Ministri i Arsimit jep llogari në tubim partiak, por nuk u përgjigjet gazetarëve për Konviktin e Tetovës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) të cilën e udhëheqë Jeton Shaqiri më shumë se një javë nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për atë se kur do të përfundojë dhe lëshohet në funksion Konvikti Studentor i Universitetit të Tetovës i cili premtohet për shtatë vite. Megjithatë, ministri Shaqiri, mbrëmë foli për konviktin në një tubim partiak.

Edhe pse nevoja e studentëve në Tetovë për konviktin studentor është e madhe, Ministria nuk e pa të arsyeshme të tregojë se kur do përfundojë i njëjti dhe nëse do të jetë gati për semestrin e dytë i cili do të fillojë për një muaj e pak.

Drejtuam pyetje edhe në Universitetin e Tetovës, por nga atje na njoftuan se stafi është në pushim dimëror dhe se përgjigje mund të presim kur të kthehen në punë.

Por, Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, mbrëmë i pyetur në një aktivitet partiak në Tetovë, u përgjigj për këtë çështje, por përsëri pa dhënë afat konkret kur do fillojë me punë konvikti, sipas tij kjo do të bëhet “së shpejti”.

“Një ndër pyetjet dhe angazhimet e mia ka qenë që sa më shpejt të fillojë konvikti i Tetovës dhe për të filluar konvikti i Tetovës kishte procedura që kishin të bëjnë me furnizimin ose thënë më mirë me plotësimin e kushteve nga aspekti i mobilimit. Pas sigurimit të mjeteve plotësuese me ndryshimin e çmimeve dhe miratimin e Ministrisë së Financave tash kemi përfunduar procedurën sa i takon për furnizimin e mjeteve në konvikt, është procedurë ankimuese, në momentin që flas mund ta them vetëm atë gjë që është drejt përfundimit kjo procedurë dhe jam i bindur që së shpejti konvikti i Tetovës do të jetë funksional me të gjitha kushtet dhe do të jetë një ndër konviktet më të mira në vendin tonë”, tha Shaqiri.

Autoritetet kanë shkelur afatet e realizimit dhe vazhdimisht kanë premtuar afate të reja të përfundimit të projektit por pa rezultat përfundimtar deri më sot.

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.

Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, ish zëvendësministri i Arsimit, Arafat Shabani, tha se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri Shaqiri deklaroi se konvikti pritet të jetë gati për semestrin e kaluar i cili filloi në tetor, që edhe kjo nuk u bë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button