U mblodhën kryediplomatët e BE-së, tema kryesore Ukraina

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) janë mbledhur për të diskutuar zhvillimet e fundit në lidhje me luftën në Ukrainë, veçanërisht ndihmën financiare dhe ushtarake shtesë që do t’i jepet vendit, krijimin e një gjykate speciale për krimet e luftës dhe ofrimin e sigurisë bërthamore, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryediplomatet e Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Spanjës dhe Sllovenisë, para mbledhjes së parë të sivjetme të kryediplomatëve të vendeve të BE-së, dhanë deklaratë për gazetarët.

Ministrja e Jashtme e e Francës, Catherine Colonna, duke theksuar se vendi i saj do të vazhdojë t’i ofrojë ndihma ekonomike, financiare, diplomatike, politike, humanitare dhe ushtarake Ukrainës, tha se ashtu siç është zotuar presidenti Emmanuel Macron, dërgimi tankeve të lehta luftarake të llojit “AMX 10-RC” është në kuadër të kësaj ndihme.

Ajo tha se në mbledhje do të diskutojnë lëshimin e 500 milionë eurove në kuadër të ndihmës, duke shtuar se mbështesin në çdo aspekt punimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të përcaktuar nëse Rusia ka kryer apo jo krime lufte në Ukrainë.

Colonna pretendoi se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.

Kryediplomatja gjermane Annalena Berbock, duke folur rreth paralajmërimeve të raketave në Ukrainë tha: “I gjithë vendi është nën sulmin e regjimit rus. Pas 11 muaj nga fillimi i luftës brutale të Rusisë, (Presidenti i Rusisë Vladimir) Putin vë në pah se nuk është larguar nga plani i tij vrasës për të shkatërruar Ukrainën”.

Garantimi i sigurisë bërthamore në Ukrainë

Ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib, nga ana e saj tha se “Përsërisim vendosmërinë tonë rreth ndihmës ushtarake të pakushtëzuar për Ukrainën”, duke shtuar se do të bisedojnë edhe për paraqitjen e krimeve të luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë në një gjykatë ndërkombëtare.

Kryediplomatja belge tha se kanë zhvilluar një takim jo zyrtar me kryetarin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi, për sigurinë e centralit bërthamor në Ukrainë.

“Spanja mbështet të gjitha përpjekjet e IAEA-së lidhur me garantimin e sigurisë bërthamore në Ukrainë”, tha nga ana tjetër ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares.

Në takim do të bisedohet edhe rreth Palestinës dhe Malit të Zi

Kryediplomatja sllovene Tanja Fajon theksoi se në takim do të flasin rreth pakos së re të ndihmës në vlerë prej rreth 500 milionë eurosh për Ukrainën.

“E shohim se shumë vdekje civile dhe tensione në tokat palestineze. Ne patjetër do të shprehim mbështetjen tonë për popullin palestinez”, tha ajo, duke shtuar se do të zhvillojnë edhe një takim me kryeministrin palestinez Mohammad Shtayyeh.

Duke shtuar se në takim do të trajtohet edhe kriza politike që po vazhdon për një kohë të gjatë në Mal të Zi, Fajon tha se po mundohen ta mbështesin vendin në ngritjen e një gjykate kushtetuese funksionale dhe kthimin në rrugën e BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button