Dy inspektorate do të shkrihen në një, një nga ndryshimet e planifikuara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Në seancën e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u angazhua Ministria e Ekonomisë që të planifikojë riorganizimin e Ministrisë së Ekonomisë, duke përfshirë sektorët që i udhëheqë, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin në lidhje me Planin për riorganizimin e Ministrisë së Ekonomisë, e cila do të jetë e angazhuar për realizimin e Planit, sipas afateve të planifikuara aty”, raportoi Qeveria.

Qeveria sqaroi që Inspektorati shtetëror i tregut do të bashkohet me Inspektoratin Shtetëror për inspektim Teknik, duke formuar një institucion të përbashkët të tipit të Këshillit Mbikëqyrës “Inspektorati i tregut shtetëror dhe Teknik”.

Planifikohet në këtë formë të bashkohet edhe Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik me Agjencinë për mbështetje të ndërmarrësisë, bashkimin e Agjencisë për investime të huaja me Drejtorinë e zonave për zhvillim teknologjik e industrial, si dhe bashkimin e Agjencisë për energjetikë me Agjencinë për rezervat e detyrueshme të naftës.

Ndryshe, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në nëntor të vitit të kaluar deklaroi se, pret që shumica e deputetëve në Kuvend të mbështesin riorganizimin e paralajmëruar në Ministrinë e Ekonomisë, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Ekonomisë momentalisht mbulon 14 sektorë dhe ka tetë agjenci. Deri më 1 korrik të vitit 2023 do të duhet të riorganizohet në pesë drejtori, katër agjenci të shkrihen në dy, dy inspektorate në një dhe të ketë rregullator të unifikuar ekonomik.

Bekteshi tha se, qëllimi i këtij projekti është të ketë shërbime publike më cilësore, me harxhime më të vogla dhe njëkohësisht të rritet shkalla e profesionalizmit në administratën shtetërore, të ketë shërbime më të mira edhe për qytetarët edhe për sektorin e biznesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button