15 banesa dhe 1400 hektarë tokë nën ujë në Shkodër

Reshjet e shiut dhe të dëborës vijojnë të mbajnë të mbërthyer vendin duke shkaktuar probleme kryesisht në veri dhe juglindje, raporton Klan. Në Shkodër, sipërfaqja e tokave nën ujë llogaritet 1400 hektarë. Më problematike situata paraqitet në njësinë administrative ana e malit, ku në 15 banesa në Obot ka prezencë uji.

Rruga e Obotit vijon të jetë e pakalueshme, po ashtu edhe aksi Shirq-Darragjat.

Për shkak të situatës së krijuar, në 13 shkolla në njësitë administrative Pult, Shosh dhe Shalë, këtë të hënë nuk rinisi procesi mësimor.

Ndërsa në Lezhë janë nën ujë 350 hektarë tokë.

Emergjencat Civile bëjnë me dije se jugu i vendit rrezikohet nga përmbytjet për shkak të reshjeve me intensitet të lartë.

“I gjithë territori i vendit do të ketë reshje me intensitet të lartë, të cilat do të jenë më të përqendruara në jug të territorit. Në qarqet, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara”, u shpreh Robert Hysenllari, drejtor i gatishmërisë, AKMC.

Në Durrës, për shkak të rrëshqitjeve të dherave është bllokuar njëri krah i rrugës që lidh shëtitoren Taulantia me zonën e Currilave.

Probleme ka edhe me reshjet e dëborës në zonat e thella ku më problematike është situata në akset Bogë-Theth, Qafë Thore-Theth, Dushaj-Lekbibaj ku trashësia e borës ka arritur mbi 1 metër.

Në Dibër nuk ka asnjë aks të bllokuar përveç atij Peshkopi-Lurë. Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në rrjetin elektrik ne disa zona rurale në Shkodër, Pukë, Malësi të Madhe, Korçë dhe Lushnje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button