RMV, qytetarët mund t’i dorëzojnë kërkesat për nënshtetësi, pasaportë dhe letërnjoftim në formë elektronike

Prej këtij viti, kërkesat për dokumentet personale qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund t’i dorëzojnë edhe në formë elektronike, nëpërmjet portalit nacional për shërbime elektronike, njofton Portalb.mk.

“Qytetarët mund të dorëzojnë kërkesa për lëshimin e letërnjoftimit dhe pasaportës duke i përdorur mjetet për identifikim elektronik nëpërmjet portalit nacional për shërbime elektronike në pajtueshmëri me dispozitat nga fusha e udhëheqjes elektronike dhe shërbimet elektronike”, thonë për Portalb.mk nga MPB.

Për t’i shfrytëzuar këto shërbime, duhet që të hapet profil në portalin nacional. Procedura e hapjes së profilit shpjegohet në videon e publikuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës:

Sipas kontrollit që bëri Portalb.mk, këto formularë tanimë mund të bëhen edhe online, fillimisht duke klikuar në kategorinë “Ngjarje jete” dhe pastaj në nënkategorinë “Dokumente personale”.

Pastaj zgjedhni llojin e dokumentit, aplikoni dhe e mbushni formularin.

Skrin-shot nga ueb-faqja e e-shërbimeve

Sipas asaj që pamë, ueb-faqja dhe formularët nuk janë tërësisht në gjuhën shqipe, por disa pjesë janë edhe në maqedonisht edhe në shqip.

Dorëzimi i kërkesës për dhënien e letërnjoftimit dhe pasaportës është mundësuar në pajtueshmëri me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dokumente Udhëtuese, Ligjit për Emër personal dhe Ligjit për Paraqitje të Vendbanimit dhe Vendqëndrimit.

Digjitalizimi i këtyre shërbimeve do ta lehtësojë ndjeshëm procedurën e aplikimit për marrjen e dokumenteve personale duke i mënjanuar mbushjet e formularëve me prani fizike. Megjithatë, fotografimi dhe marrja e dokumentit do të vazhdojë të jetë në formën tradicionale me prani fizike, gjegjësisht identifikim personal.

Ndryshe, në buxhetin për vitin 2023 të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës janë parashikuar mjete për digjitalizim të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset në vlerë prej 154.795.000 denarë, apo 38 milionë denarë më shumë se vitin e kaluar.

Maqedonia e Veriut ka rrugë të gjatë përpara saj për sa i përket transformimit digjital. Ndonëse vendi ka bërë reforma në këtë drejtim, megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë. Kjo është konstatuar edhe në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Raporti thekson mangësitë ku vendi duhet të punojë si dhe pikat ku vendi ka bërë përparim.

Storjet e Portalbit për shërbimet elektronike mund t’i lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button