Rrëfehet vëllai i vajzës së vrarë nga babai

Nuk mund të qaj në sy të fshatit se kam turp. Do thonë se qaj për motrën që na çnderoi…”. Lulzim Dushku, vëllai i 21-vjeçares Fatmira Dushku, është djalë i heshtur, që duhet shumë mund ta bindësh të flasë. E ka të vështirë të flasë për gjëmën që u ndodhi, por vendos të jetë ai i pari të vendosë lulen e parë mbi varrin e së motrës që e deshi shumë. “Babai e pyeste se kush ishte babai i fëmijës. Fatmira nuk dëftonte (tregonte). Ai s’e rrahu asnjëherë. Ne nuk ishim në shtëpi kur ndodhi krimi”, tregon Luli. Ai shprehet se e ka falur babain, që i rriti me shumë mundime dhe se do të shkojë ta takojë në burg. Për Lulin pengu i madh është që nuk mundi të ishte në varrimin e motrës së vetme…

Lulzim, a mund të na thuash çfarë ndodhi natën e vrasjes së motrës?
Ne, unë dhe vëllai nuk kemi qenë në shtëpi. Shkuam për darkë tek një kushëri dhe do të ktheheshim në mëngjes. Kur u kthyem, gjetëm Fatmirën të vrarë.
Si vepruat?
E ngritëm Fatmirën dhe e futëm në shtëpi. E ndërruam dhe i veshëm rrobat e reja.
Po babai çfarë bënte si reagonte?
Baba nuk na foli asnjë fjalë. Vetëm na shihte ne. Qëndronte si i ngrirë.
Përse nuk e denoncuat ngjarjen në polici?
Nuk di ç’të them. Kishim frikë, turp. Besoj e kuptoni gjendjen tonë, gjetëm motrën të vrarë.
Më pas çfarë ndodhi?
Dikush lajmëroi policinë. Erdhi policia dhe na shoqëruan të gjithëve në komisariat.
Kur e mësuat se Fatmira ishte shtatzënë?
Dy ditë para se të ndodhte vrasja. Babai e pyeste dhe Fatmira nuk tregonte se kush e kishte lënë shtatzënë. Ne duhet ta dimë se kush e la shtatzënë. Ajo ishte e sëmurë, e kanë marrë në qafë. Na u mbyll dera nga turpi, dy familje që rrimë në turp.
Ti vetë e pyete ndonjëherë se cili ishte babai i fëmijës?
Jo, s’e kam pyetur. S’na linte babai. Vetëm ai e ka pyetur.
Ke parë që gjatë kësaj kohe babai ta rrihte Fatmirën, meqë ajo nuk tregonte babain e fëmijës?
Asnjëherë nuk e ka prekur me dorë. Babai e bëri nga halli. Të gjithë flisnin nën zë lart e poshtë. Nuk bëri mirë, nuk duhet ta kishte vrarë Fatmirën, ajo nuk kishte faj.
Ju e dini kush e la shtatzënë Fatmirën?
Nuk e dimë, po duam ta marrim vesh, se ai i mori jetën Fatmirës. Nëpër fshat ka fjalë plot, por policia s’na ka thënë gjë.
E ke falur babain që vrau Fatmirën?
Po, e kam falur. Ai na rriti jetimë, s’na preku kurrë me dorë, lodhej gjithë ditën për ne.
Do të shkosh në burg ta takosh?
Do të shkoj. Nuk kam mundur të shkoj deri më tani, se kemi pasur njerëz dhe nuk kam mundësi ekonomike. Por do të iki.
Mund të na japësh ndonjë foto të Fatmirës, ta shohim si ka qenë?
Nuk kemi foto, ja po nuk besuat shihni vetë. Dhe pllakën e varrit të mamit e kemi pa foto.
Na e përshkruaj si ishte Fatmira?
Ishte vajzë e bukur. Rrinte e veçuar, fliste rrallë, por prapë e bukur dukej.
Me çfarë merrej ajo në shtëpi?
Fatmira ishte e sëmurë. Vetëm sa na lante ndonjë rrobë. Nuk bënte shumë gjëra.
Po dilte me ndonjë shoqe nëpër fshat?
Nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia. Se ajo ishte e sëmurë. As me bagëti nuk dilte, merreshim ne djemtë. Asaj i kanë hyrë në shtëpi dhe ndodhi ajo që ndodhi. Na shkatërruan.
Po tek dajat shkonte?
Ne dajat i kemi në Kala të Dodës, po që kur vdiq mami shkojmë rrallë.
Të mungon Fatmira?
Më mungon. Ja do vij me ju t’i vë lule të varri. Shkoj të varri. Do t’i shkul dhe barin kur të rritet mbi varr.
Lul të shoh që nuk qan. Nuk ke dhimbje për motrën?
Unë qaj, por kur jam brenda në shtëpi, ku nuk më sheh fshati, se thonë pastaj që qaj për motrën që na prishi nderin. Kam turp të qaj. (është tërësisht i skuqur në fytyrë).
Kur të krijosh familjen tendë si do ta trajtosh?
Shumë mirë. Nuk do ta prek kurrë gruan më dorë, as vajzat nëse më fal Zoti.
Me çfarë jetoni?
Kemi katër lopë. Shesim viçat e jetojmë. Qumështin s’e shesim dot, se nuk vjen njeri ta marrë. Deri në Peshkopi është larg të shkojmë.
Ke ndonjë peng?
Pengu më i madh, që nuk i hodha një grusht dhe Fatmirës. Atë e varrosën këta të fshatit, ne ishim të gjithë në polici. /BalkanWeb/.

Lajme të ngjashme

Back to top button