Në vitin 2023 ende flasim për tualete shkollore jofunksionale, reagoi Forumi Rinor Arsimor

Sistemi arsimor i vendit është jofunksional, për vite me radhë autoritetet – e kaluara dhe të tanishëm na kanë siguruar vazhdimisht se arsimi është e ardhmja dhe se arsimi është receta kryesore për suksesin e një vendi. Megjithatë, për fat të keq është vetëm deklarative, dhe receta është qartazi e pasuksesshme. Ky është qëndrimi i Forumit Rinor Arsimor (FRA) me rastin e ditës së sotme ndërkombëtare të arsimit, transmeton Portalb.mk.

“Gjysmëvjetori i dytë në vitin 2023, nxënësit e shkollave publike e nisën njësoj si fillimi i vitit shkollor në shtator – me mungesë tekstesh. Nëse një vend nuk mund të ofrojë më të thjeshtat / më themeloret e një procesi arsimor – të porosisë dhe shtypë tekstet shkollore në kohën e duhur, atëherë si mund të presim që ndonjëherë t’i afrohemi pjesës tjetër të sistemeve të zhvilluara arsimore? Mungesa e teksteve nuk është problemi i vetëm i sistemit arsimor të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Forumit Rinor Arsimor.

Sipas tyre, pothuajse të gjitha hulumtimet dhe analizat ndërkombëtare dhe kombëtare tregojnë se sistemi arsimor i vendit është në rënie të lirë dhe askush nuk po merr asgjë për ta ndryshuar rrënjësisht atë.

“Të rinjtë nga zonat rurale dhe të rinjtë nga zonat urbane nuk kanë të njëjtën qasje në arsim apo mundësi të njëjta. Në vitin 2023 ende nuk është problem për vendin tonë që një pjesë e madhe e nxënësve në zonat rurale shkojnë në shkolla që nuk kanë kushte elementare, nuk janë rinovuar prej dekadash, pa tualete funksionale. Po, flasim për tualete”, thekson Forumi.

Nga aty reagojnë se studentët e rinj me aftësi të kufizuara janë ende në margjina.

“Shumë nga këta nxënës e nisën vitin shkollor pa vlerësim, pa asistent, pa plan individual arsimor. Ka ende shkolla që nuk janë të qasshme- nuk kanë rampa të qasshme, nuk kanë ashensorë, mobilje të përshtatura apo tualete të përshtatura”, thuhet në njoftim.

FRA i referohet edhe buxhetit për shkencë të paraparë për këtë vit, i cili arrin në 268 milionë denarë dhe është më i ulëti në 10 vitet e fundit. Ata thonë se edhe pse buxheti i shtetit rritet çdo vit, këtë vit për shkencën janë planifikuar edhe 42 përqind më pak para në krahasim me vitin 2014, ndërsa për vitin e ardhshëm propozohen edhe 66 përqind më pak para në krahasim me atë kohë.

“Nuk duhet të habitemi aspak nga fakti që universiteti ynë më i madh dhe më i vjetër po bie vazhdimisht në renditjen ndërkombëtare dhe në vend që të rritet çdo vit – siç ndodh me institucionet e arsimit të lartë në rajon – vetëm këtu zbret. Në krahasim me universitetet e rajonit, universiteti më i madh i vendit është në fund, shumë prapa universiteteve më të mëdha të Greqisë, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Bullgarisë”, thonë nga FRA.

Ndryshe, Forumi Rinor Arsimor është organizatë rinore që ka më shumë se 20 vjet që lufton dhe avokon për arsim cilësor, arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Nga aty kërkojnë që autoritetet të nisin urgjentisht dhe seriozisht reformimin e sistemit arsimor dhe investime serioze, sepse në të kundërtën arsimi do të bëhet plotësisht jofunksional dhe kjo do të ndikojë edhe në funksionalitetin e shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button