënave të kërkuara nga çdo institucion qeveritar nuk kanë kohë për t’u angazhuar plotësisht në rolin e tyre si oficerë të mbrojtjes së të dhënave. Ata kanë edhe përgjegjësi të tjera të punës, por të gjithë mundohen të bëjnë më të mirën”, tha Radinovska.

Ajo shtoi se përkundër mangësive të vërejtura, deri më tani nuk janë vërejtur dështime të mëdha të “rrjedhjes” së të dhënave personale.

“Fondacioni Metamorfozis ofron mbështetje për institucionet në formë të trajnimeve për zyrtarët e mbrojtjes së të dhënave personale dhe zyrtarët nga departamentet e TI-së në mënyrë që të harmonizojnë punën e tyre sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe shpresojmë që mangësitë së shpejti të tejkalohen. Edhe institucionet janë shumë të interesuara të përmirësohen. Por, siç thashë, institucionet dhe ne si shoqëri kemi edhe probleme të tjera ekzistenciale, krizë energjetike, inflacion, pasoja të krizës së Covid-it. Kemi problem edhe me shtetin fqinj”, ka përfunduar Radinovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button