fbpx

LOJËRAT E FATIT: Manipulim me dobësitë njerëzore? 

Tre banesa, tre dyqane, nëntë automobila dhe qindra vauçerë me vlerë. Me një ofertë të këtillë, me vlerë të përgjithshme prej 400 mijë eurosh, shteti tashmë e realizon lojën shpërblyese “Fiskale në dorë – shpërblim pa mund”. Loja e cila financohet drejtpërdrejtë nga paratë e buxhetit do të realizohet deri në fund të vitit. Sipas qeverisë, qëllimi është të stimulohet diciplina tatimore. Sipas sociologëve dhe ekonomistëve, lojërat e fatit janë pjesë përbërëse e një shoqërie, por edhe fenomen që duhet të analizohet nga disa aspekte. A stimulojnë “parazitizëm” lojërat e fatit të organizuara nga shteti, çfarë porosie u jepet gjeneratave të ardhshme, cila është logjika ekonomike e qeverisë që me para shtetërore të shpërblejë fitues të lojërave të fatit?
Komar, bileta lotarie, llogari fiskale – si deri te fitimi … 
Një banesë, një objekt afarist dhe pesë automobila janë ndarë deri tani në lojën shpërblyese “Fiskale në dorë – shpërblim pa mund”, e cila filloi para Vitit të Ri, e do të zgjasë deri në fund të vitit 2014. Loja e fatit, e cila është e financuar drejtpërdrejtë me para shtetërore, gjegjësisht buxhetore, sipas qeverisë duhet të ndihmojë në luftimin e ekonomisë së zezë. Lojërat e fatit janë pjesë përbërëse e një shoqërie, ato janë në rritje në periudhën e kaluar, por shtrohet pyetja se deri ku është kufiri përtej të cilit nuk duhet shkuar dhe mënyrës në të cilën ato organizohen.
“Lojërat e fatit janë pjesë e një shoqërie, por nëse ne përpiqemi të hemi shoqëri e shëndoshë, nuk mund të flasim për përkrahje të vlerave tradicionale dhe familjes, e nga ana tjetër të favorizojmë forma të këtilla, gjegjësisht duhet të ndërtohen themelet që të zhvillohen dhe të nxiten vlerat e mirëfillta. Lojërat e fatit në kontekst të këtillë, veçanërisht të përkrahura nga shteti si sistem, mund të konsiderohen edhe si “Manipulim me dobësitë njerëzore” – thotë për Portalb-in sociologu Sllave Mlladenovski.

Kur shteti përkrah dhe financon sjellje hazarde – atëherë dërgohet porosi e gabuar deri te të rinjtë, konsideron profesoresha Tatjana Stojanovska -Ivanova.

“Sjellja hazarde është karakteristikë e vendeve të varfëra. Kur keni gjendje të rritjes së përqindjes së njerëzve të varfër, atëherë kërkohet mënyrë se si më lehtë dhe më shpejtë të sigurohen para. Ajo që sipas meje është brengosëse  është kur institucionet e sistemit e nxisin atë “parazitizëm”. Porosia që dërgohet është se në mënyrë të lehtë, pa dhënë mund, mundë të vihet deri te paratë, që vetëvetiu është devijim social.” – konsideron Stojanovska-Ivanova.

Ajo që në opinion shkaktoi reagime është se pse dhe me çfarë baze shteti vendosi që me para popullore të financojë lojë fati. Kur promovohej cikli i lojës “Fiskale në dorë-shpërblim pa mund”, ministri për financa Zoran Stavrevski deklaroi se bëhet fjalë për buxhet prej 350 mijë deri në 400 mijë euro.

“Do të doja t’i porosis qytetarët t’i mbushin duart me llogari fiskale, për shkak se shpërblimet me të vërtetë janë të vlefshme dhe të shumta. Për çdo ditë mund të informohen për lojën shpërblyese në ueb-faqen e Ministrisë për Financa dhe atë të Lotarisë shtetërore të Republikës së Maqedonisë. Qëllimi i lojës shpërblyese është që në mënyrë pozitive të rritet shkalla e dhënies së llogarive fiskale. Edhe për produkt prej 5 denarësh edhe për produkt prej 10 denarësh të merret llogaria fiskale.”- deklaroi ministri Stavrevski.

Që të marrin pjesë në lojë, qytetarët të dërgojnë zarf të standardizuar me 20 llogari fiskale.
“Te loja shpërblyese “Fiskale në dorë – shpërblim pa mund” ne kemi një koncept tjetër të lojë. Këtu bëhet fjalë për financim me para nga buxheti shtetëror, gjegjësisht nga qytetarët. Shteti është ai i cili i financon shpërblimet, e jo nëpërmjet fondit të firmës e cila në këtë rast është logjistikë e lojës shpërblyese. Këtu parashtrohen një sërë çështjesh, si është konceptuar i gjithë sistemi, pse financohet me para buxhetore.” – komentojnë ekonomistët.

Sociologët mendojnë se aspekti ekonomik, gjegjësisht arsyeshmëria ekonomike e lojës shpërblyese nuk është e mjaftueshme që t’i fshehë pasojar sociologjike.

“Diciplina fiskale është njëri dimension i problematikës. Por, nga ana tjetër mendoj se bëhet fjalë për diskurs negativ të gjithë modelit, stimulohen modele të gabuara për të rinjtë, të cilat në vend me potencial vetanak, marrin porosi se mund të fitojnë shpërblim nëpërmjet sjelljes hazarde” – thotë profesoresha Stojanovska-Ivanova.

Është e pritshme që qytetarët të tregojnë interes për një koncept të këtillë të lojës shpërblyese, por nuk duhet të harrohet se në përgjithësi, lojërat e fatit janë karakteristikë e ekonomive të varfëra.

“Kjo dukuri ka disa dimensione. Njëra nga ato është se pse njerëzit duan të luajnë. Shkaku kryesor është që nëpërmjet lojës shpresojnë të arrijnë deri te firimi. Lojërat vetëvetiu janë fenomen, dhe përderisa është e pranueshme deri në kufinj të caktuar mund të jetë madje edhe me efekt pozitiv. Është e pritshme që të ketë rritje të lojërave të fatit. Një njeri për 30 ose 50 denarë mund të futet në një bastore ose të blejë ndonjë biletë lotarie. Investimi nuk është i madh, mirëpo kënaqësia është e madhe. I saktë është perceptimi se “komari”, ose më saktë do të thoja “lojërat e fatit” janë karakteristikë e vendeve të varfëra, por nga ana tjetër kemi hulumtime që tregojnë se Franca dhe Amerika rrotullojnë shuma të mëdha parash mu nëpërmjet lojërave të fatit”, thotë sociologu Mlladenovski.

Fondi shpërblyes i lojës “Fiskale në dorë – shpërblim pa mund” përveç banesave dhe dyqaneve, përmban edhe nëntë automobila, vauçerë të shumtë me vlerë, me vlerë individuale prej tre deri në gjashtëdhjetë mijë denarë për kategori të ndryshme të produkteve, prej teknikës së bardhë dhe aparateve të kuzhinës, kompjuterëve dhe pajiseve kompjuterike, biçikletave dhe pajisjeve, celularëve e deri te produktet ushqimore.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close