Stërnipi i Tolstoit nga Tetova

Nuk është “grep” gazetarësh, që e zgjojnë kureshtjen e lexuesve për ta lexuar një shkrim, kur themi se një stërnip i Leon Tolstoit ishte nga Tetova. Stërnipi i autorit të kryeveprave Lufta dhe Paqja, Ana Karenina, Ringjallja apo Haxhi Murati quhet Oleg Tolstoi (1927 – 1992). Ai lindi në Tetovë ku jetoi deri në moshën 18 vjeçare. Pastaj, bashkë me familjen, u kthye në Rusi. Diplomoi për pikturë në Institutin Shtetëror të Artit në Moskë, në vitin 1956.

Si ndodhi që stërnipi i shkrimtarit me lavdi botërore të lindte dhe të formohej në Tetovë?

Pas Revolucionit të Tetorit dhe Luftës Civile miliona rusë, kryesisht nga shtresa e lartë dhe e mesme, u larguan nga Rusia. Në mesin e emigrantëve rusë, që ishin në konflikt me regjimin e ri, kishte pronarë tokash, industrialistë, bankierë, tregtarë, nëpunës, eprorë, shkencëtarë, mjekë, veterinerë, arkitektë, inxhinierë e artistë. Mbi 40 mijë emigrantë u strehuan në Mbretërinë Jugosllave, kurse qindra prej tyre u vendosën në Tetovë dhe në fshatrat përreth. Disa mjekë, mjeke dhe infermiere ruse punuan në Shtëpinë e Shëndetit Popullor të Tetovës, kurse shoqëria industriale dhe aksionare e Tetovës, investuese për ndërtimin e Hidrocentralit (i lëshuar në përdorim më 1926), u themelua nga emigranti Mihajloviq.

Pas ndryshimit të rrethanave politike pjesa më e madhe e emigrantëve u rikthyen në Rusi, por disa prej tyre filluan jetë të re në vendet ku emigruan.

Në mesin e emigrantëve ishte edhe babai i Olegut, agronomi Vladimir Tolstoj, që u vendos në Tetovë. Ai ishte i biri i djalit të madh të shkrimtarit Leon Tolstoi, pra Ilia Lvoviqit.

Nuk e dimë nëse piktori Oleg Tolstoj i ruajti lidhjet me Tetovën dhe nëse qyteti i lindjes zë vend në krijimtarinë e tij artistike. Besojmë se fëmijëria dhe mosha rinore kanë ndikuar në krijimtarinë artistike të Olegut, ashtu siç ndodh me shumicën e artistëve.

Dimë se kritikët e artit pamorë i vlerësuan peizazhet për shkak të koloritit të theksuar. Dimë se ai hapi disa ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Dimë se ishte anëtar i Lidhjes së Artistëve të BRSS. Dimë se ishte i lidhur me vendlindjen e të parëve të tij, Jasnaja Polanën. Dimë, gjithashtu, se djali i tij është Pyotr Tolstoj, zëvendëskryetari i Dumës ruse dhe bashkëpunëtori i Putinit, emri i të cilit gjendet në listën e të sanksionuarve nga Bashkimi Europian.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button