Procedura për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë në qershor, paralajmëroi Xhaferi

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot paralajmëroi se procedura për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë më së voni në qershor-korrik të këtij viti dhe të mbarojë në nëntor, kur është e parashikuar që të mbarojë skriningu i BE-së, njofton Portalb.mk.

Në takimin e sotëm joformal me gazetarët, Xhaferi tha se zgjedhjet nuk do të ndihmojnë që të sigurohen 80 vota për ndryshimet kushtetuese, por përkundrazi, do ta komplikojnë punën. Ai vlerëson se problemi mund të tejkalohet nëse ulen të bisedojnë pushteti dhe opozita.

Kujtojmë se, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi më 13 janar se nuk ka plane për momentin, por nuk e përjashton mundësinë e një takimi të ri të liderëve për ndryshimet kushtetuese dhe çështjet më të rëndësishme.

I pyetur se si do ta bindë opozitën që të kryejë ndryshimet kushtetuese deri në nëntor, Kovaçevski tha se, për 10 muaj mund të bëhen shumë gjëra dhe të gjithë duhet të jenë përgjegjës ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button