ANALIZË: Numri i pensionistëve në RMV do të rritet, shuma për pensione këtë vit do të jetë gati 1,2 miliardë euro! (Infografik)

Numri i pensionistëve në vend do të rritet, në vitin 2025 do të kalojë 353.000 persona – shfrytëzues të pensioneve. Do të rritet edhe shuma për pagesën e rregullt të pensioneve. Plani strategjik i FSPIM-së për periudhën 2023-2025 me vlerësime të reja të korrigjuara për lëvizjen e numrit të pensionistëve dhe për mjetet e nevojshme për pensionet në raport me projeksionet në dokumentin e mëparshëm. Edhe për këtë vit është paralajmëruar rritje e pensioneve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Më shumë se gjysma e pensionistëve jetojnë me ose më pak se 260 euro…

Sivjet, numri i pensionistëve do të arrijë në 345.245 persona, që është për 2.826 më shumë se parashikimi në Planin e mëparshëm Strategjik të përgatitur nga FSPIM-ja. Dokumenti i ri parashikon që numri i pensionistëve të në tre vitet e ardhshme të rritet për gati 7.800.

Në fund të vitit 2022, në vend kishte 332.239 pensionistë, që është për 13.000 më pak se përllogaritja për numrin e pensionistëve këtë vit. Pothuajse 69% e pensionistëve marrin pension pleqërie, i cili në fund të vitit 2022 ishte 18.991 denarë.

Nëse pensionet sistemohen sipas shumës, të dhënat tregojnë se në vend pothuajse 54% e pensionistëve ose më shumë se gjysma kanë pension jo më të lartë se 260 euro, kurse 28% prej tyre kanë pension më të lartë se 20.000 denarë.

Edhe këtë vit rritje e pensioneve…

Për pagesën e rregullt të pensioneve këtë vit do të nevojiten 1.2 miliardë euro, që është për 10,8% më shumë se shuma që ishte parashikuar vitin e kaluar. Shumat për pagesën e pensioneve do të rriten në vitet në vijim. Në vitin 2025, krahasuar me këtë vit, shuma do të rritet për pothuajse 83 milionë euro.

Shuma për pagesën e pensioneve do të rritet jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të shfrytëzuesve, por edhe për shkak të rritjes së pensioneve. Sipas njoftimeve nga Qeveria, në mars të këtij viti do të ketë korrigjim të ri në rritje të pensioneve për 6%.  Sipas metodologjisë së re pensionet harmonizohen dy herë në vit, në shtator dhe në mars, edhe atë për 50 përqind me shpenzimet e jetesës dhe për 50 përqind me rritjen e rrogës mesatare.

“Pensionet do të rriten gjithsej për 16 për qind për një vit kalendarik. Gjatë mandatit të kësaj Qeverie ato janë rritur për 10 përqind dhe kjo është bërë pa i rritur përqindjet e kontributeve pensionale. Pjesa më e madhe e mjeteve – 499 milionë euro janë transferim në FSPIM-it, që është një tregues shtesë për qytetarët se po e mbajmë stabil Fondin pensional” – deklaroi para do kohësh kryeministri Kovaçevski, duke paralajmëruar rritje të re të pensioneve.

Ekonomistët vazhdojnë të paralajmërojnë për nevojën e qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve, veçanërisht në kohë krize kur zhvillohet betejë për ruajtjen e vendeve të punës dhe hapjen e vendeve të reja, të cilat së bashku janë burim i financimit për arkën e fondit. Në bazë të kontributeve sociale, këtë vit në FSPIM duhet të derdhen 994.000.000 euro, shumë më e lartë se vitin e kaluar. Nga ana e shpenzimeve, pjesa më e madhe e buxhetit të FSPIM-së, ose 1,5 miliardë euro, shpenzohet për pagesën e përfitimeve sociale në baza të ndryshme, duke përfshirë edhe pensionet, që përfshijnë pjesën më të madhe të kësaj shume.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme nga Enti i Statistikave, në fund të tremujorit të tretë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në vend ishte 693.062, dhe në raport me numrin e pensionistëve për këtë vit, mund të konstatohet se në çdo 2 punonjës ka 1 pensionist, e dhënë kjo që tregon cenueshmërinë e sistemit të pensioneve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button