Bota duhet të pastrohet nga armët bërthamore, vlerësoi ministri i Jashtëm austriak

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg deklaroi se bota duhet të pastrohet nga armët bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për vitin e dytë të hyrjes në fuqi të Traktatit të Ndalimit të Armëve Bërthamore (TPNW), Schallenberg tha se ekziston një qasje se armët bërthamore garantojnë siguri, por që kjo është kategorikisht qasje e gabuar dhe se armët bërthamore janë element frike që përbëjnë kërcënim për të gjithë.

“Këto armë do të vazhdojnë të jenë kërcënim për të gjithë për sa kohë që ato ekzistojnë. Armët bërthamore duhet t’i shkatërrojmë para se të na shkatërrojnë ato neve”, theksoi Schallenberg i cili shtoi se bota duhet të pastrohet nga armët bërthamore.

Pasi bëri të ditur se kërcënimi me armë bërthamore është shumë i rrezikshëm, Schallenberg ndau mendimin e tij se “Në aspektin moral kjo është e papranueshme, gjithashtu kufizon zonën e veprimit të të tjerëve dhe është në mënyrë të qartë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

Traktati i Ndalimit të Armëve Bërthamore (TPNW) u miratua më 22 janar 2021 pavarësisht se u kundërshtua nga vende si SHBA-ja, Rusia dhe Kina që kanë armë bërthamore.

Vendet që kanë armë bërthamore si SHBA-ja, Rusia, Britania e Madhe, Kina, Franca, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli nuk e nënshkruan marrëveshjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button